2010-01-04 17:09:07

Jemeni mund të kthehet në një Irak të dytë? Përgjigjet një pedagog i historisë amerikane


(04.01.2010 RV)RealAudioMP3 SHBA-të bien sërish në psikozën e atentateve. Episodi i fundit – paraditen e sotme në aeroportin e Njuarkut, i zbrazur krejtësisht për disa orë, pasi një burrë arriti të hyjë në zonën e nisjes, duke u shpëtuar kontrolleve. Ndërkaq, hapet një front i ri në luftën kundër terrorizmit. Është ai i Jemenit, ku është stërvitur atentatori, që gati hodhi në erë një avion amerikan në Detroit, pikërisht në ditën e Krishtlindjes. Në kryeqytetin jemenit, Sanaa, SHBA-të, Franca, Britania e Madhe dhe Japonia kanë mbyllur ambasadat për shkak të rrezikut të atentateve, ndërsa nga veriu i vendit vjen lajmi i një beteje me Al Kaidën, ku forcat qeveritare kanë vrarë dy milicë të organizatës terroriste. Mos vallë Jemeni do të kthehet në një Irak të dytë? I morëm një mendim pedagogut të historisë amerikane në Universitetin italian të Gjenovës, Ferdinando Fashe:
Ekziston një rrezik real, i përfaqësuar nga forcat e Al Kaidës në Jemen, ku janë prej kohësh. Do të thosha edhe se ekziston rreziku që administrata Obama të bjerë në kurthin e idesë së vazhdueshme se terrorizmi luftohet me llogjikën e luftës, e cila, herë pas here, mishërohet në një shtet të veçantë. Natyrisht, kjo ide zhvendoset në një terren të ndryshëm nga i mëparshmi, pasi sjellja e Obamës është e ndryshme, e ndryshme është edhe kultura e orientimi i tij bazë politik.
Uashingtoni e dinte prej kohësh se ç’rrezik mund të vinte nga Jemeni. Pse nuk ndërhyri më parë?
Mendoj se këtu kemi një problem të vërtetë sistemi. Ka vështirësi në koordinimin e informacionit – e pamë edhe në rastin e nigerianit të arrestuar në Detroit. Ka probleme koordinimi ndërmjet strukturave të ndryshme të shërbimeve amerikane si në nivelin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Mbetet gjithashtu fakti që ndërhyrja amerikane, si para 2001-shit, por sidomos pas këtij viti, është e orientuar nga llogjika ushtarake me pasojë reduktimin dhe keqësimin e veprimtarisë së shërbimeve të sigurimit.
Ç’duhet të presim për javët që vijnë?
Shpresojmë të mos realizohet hipoteza e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë ushtarake. Shpresojmë që Obama ta kuptojë, nga vështirësitë që po has në Afganistan, se duhet të forcojë, nga njëra anë, veprimtarinë e koordinuar të shërbimeve sekrete e nga ana tjetër, të mbështesë ato forca në zonën e Gjirit Persik e në Jemen, që i japin asaj mundësinë për zhvillim. Problemi i Jemenit është para së gjithash problem regjimi, i një regjimi të korruptuar, që jeton me naftën, e cila është e destinuar të mbarojë brenda shtatë viteve të ardhshme. Prandaj, duhet imagjinuar një lloj plani Marshall për të ndryshuar ekonominë e zonës.







All the contents on this site are copyrighted ©.