Kush beson në Zotin, nuk ka frikë për të ardhmen. Në fillim të vitit të ri, mendimi
i Papës për shpresën e krishterë.
(05.01.2010 RV)“Ne shpresojmë në
Zotin”, “ne ia besojmë vetveten Hyjit, i cili në Jezu Krishtin na e zbuloi plotësisht
e përfundimisht vullnetin e tij për të ndenjur me njeriun, për të ndarë me të historinë”,
është një nga fragmentet e forta të lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, e para
e vitit të ri 2010. Benedikti XVI foli përsëri për shpresën, një nga temat, që
përshkojnë gjithë papninë e tij e së cilës, siç dihet, i kushtoi edhe Enciklikën “Spe
salvi”. Po rikujtojmë sot disa nga reflektimet e Papës kushtuar shpresës, për të cilën
kemi nevojë të gjithë.
Shpresat e vogla e shpresa e madhe. Kalimtare të parat,
e qëndrueshme dhe e besueshme e dyta. Në fillim të vitit të ri - nënvizon Papa - është
e lehtë të bësh parashikime e të rendësh pas parafoljeve. Zemra është e shqetë, rreh
fort kur shpreson, e edhe më fort, kur i humbet shpresat: “Nis një
vit i ri, e bashkë me të, edhe shpresat tona. Por nuk mund ta fshehim se në horizont
dynden re, që e shqetësojnë njerëzimin. Megjithatë, nuk duhet të na lëshojë zemra;
madje duhet ta mbajmë të ndezur në shpirt flakën e shpresës. Për ne, të krishterët,
flaka e vërtetë është Krishti, dhurata që i bëri Ati njerëzimit”. (Fjalim
Inspektoriatit të Policisë, 15. 01. 2009). Dhuratë tejet e besueshme kjo,
aq sa mund të themi se në të është shëlbimi ynë. ‘Po, ç’është kjo shpresë?’ - pyet
Papa, duke komentuar Enciklikën e tij ‘Spe salvi”: “Shpresa qëndron në njohjen
e Zotit, në zbulimin e zemrës së tij prej Ati të mirë e të mëshirshëm. Jezusi, me
vdekjen në kryq e me ngjalljen, na e dëftoi fytyrën e Tij, fytyrën e Hyjit, që ka
një dashuri aq të madhe, sa të na transmetojë shpresën e patundshme, të cilën nuk
mund ta cënojë as vdekja, sepse jeta e njeriut, që i beson këtij Ati, shkon drejt
lumnisë së amshuar”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 02. 12. 2007). Zhvillimi
i shkencës moderne - shpjegon Papa – i kufizon gjithnjë më shumë fenë dhe shpresën
në sferën private dhe individuale, kështu që sot shihet qartë, e nganjëherë edhe në
mënyrë dramatike, se njeriu dhe bota kanë nevojë të madhe për Hyjin, Hyjin e vërtetë,
përndryshe mbeten krejt pa shpresë: “Shkenca kontribuon shumë për të mirën
e njerëzimit, por nuk është në gjendje ta shpëtojë. Njeriun e shpëton dashuria, që
e bën të mirë e të bukur jetën personale e shoqërore. Prandaj shpresa e madhe, e plota
e përfundimtarja, sigurohet nga Hyji që, në Jezusin, na vizitoi e na dha jetë, e në
Të do të kthehet në mbarim të kohëve. Në Krishtin shpresojmë, Atë presim!”(Lutja
e Engjëllit të Tënzot, 02. 12. 2007). E në se shpresojmë vërtetë në Krishtin,
secili nga ne mund ta provojë pushtetin e hirit shëlbues të Hyjit. Ky hir ka forcë
ta shndërrojë krejt jetën tonë: “Në dritën e kësaj shprese të qëndrueshme,
puna jonë e përditshme, sido që të jetë, merr kuptim e vlerë tjetër, sepse e lidhim
në mënyrë të pazgjidhshme me ato vlera të përjetshme njerëzore e shpirtërore, që e
bëjnë jetën tonë më të qetë e më të dobishme për vëllezërit… E pikërisht duke e kryer
sa më mirë detyrën e vet, çdo i pagëzuar realizon thirrjen për shenjtëri” (Fjalim
drejtuar Inspektoriatit të Policisë, 15. 01. 2009)Shpresa ungjillore - vëren akoma
Ati i Shenjtë - nuk mbyllet vetëm në kufijtë e ngushtë të vetvetes. Ne shpresojmë
edhe për të tjerët – vijon të shpjegojë Papa – sepse vetëm kështu shpresa është e
vërtetë edhe për secilin nga ne. “Të shpresosh do të thotë të fluturosh!”, pohon edhe
një herë Benedikti XVI, duke i bërë jehonë fjalëve të Shën Bonaventurës. E shton:
“Kush shpreson, duhet ta ngrejë kokën, duke i lartuar mendimet drejt lartësive të
jetës sonë, domethënë drejt Zotit”: “Vetëm kjo shpresë-bindje na siguron
se, pavarësisht nga dështimet e jetës personale e kundërvëniet e historisë në tërësinë
e saj, na ruan gjithnjë fuqia e pashkatërrueshme e Dashurisë. Kur mbështetemi mbi
këtë shpresë, nuk rrezikohemi kurrë ta humbasim guximin për të dhënë ndihmesën, ashtu
siç bënë Shenjtorët, në shëlbimin e njerëzimit, duke e hapur Zemrën tonë e botën për
hyrjen e Zotit të vërtetësisë, të dashurisë e të dritës”(Fjalim në Banjorexho,
07. 09. 2009).