2010-01-01 17:14:45

Mesazhi i Papës për Ditën 43-të Botërore të Paqes: ‘Bota do të ketë paqe, në se njerëzit do ta ruajnë me përgjegjësi gjithësinë’.


(01.01.2010 RV)Respekti për gjithësinë dhe mbrojtja nga pakujdesia ose nga shpërdorimet, viktimë e të cilave është shpesh ambienti, sot duhet parë si detyrë themelore për bashkëjetesën paqësore të njerëzimit. E kjo është edhe teza kryesore, të cilën Benedikti XVI e pohon dhe e zhvillon në Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes, me titull “Në se do të kultivosh paqen, ruaje gjithësinë’, që po kremtohet sot, më 1 janar 2010.
Mesazhi, me 14 pika kryesore, hyn në zemër të problemeve politiko-financiare, shkaktuar nga kriza, por edhe të marrëdhënieve ndërmjet kombeve të pasura e atyre të varfëra e të sjelljeve kolektive dhe individuale, që vënë në rrezik shëndetin e Planetit. E bën thirrje për qeverisjen e përgjegjshme e të përbashkët të ambientit e të pasurive të tij, duke respektuar gjithësinë, në të cilën shohim qartë gjurmët e vetë Zotit.
Gjëja e parë që të prek, është vetë titulli, zgjedhja e vetës së dytë njëjës, në vend të një shumësi të papërcaktuar, për të nënvizuar se ajo që ka më shumë rëndësi, është të pranosh përgjegjësinë personale e cila – pohon disa herë Benedikti XVI - u përket njëlloj si shteteve, ashtu edhe individëve; si të pasurve, ashtu edhe të varfërve. Asnjeri nuk mund ta quajë veten dorëjashtë. “Në se do të kultivosh paqen, ruaje gjithësinë’ - thekson Papa. Përveç tjerash, në titullin e mesazhit, tek lidhja shkak-pasojë shikon dy aspekte, të cilat në dukje nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin: atë të paqes në botë e të kujdesit për mjedisin. Përkundrazi – shpjegon Papa, dokumentet e Kishës dëshmojnë se prej më se njëqind vjetësh papët e kanë kuptuar thellë dhe e kanë nënvizuar këtë lidhje të ngushtë. E pati bërë këtë Leoni XIII, me enciklikën e tij të njohur “Rerum Novarum”; e pati ripohuar, pastaj, Pali VI, duke shkruar qartë: “Në se njeriu, në vend që ta mbarështojë natyrën, sillet me të si të ishte pronar, krijon rrezikun ta shkatërrojë e të bëhet edhe ai vetë viktimë e këtij degradimi”.
E Gjon Pali II, 20 vjet më parë, shkruante: “Vërejmë si në ditët tona po rritet vetëdija se paqja botërore kërcënohet… edhe nga mungesa e respektit, që duhet të ketë njeriu për natyrën”. Pse kjo lidhje?

Benedikti XVI e dëshmon duke vënë gishtin mbi një kategori, tipike për epokën tonë, atë të refugjatëve ambientalë. Si të mos vërejmë – pyet Papa - se këto njerëz, për shkak të degradimit të mjedisit ku jetojnë, detyrohen të largohen – shpesh duke marrë me vete gjithçka kanë - e të përballojnë rreziqet e situatat e panjohura të zhvendosjes të detyruar? E akoma: Si të mos reagojmë përballë konflikteve, në zhvillim e sipër e të atyre, që lidhen me shfrytëzimin e burimeve natyrore? Në se - nënvizon Papa - këtyre problemeve u shtohen edhe problematikat që rrjedhin nga fenomene si ndryshimet klimaterike, zgjërimi i kufijve të shkretëtirës, degradimi dhe shterpësia e zonave të gjëra bujqësore, ndotja e lumenjve dhe e shtresave ujëmbajtëse, humbja e biolarmisë, shpeshimi i katastrofave natyrore, shpyllëzimi i zonave ekuatoriale e tropikale, bëhet krejt e qartë – pohon Benedikti XVI – se jemi përballë çështjeve, që kanë ndikim të fortë mbi ushtrimin e të drejtave të njeriut, siç është, për shembull, e drejta për jetën, për ushqimin, për shëndetin, për zhvillimin. Do të ishte urti – këshillon Papa - të punohej për rishikimin e thellë e largpamës të modelit të zhvillimit, e jo më pak, të reflektohej për domethënien e ekonomisë e të qëllimeve të saj, që të korrigjohen, kështu, çrregullimet e shtrembërimet në mënyrën e funksionimit.

E këtu Papa analizon edhe pasojat. Krizat, që po pëson sot njerëzimi, ekonomike qofshin apo ambientale, ushqimore apo shoqërore, janë – mendon Benedikti XVI – edhe kriza morale, të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Problemi duhet kërkuar në zemrën e njeriut, i cili – shpjegon Papa - duke harruar pse e dërgoi Zoti mbi tokë, nisi të sillej me gjithësinë si padron, si shfrytëzues, si sundimtar absolut, duke e tiranizuar, në vend që ta mbarështonte. Këtë e provojnë masat që, në vende e zona të ndryshme të planetit, detyrohen të përballojnë vështirësi në rritje, për shkak se shumë njerëz e trajtojnë me çkujdesje ambientin, ose e shfrytëzojnë fare pa përgjegjësi. Shumëkush harron se pasuria e gjithësisë i përket mbarë njerëzimit e se sot burimet e tokës shfrytëzohen me një ritëm – qorton Benedikti XVI – që i vë seriozisht në rrezik rezervat, jo vetëm për breznitë e sotme, por edhe e sidomos, për ata që do të vijnë. Nuk është e vështirë, atëhere - kujton Papa – të vëresh se degradimi i ambientit është shpesh herë rezultat i mungesës së projekteve politike largpamëse ose i mbrojtjes së interesave dritëshkurtëra ekonomike të cilat, për fat të keq, shndërrohen në kërcënim për gjithësinë.

E Papa në vijim kujton se kur shfrytëzohen burimet natyrore, në radhë të parë duhet të shqetësohemi për mbrojtjen e tyre, duke parashikuar edhe koston – në terma ambientale e shoqërore – që duhet vlerësuar si zë themelor i kostos së përgjithshme të veprimtarive ekonomike. E shton: i takon bashkësisë ndërkombëtare dhe qeverive kombëtare të japin sinjalet e duhura për t’iu kundërvënë me sukses mënyrave të përdorimit të ambientit, të cilat nuk e shfrytëzojnë, por e dëmtojnë atë. Është një betejë, që duhet luftuar me rregulla të mirëpërcaktuara edhe në këndvështrimin juridik dhe atë ekonomik e, sidomos, në atë të solidaritetit të domosdoshëm për të gjithë njerëzit, që banojnë në zonat më të varfëra të tokës e për breznitë e ardhshme. Solidaritet – ngulmon Benedikti XVI. E ky solidaritet ka të bëjë si me marrëdhëniet ndërbreznore, duke i nxitur breznitë e sotme të punojnë me përgjegjësi për ato të ardhshmet, ashtu edhe me marrëdhëniet brëndabreznore, sidomos ndërmjet vendeve në rrugë zhvillimi e vendeve të industrializuara. E kjo sepse, kush merret me ambientin, duhet të ketë një vizion të gjërë e global të botës. Njëkohësisht duhet bërë një përpjekje e përbashkët e plot përgjegjësi për të kaluar nga logjika e përqendruar mbi interesat egoiste nacionalistike, tek një vizon, që përfshin gjithnjë nevojat e mbarë popujve. Por, me një përjashtim. Në se – vijon Papa - është e rëndësishme të pranohet, ndërmjet shkaqeve të krizës së sotme ekologjike, përgjegjësia historike e vendeve të industrializuara, nuk duhet menduar se ata më pak të zhvilluara e, në pëgjithësi, më emergjente, përjashtohen nga përgjegjësia e tyre ndaj gjithësisë, sepse detyra për të adoptuar gradualisht masa e politika ambientale efikase, u përket të gjithëve, pa asnjë përjashtim.

Pjesa tjetër e mesazhit u kushtohet vlerave të kërkimeve shkencore e teknologjike, që favorizojnë sistemin e shfrytëzimit të drejtë të pasurive të tokës, përmes koordinimit më të mirë në nivel ndërkombëtar, duke gjetur rrugëzgjidhje të kënaqshme e të harmonishme për marrëdhëniet ndërmjet njeriut e mjedisit. Duhen inkurajuar – vijon Papa – kërkimet në fushën e energjisë diellore, duhet treguar kujdes për çështjen e ujit në shkallë planetare, duhen gjetur strategji për zhvillimin e fshatit e duhen menduar edhe politika të përshtatshme për mbarështimin e pyjeve, për trajtimin e mbeturìnave, për t’iu kundërvënë ndryshimeve klimaterike dhe për të luftuar kundër varfërisë. Mbi të gjitha, për Papën është e domosdoshme të ndryshohen stilet e jetesës, modelet e konsumit e të prodhimit aktual. Prandaj Ati i Shenjtë i fton institucionet e niveleve të ndryshme, subjektet e shoqërisë civile dhe organizatat jo- qeveritare, të punojnë për ndryshimin e mendësisë, për një qëndrim të vetëdijshëm ekologjik.

Kisha – siguron Benedikti XVI – është në vijë të parë në frontin e sensibilizimit e të formimit të ndërgjegjeve në këtë drejtim, sepse – lexohet në Mesazh – kur respektohet ekologjia njerëzore në shoqëri, përfiton edhe ekologjia ambientale. Gjithësia ka gramatikën e vet e Kisha i fton të gjithë ta mësojnë e ta respektojnë, sepse është gramatika përmes së cilës, duke u nisur nga Zoti e përmes Kryqit të Krishtit, Shpirti Shenjt i udhëheq historinë e njerëzit drejt ditëve kur ‘do të përurohen qiej të rinj e tokë e re’. E në këtë vizion, kuptohet edhe më mirë urimi konkret i Papës, kur kërkon ‘adoptimin e një modeli zhvillimi, që bazohet mbi qendërsinë e njeriut, mbi promovimin e së mirës së përbashkët, mbi ndarjen e drejtë të pasurive, mbi përgjegjësinë, mbi vetëdijen e ndryshimeve të nevojshme të stileve të jetesës e mbi vetëpërmbajtjen.Virtyt ky – përfundon Papa – i cili tregon aktet që duhen kryer sot, si parashikim për atë, që mund të ndodhë nesër!







All the contents on this site are copyrighted ©.