2010-01-04 17:42:15

Shkodër: përmbytjet në Dajç - situata emergente, por mund të mbahet nën kontroll


(04.1.2010 RV)"Është një situatë emergjente dhe kritike, por e manaxhueshme. Janë marrë të gjitha masat që kjo situatë jetë nën kontroll", u shpreh sot pasdite Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në qendër të komunës Dajç të rrethit të Shkodrës, një zonë në veriperendim të vendit që rezulton më e dëmtuara nga vërshimi i ujërave të lumit Bunë, për shkak të reshjeve të dendura të shiut të ditëve të fundit.
E shoqëruar nga Gjeneral Brigade, Maksim Malaj, prefekti i Shkodrës, Maxhit Cungu, kryetari i komunës Dajç, Arben Gjurja, znj. Topalli falenderoi në mënyrë të veçantë ushtrinë, policinë, të gjithë përfaqësuesit e pushtetit vendor, të cilët prej ditësh kanë punuar 24 orë në 24 orë në ndihmë të banorëve, si për shpërndarjen e ushqimeve, shpëtimin e gjësë se gjallë, ashtu dhe për vendosjen e barrierave të ujit.
Ajo falenderoi gjithashtu punonjësit e ujësjellësit dhe veçanërisht të KESH-it, të cilët prej javësh kanë filluar derdhjen e ujërave të hidrocentralit në mënyrë graduale, jo siç ka ndodhur vitet e tjera, kur përmbytja ka ardhur e menjëhershme.
Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht dhe deputete e Shkodrës e cila ka vizituar disa herë këtë zonë të përmbytur, i ftoi banorët e zonës që të vazhdojnë bashkëpunimin në mënyrë që të parandalojnë çdo të keqe të papritur.
Ajo ripërsëriti gjatë bisedës me banorët se situata kritike deri tani është menaxhuar shumë mirë dhe do të vazhdojë të menaxhohet me të njëjtin ritëm.
Në komunën e Dajçit, sipas të dhënave të shtabit të emergjencës, janë evakuuar deri tani 85 familje, ndërsa për shumë familje që nuk kanë pranuar të evakuuohen janë dërguar autokolona me ndihma ushqimore dhe medikamente mjekësore. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se në komunën e Dajçit janë përmbytur rreth 1000 ha tokë bujqësor. nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.