455 vjetori i botimit të Mesharit të dom Gjon Buzukut
(05.1.2010 RV)Si sot, më 5 janar 1555 prifti katolik shqiptar dom Gjon Buzuku
e përfundoi së shkruari Mesharin e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e llojit
dhe njëkohësisht si i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe. Vetë autori,
don Gjon Buzuku shkruan në parathënien e Mesharit se e mbaroi “së shkruami” veprën
më 5 janar 1555. Siç pohuam, deri më sot nuk njihet një tjetër libër më i vjetër,
i shtypur, në gjuhën shqipe, veç kësaj vepre, shkruar e botuar në rrethana që ende
sot janë mjaft të diskutueshme. Sidoqoftë vepra e Mesharit mbetet monument i përpjekjes
së klerit të krishterë shqiptar për ta shpëtuar popullin nga rreziku i tjetërsimit
e humbjes së identitetit kombëtar e shpirtëror, për ta mbajtur të lidhur fort me dritën
e Shëlbimit të Krishtit dhe me dritën e qytetërimit perëndimor. Meshari i Buzukut,
siç thekson vetë autori, u botua sepse “gjuha jonë nukë kish gjaa të endigluem en
sëh shkruomit shenjtë” - nuk kishte, pra asnjë përkthim të Shkrimit Shenjt”, por kryesisht
“en sëh dashunit së botës sënë” - nga dashuria për popullin e vet. Kështu, dom Gjon
Buzuku na jep të dhëna për kohën e tij se në gjuhën shqipe, pra në gjuhën e popullit,
ndjehej mungesa e shkrimeve, libra e shkrimeve nga Bibla e mbi fenë e krishterë, për
ta njohur e edukuar popullin në fenë e vet. Prandaj, i nxitur nga nevoja e madhe
baritore dhe i frymëzuar nga llojet e librave liturgjike që qarkullonin në kohën e
tij, dom Gjon Buzuku bën një përgatitje dhe përpilon një libër me pjesë të ndryshme
të liturgjisë e të biblës, që shërbenin në rend të parë për priftërinjtë për kremtimin
e Meshës e të Sakramenteve tjera apo për lutjet e tyre të përditshme. Siç dihet, mjerisht,
kësaj vepre, Mesharit, i mungojnë disa faqe: atë të fillimit e disa tjer aty këty
brenda vetë librit. Meshari i Buzukut është kryesisht përkthim por ka edhe pjesë
autentike të shkruara nga dom Gjon Buzuku si dhe nga priftërinjtë tjerë shqiptarë
si dom Gjergji, dom Marku, dom Pjetri e tjerë, siç dëshmohet brenda disa faqeve të
kësaj vepre. Meshari i Buzuku është libër liturgjik të cilin mund ta krahasojmë
e këndej quajmë COMES, apo Epistolar, Leksionar siç i quanin liturgjistët e mesjetës
librat që përmbanin pjesë të Biblës e lutje të ndryshme për t’u lexuar në Meshës gjatë
vitit liturgjik kishtar, gjatë kremtimit të Sakramenteve e tjera, çka përmban edhe
Meshari i Buzukut. Në të vërtet në këtë vepër COMES kemi: Oficen e Zojës, Shtatë Psalmet
pendestare, Litanitë e Shenjtorëve, disa pjesë të Ritualit (per Sakramentin e Pagëzimit,
të Martesës), Urdhërimet e Zotit dhe pjesë tjera katekizmi e lutje për Meshët, për
tërë vitin e liturgjisë kishtare, ndër festa të luajtshme e të paluajtshme e për besimtarë
të vdekur e tjerë. Vështirë të përmbledhësh në pak rreshta vlerën e një libri
me histori të veçantë, prej të cilit ka mbetur vetëm një kopje, që ruhet në bibliotekën
Apostolike të Vatikanit, të cilit studiues të shumtë i kanë kushtuar studimet e tyre
si Atë Justin Rrota, M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, N. Jokli , , E. Çabej, I.
Zamputi, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj ,E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani e tjerë.
Së fundi nënvizojmë se vepra e Mesharit të Buzukut është zbuluar për herë të parë
në vitin 1740 në Kongregatën e Propagandës së Fesë në Vatikan nga një tjetër prift
katolikë shqiptar, dom Gjon Kazazi, i biri i Nikollë Kazazit nga Gjakova.