2010-01-01 17:14:24

Në Solemnitetin e Marisë, Nënë e Zotit, Ditë e 43-të Botërore e Paqes, thirrja e Benediktit XVI për një botë pa dhunë, vërtetë të denjë për njeriun.


(01.01.2010 RV)“Përballë fëmijëve të pafaj, viktima të pambrojtura të dhunës, shemben të gjitha justifikimet e rreme të luftës”: këtë pohoi sot paradite Benedikti XVI gjatë Meshës, kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, për Solemnitetin e Nënës së Zotit e Ditën e 43-të Botërore të Paqes. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pastaj, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me njerëz, pavarësisht nga shiu i rrëmbyer, thirrja e fuqishme drejtuar atyre që zgjedhin rrugën e armëve, për të hequr dorë nga dhuna.
Duke shikuar mijëra fytyra fëmijësh të shpërfytyruara nga dhuna, njerëzit duhet t’i ulin armët, të heqin dorë nga dhuna e t’i kthejnë planet e luftës, në plane paqeje. Për këtë bëri thirrje Benedikti XVI. Në Meshën për Solemnitetin e Marisë, Nënë e Zotit, Papa vuri në qendër të homelisë, temën e Fytyrës së Hyjit e të fytyrave të njerëzve. Është një temë – shpjegoi Papa – që na ndihmon të kuptojmë si mund të zgjidhet problemi i paqes, një nga më të mprehtët në jetën e njerëzimit, me pasoja të rënda e të paparashikueshme për secilin nga ne:
 
I gjithë tregimi biblik – vijoi Papa – mund të lexohet si zbulim i vazhdueshëm i fytyrës së Hyjit, derisa arrin në dëftimin e vet të plotë në Jezu Krishtin. Fytyra e Zotit merr pamjen e fytyrës së njeriut – shtoi – e Maria ishte e para, që e pa këtë fytyrë, të bërë njeri në kraharorin e saj:
“Nëna ka një lidhje krejt të veçantë me fëmijën e vet të posalindur: lidhje e pashoqe, që i përket vetëm asaj. Fytyra e parë që shikon foshnja, është ajo e nënës, e ky shikim është vendimtar për lidhjen e tij me jetën, me vetveten, me të tjerët, me Hyjin; është vendimtar edhe për ardhmërinë e tij, që të mund të bëhet ‘bir i paqes”.
Foshnja Hyjnore – tha Papa, duke kujtuar ikonografinë bizantine – shikon Nënën, e Nëna na shikon ne, duket sikur mendon për ata që e sodisin e i lutet për ta dashurisë së Hyjit, zbritur në Të nga qielli e mishëruar në këtë Bir njeriu, të cilin ajo mban grykë. Lidh, kështu, misterin e fytyrës së Hyjit e të njerëzve, me paqen:
“Paqja nis që nga shikimi plot respekt, që njeh në fytyrën e tjetrit njeriun, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, kombësia, gjuha, feja (...); në të vërtetë, vetëm në se e kemi Zotin në zemër, jemi në gjendje të shikojmë në fytyrën e tjetrit vëllaun, i cili është njeri si ne; nuk është mjet, por qëllim; s’është kundërshtar as armik, por një tjetër vetvete, një iskër e misterit të pafundmë të qenies njerëzore”.
Kush e ka zemrën bosh – reflektoi më pas Papa – percepton vetëm figura të sheshta, pa kurrfarë thellësie. Sa më shumë të banojë ndër ne Zoti, aq më shumë e vërejmë praninë e tij në gjithçka, që na rrethon: në të gjitha krijesat e posaçërisht, në njerëzit e tjerë, megjithëse nganjëherë e kemi tejet të vështirë ta pranojmë e ta vlerësojmë si dëftim të Zotit, fytyrën e njeriut, mbi të cilën ashpërsia e jetës dhe e keqja kanë lënë vulën e vet shqetësuese. Prej këndej lind nevoja të përmendim fytyrën e një Ati të përbashkët, që na do, e të edukohemi që në moshë të njomë për ta respektuar tjetrin, edhe atëherë kur ndryshon krejtësisht nga ne:
“Tashmë është krejt e zakonshme përvoja e klasave shkollore të përbëra nga fëmijë të kombeve të ndryshme, por edhe kur kjo përvojë mungon, fytyrat e tyre janë profeci e njerëzimit që duhet të formojmë: familje e familjes së popujve”.
Sa më të vegjël të jenë këto fëmijë – vërejti Papa – aq më shumë na mahnisin me pafajsinë e tyre. Pavarësisht nga larmitë, ata qajnë e qeshin, komunikojnë e losin njëlloj, si të mos kishin kurrfarë ndryshimi:
“Fytyrat e fëmijëve janë si pasqyrimi i fytyrës së Zotit mbi botë. Pse, atëherë, t’ua nxijmë buzëqeshjet? Pse t’i vrerosim zemrat e tyre? Mjerisht ikona e Nënës së Zotit të dashurisë shikon të kundërtën e vet tragjike në figurat e shumë fëmijëve e të nënave të tyre, të lënë në mëshirën e luftërave e të dhunës; refugjatë, emigrantë, të detyruar të braksinin gjithçka”.
Fytyrat e vogëlushëve të pafajshëm, kockë e lëkurë nga uria e nga sëmundjet, nga dhimbja e nga dëshpërimi – pohoi Papa – kthehen në thirrje të heshtur, që na drejtohet të gjithëve:
“Përballë gjendjes së tyre pa asnjë mbrojtje, shemben të gjitha justifikimet e luftërave e të dhunës. Duhet t’i shndërrojmë në plane paqeje, t’i ulim armët e të gjitha tipeve e të impenjohemi, të tërë së bashku, në përpjekjen për të ndërtuar një botë më të denjë për njeriun”.
E këtu Papa u ndalua tek tema e Ditës Botërore të Paqes, me titull: “Në se do të kultivosh paqen, ruaje gjithësinë’, duke bërë thirrje që impenjimi për ruajtjen e mjedisit, të shndërrohet vërtetë në edukim për paqen e në vepimtari për ndërtimin e saj.

Për mbrojtjen e mjedisit Papa foli edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Kusht i domosdoshëm për paqen – tha – është ai mbarështimit me drejtësi e urti të pasurive natyrore të tokës. Duke kujtuar Takimin e rangut të lartë të Kopenhagës, kushtuar klimës, vuri theksin mbi urgjencën e orientimeve të përqendruara mbi planin global. Por edhe pohoi se mbrojtja e ambientit nis me respektimin e jetës njerëzore. Më pas iu drejtua atyre, që kanë zgjedhur rrugën e dhunës, duke u bërë thirrje të drejtpërdrejtë për kthesën e madhe të zemrave:
“Në ditën e parë të vitit, dëshiroj t’u drejtoj thirrjen time ndërgjegjeve të atyre, që bëjnë pjesë në grupet e armatosura të të gjitha tipeve. Të gjithëve e secilit prej tyre u them: ndaluni, reflektoni e hiqni dorë nga rruga e dhunës! Këtë çast një hap i tillë mund t’ju duket i pamundur, por në se do të keni guximin ta bëni, Zoti do t’ju ndihmojë e do të ndjeni sesi në zemrat tuaja do të rikthehen gëzimi e paqja, që ndoshta i keni harruar prej kohe”.
Këtë thirrje Papa ia besoi ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, Nënës së Zotit, që nxori në dritë Shëlbuesin, Princin e Paqes.E në përfundim të Lutjes, Benedikti XVI u drejtoi të gjithëve urimin e tij për një vit të ri të paqësor, të mbarë e të mirë:
“U uroj të gjithëve ta ruajnë në zemër, çdo ditë të këtij viti, paqen që na dhuroi Krishti. Gëzuar Vitin e Ri!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.