2010-01-02 17:04:17

Njerëzit e varfër e të vuajtur janë thesari i Kishës: editorial i Atë Lombardit


(03.01.2010 RV)“Të varfërit janë thesari më i çmuar i Kishës”: kjo shprehje e Papës, të dielën e kaluar, në mensën e Bashkësisë së Shën Egjidit, ngritur për të braktisurit e njerëzit që kalojnë çaste të vështira, është ftesë për t’iu përgjigjur fjalëve të Jezusit, i cili thotë: “Pata uri e më dhatë të ha; pata etje e më dhatë të pi; isha shtegtar, e më përbujtët; i zhveshur, e më veshët; i sëmurë, e erdhët të më shihni; isha në burg e erdhët të më takoni” (Mt 25, 35-36).
Pikërisht këtij thesari ia kushton Atë Federiko Lombardi editorialin për të përjavshmen informative të Qendrës Televizive të Vatikanit:

“Diakoni martir, Lorenci, i kërcënuar nga salvuesit, që donin të shtinin në dorë thesaret e Kishës së Romës, u tregoi atyre të varfërit, të cilëve u shërbente, duke u thënë: “Këta janë thesari ynë”. E kujtoi këtë, pak ditë më parë, Papa, duke vizituar mensën e Bashkësisë së Shën Egjidit për të varfërit dhe emigrantët.
Nuk do ta harrojmë bisedën e tij vëllazërore me ata, që i kishte pranë në këtë sofër, njerëz racash e gjendjesh të ndryshme, refugjatë, ciganë, handikapatë, të krishterë e myslimanë - e as përkëdheljet e fëmijëve me gjithfarë prejardhjesh e ngjyrash, e gëzimin e tij të sinqertë për pjesëmarjen në këtë festë solidariteti, por akoma më shumë, miqësinë pa kufij. Atyre që i thoshin se e shikonin si mrekulli praninë e tij në këtë sofër, ai u përgjigjej se mrekulli ishte takimi i përditshëm me histori e njerëz kaq të ndryshëm, që mund ta kuptojnë njëri-tjetrin vetëm falë gjuhës së përbashkët të dashurisë.
E nuk do t’i harrojmë as duart e të sëmurëve, të shtrënguara me ato të Papës, dy javë më parë, gjatë vizitës së tij në strehën për të sëmurë rëndë, invalidë e në çastet e fundme të jetës. Lutjet e pëshpëritura, bekimet e dala nga zemra, sytë e njomur nga lotët të të pranishmëve, në disa raste, në grahmat e fundme.
E presim me padurim edhe vizitën, që do të bëjë Papa në mensën e Karitasit pranë Stacionit qëndror të Romës, etapë tjetër e shtegtimit për t’u takuar me ‘thesaret’ e bashkësisë së krishterë.Faleminderit, Atë i Shenjtë, që e bashkoni me magjisterin tejet të lartë të fjalëve Tuaja edhe këtë të gjesteve të vetvetishme, të thjeshta, që flasin vetë. Që nga fillimi i papnisë na thatë se Zoti është dashuri. Ju falënderojmë që po na ndihmoni edhe ta shikojmë këtë dashuri!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.