Në vitin 2009, mëse dy milion e 200 mijë besimtarë të pranishëm në takimet me Benediktin
XVI në Vatikan
(05.01.2010 RV)Janë mëse dy milion e 200 mijë, besimtarët dhe shtegtarët, që
kanë marrë pjesë në takimet publike të Papës Benedikti XVI në Vatikan ose në rezidencën
e Kastel Gandolfos, gjatë vitit 2009. Lajmi jepet sot nga Prefektura e Shtëpisë Papnore.
Prej tyre, 537 mijë besimtarë kanë marrë pjesë në audiencat e përgjithshme, 115 mijë
në ato të veçanta. Mëse 1 milion e 100 mijë besimtarë kanë thënë lutjen e Engjëllit
të Tënzot me Atin e Shenjtë, ndërsa 470 mijë kanë marrë pjesë në kremtimet liturgjike. Në
komunikatën e saj, Prefektura e Shtëpisë Papnore nënvizon se përveç takimeve në Vatikan
e në Kastel Gandolfo, Benedikti XVI është takuar me besimtarët edhe në shumë vende
të tjera, për të cilat nuk janë bërë statistika. Gjithsesi, mund të përmendim vizitat
në famullitë e Romës gjatë Krezhmëve, vizitat baritore në Itali, takimet me besimtarët
gjatë pushimeve verore në Vale d’Aosta. E së fundi, nuk mund të mos kujtojmë vizitat
baritore jashtë Italisë, si në Kamerun e Angola, në Tokën Shenjte, në Republikën Çeke,
me kremtimet në Luanda, Nazaret e Brno, që duhen konsideruar gati ngjarje “historike”,
për numrin jashtëzakonisht të madh të besimtarëve, që morën pjesë, pavarësisht nga
rrethanat e vështirësitë.