2010-01-02 11:29:10

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të pas Krishtlindjes.
Ta hapim zemrën që Zoti të lind në ne!


(02.01.2010 RV) Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së II pas Krishtlindjes, të ciklit të dytë sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Kjo e diel na fton të vazhdojmë ta jetojmë gëzimin e Krishtlindjes. Jezusi, drita e botës, na propozohet të gjithëve si model jete. Urtia e Zotit e ka vendosur banesën e vet në mesin tonë për të ndarë bashkë me ne jetën tonë dhe për t’i ofruar të gjithë njerëzve mundësinë për t’u bërë si Ai. Pra, Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele që e zgjat në ne gëzimin dhe hirin e Krishtlindjes, na ofron mundësinë ta thellojmë misterin e Mishërimit të Zotit, do të thotë ta thellojmë kuptimin e ardhjes së Jezu Krishtit Zot në mesin tonë, me një vështrim drejtuar ndaj historisë sonë aktuale e konkrete. Me fjalë tjera, pas Lindjes së Jezusit, vjen koha e krishtlindjes tonë, sepse siç thotë Shën Ambrozi “ Edhe sikur Zoti të kishte lindur një mijë herë në Betlehem, por nuk lind në ty, atëherë ka lindur kot”, e pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Shën Gjoni pohon:” atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Zotit” (Gjn 1,1-18).
Pra, leximet biblike që i dëgjojmë në meshën e kësaj së diele, përsërisin e ilustrojnë në mënyra të ndryshme temën themelore: Zoti ka dashur të vendos me ne një marrëdhënie të thellë miqësie e dashurie, Zoti ka ardhur ndër ne për lumturinë tonë, për shpëtimin tonë, por “Zoti i cili na krijuar pa ne, pa bashkëpunimin tonë, Ai nuk na shëlbon pa bashkëpunimin e pa pjesëmarrjen tonë në veprën e Tij Shpëtimprurëse”, thotë Shën Agostini.
Në dashurinë e tij të madhe për botën, për njerëzimin, Hyji Atë vërtetë na ka dhuruar Jezusin, Urtinë i cili “dëshiron të ngul e të lëshoj rrënjë në mes të popullit të vet” që jemi je, sikur pohon leximi i parë i kësaj së diele nga libri i Siracidit (Sir 24,1-4.12-16). E leximi i parë nga libri i Siracidit, e lëvdon Urtinë, figurën e të Birit (Dritën) e të Shpirtit. Urtia na fton ta kërkojmë banesën pranë Zotit.
Secilin prej nesh Zoti e ka pa në një plan të përbashkët kur na ka zgjedhur e dashur që nga krijimi i botës dhe na ka thirrur të formojmë një Familje të vetme në Krishtin, pohon leximi dytë i kësaj së diele, marr nga letra e Shën Palit drejtuar Efezianëve (Ef 1,3-6.15-18). Leximi i dytë na ofron kundrimin e misterit të dashurisë së Zotit.
Plani i Atit Qiellor zbatohet përmes Jezu Krishtit, i cili vjen për të vendosur banesën ndër ne: Ai është i Njëlinduri që vjen e na zbulon dashurinë e Atit: ”nga plotësia e tij të gjithë ne morën, madje, hir mbi hir”, pohon leximi tretë i kësaj së diele nga Ungjilli i Shën Gjonit. (Gjn1,16).
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.
Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi.
Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji.
E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë. Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir.
Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet.
 
Fjala e Zotit!

Dëgjojeni programin kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele...RealAudioMP3

Homelia

Të dashur vëllezër e motra në Krishtin e të nderuar dëgjues të Radio Vatikanit, madhështia, bukuria, thellësia e Lindjes së Jezu Krishtit Zot nuk mund të shterët apo të soset në një kremtim liturgjik, qoftë ai edhe më i bukuri. Nevojitet e tërë historia e njeriut, historia e djeshme, e sotme dhe e nesërme, deri në mbarimin e kohërave për të tentuar e provuar të kuptojmë së paku ndonjë refleks, ndonjë fragment, e ta kapim zbatimin e ngadalshëm por të përhershëm të Krishtlindjes.
Ja se pse Kisha, që është rojtare xheloze dhe besnike e Misterit të fesë së krishterë, këtë të diele, na fton ta dëgjojmë përsëri pjesën ungjillore të Shën Gjonit mbi Mishërimin e Fjalës së Zotit, që kundron pasojat e veta të dritës, të së vërtetës e të hirit, mbi njerëzimin mbarë.
Prandaj, Kisha na fton të lutemi që, të ndriçuar nga Shpirti Zotit, të dimë të shohim veprën dhe dorën e Zotit të pranishëm në historinë e çdo njeriu e të mbarë njerëzimit.
Shën Gjoni në Ungjillin e kësaj së diele na ofron një meditim të mbi historinë: të kësaj historie që na mahnit e shkandullon! Gjoni shikon nga lartë e, në fillim të çdo gjëje, ai e sheh Zotin në misterin e bashkimit të Tij të dashurisë: “Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin”. Do të thotë se, në fillim të çdo sendi është Zoti që dashuron, ekziston Zoti-Dashuri.
Menjëherë pas, Gjoni e shikon botën dhe vëren se bota është e krijuar prej Hyjit pikërisht sipas shëmbëllesës së Birit të Zotit.
Çka do të thotë e gjithë kjo? Do të thotë se bota është si një “Bir i Zotit”, me fjalë tjera në krijimin e botës ekziston një plan, një projekt, një qëllim i Zotit: atëherë bota ka një kuptim, atëherë jeta e njeriut ka një qëllim.
Kjo e vërtetë është ngushëlluese për ne!
Ne nuk jemi qenie të humbura e të tretura në hapësirë, por bijë të Zotit: të menduar, të dashur, të kërkuar, të dashuruar nga Zotit për një cak, atë të jetës së amshuar.
Ky është vizioni ynë i jetës dhe pikënisja që e dallon besimtarin prej ateistit: për ateistin bota është një lojë e shkaqeve irracionale, jeta është një pikë e përbërë prej vitesh që bien në zbrazëti; prandaj për ateistin është lehtë të kalosh në ide të përkohshme e në përbuzje të jetës. Nuk është kështu për besimtarin: nëse është besimtar i vërtetë!
Shën Gjoni ungjilltar, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele shton menjëherë se është vështirë të pranohet plani i Zotit, çka do të thotë se është vështirë të jemi besimtarë të vërtetë: feja është një betejë e vërtetë me veten e me krenarinë personale kundrejt planit të Zotit e Dritës së Tij Hyjnore; feja do të thotë të dorëzosh jetën në dorë të Zotit, feja do të thotë të lejosh të të udhëheq Ai, Krishti Zot i Mishëruar.
Të besosh në Zotin është e vështirë! Ndoshta të gjithë besojmë më pak se sa e pranojmë se besojmë. Për këtë Shën Ulka, në Ungjillin e tij, na njofton për një pyetje të jashtëzakonshme që i bën Jezusit: “Kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të do të gjejë fe mbi tokë?” ( Lk 18,8).
E Ungjilli nuk jep përgjigje: përgjigjen duhet ta jep secili prej nesh.
Po cila është përgjigja jonë? Të lejojmë të ndriçohemi prej së Larti e të mendojmë mirë e mirë, pastaj ta vështrojmë jetën në Dritën e Zotit e të përgjigjemi me sinqeritet...në heshtje...ti përgjigjemi Zotit, sepse është çështje vendimtare. Pse?
Shën Gjoni në Ungjillin e kësaj së diele vazhdon e thotë: “Krishti është jeta. Krishti është drita e njerëzve: drita e tij shndrit, por errësira nuk e pranoi”.
Janë fjalë të shpejta, mirëpo në to kemi përmbledhjen e tërë historisë njerëzore brenda së cilës protagonistët janë Zoti e njeriu.
Gjoni nënvizon se njeriu, nëse do, mund të vihen kundër Zotit, mirëpo, duke bërë kështu, njeriu e përjeton errësirën dhe përqafon vdekjen. Vërtetë Zoti është jeta: ekziston mundësia të mbyllemi para Zotit, është e mundshme ta refuzojmë e mohojmë Zotin, por pa Zot njeriu nuk ka jetë, ai vdes; pa Zot jeta shndërrohet në dënim.
E megjithatë shpesh ndodhë kështu me shumëkënd!
Sa njerëz dënohen me errësirë, me mungesë të kërkimit të kuptimit të jetës, me mungesë të kërkimit të paqes, me mungesë të dashurisë..sepse refuzojnë të besojnë në Zotin. Problemi i vetëm e serioz i jetës, vërtetë është të gjesh rrugën e Zotit, çka do të thotë të gjesh rrugën e jetës së vërtetë. Të lejojmë që Drita e Zotit të depërtojë në zemra e në shpirtin tonë, që ka kemi Jetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.