2009-12-31 14:24:41

Sonte lutja e falënderimit drejtuar Zotit, ‘Te Deum’ kryesuar nga Papa për fundin e Vitit. Nesër Dita Botërore e Paqes, kushtuar temës së mjedisit.


(31.12.2009 RV)Sot në ora 180.00 Papa Benediktit XVI kryeson në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan uratët e para të Mbrëmësores të solemnitetit të së Shenjtnueshmes Nënës së Zotit që kremtohet më 1 janar si dhe lutjes së falënderimit e mirënjohjes drejtuar Zotit, "Te Deum", në fund të vitit. Kjo lutje e lashtë kishtare ‘Te Deum’ kremtohet në të gjitha Katedralet e Kishat famullitare të botës katolike në frymën e lutjes e të meditimit për një Vit që kaloi e një tjetër Viti të Ri që vjen, ngarkuar me ditët e veta ende të pajetuara.
Jehona e thellë e lajmit ungjillor të Krishtlindjes, e përfocuar nga Mesazhi për Ditën e 43 Botërore të Paqes me temën “Në se do të kultivosh paqen, ruaje gjithësinë’, që Papa Racinger ua dhuron të krishterëve e të gjithë njerëzve për Solemnitetin e sivjetëm, shoqëron dhe orienton edhe reflektimet shpirtërore të fundit të vitit.
E sonte, gjatë kremtimit të lutjeve të para të Mbrëmësores, kushtuar festës të Shenjtnueshmes Nënës së Zotit, Benedikti XVI larton në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në emër të Kishës universale, lutjen e falënderimit e të mirënjohjes drejtuar Hyjit, ‘Te Deum-in’ në përfundim të një viti të pasur me hire e bekime, pa harruar vështirësit, kobet e shkaktuara nga episodet e rënda të dhunës e të luftës.
Në Jezu Krishtin, Hyji Atë Qellor deshi të na çlirojë nga mëkati e të na bëjë bij në shpirt. Me Virgjërën Mari gjunjëzohemi në adhurim përpara një misteri kaq të madh. Kjo është ndjenja që pushton shpirtin tonë, në festën e Solemnitetit të sotëm, duke kujtuar se kjo festë mariane përkon me ditën e fundi të vitit. Prandaj sonte, kundrimit të misterit të Amësisë Hyjnore të Virgjërës Mari, i shtojmë këngën e mirënjohjes sonë Zotit për përfundimin e vitit 2009, derisa në horizontin e historisë duket viti 2010.
Ta falënderojmë Zotin nga thellësia e zemrës për të gjitha të mirat që na ka dhuruar gjatë 12 muajve të kaluar, që shtuan radhët e të rinjve të krishterë, rritën ndjeshmërinë për vlerën e paqes, të jetës e të mbrojtjes së ambientit, nxitën hapa domethënëse përpara në rrugën jo të lehtë të pajtimit e afërimit vëllazëror mes njerëzve, bashkësive, popujve.
Në këtë liturgji të fundvitit, lavdërimi e falënderimi drejtuar Zotit, shoqërohet edhe me një rrëmim të sinqertë të ndërgjegjes personale e asaj komunitare. Të gjithë t’i kërkojmë falje Zotit për mungesat e për fajet, të sigurtë se Hyji, është Hyji i përdëllimit, se dashuria e Tij është më e madhe se fajet e mëkatet tona.
Në Ty shpresuam; në Ty, o Zot, do ta mbështesim rishtas shpresën tonë - ripohojmë në këtë natë feste - Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde, të cilën s'ka forcë që mund ta shuajë. Bëj që çdo njeri vullnetmirë të provojë dashurinë e paqen e Zotit.
Kremtimi, që fillon në orën 18. 00, do të kremtohet brenda bazilikës së Vatikanit, ashtu si vitet e kaluara. Në se, nga njëra anë, kjo zgjedhje krijon një farë shkëputjeje prej një tradite të lashtë, sipas së cilës Te Deum kremtohej në kishën romake të Jezusit, nga ana tjetër krijon mundësitë që një numër shumë më i madh shtegtarësh e besimtarësh romakë - nga viti në vit gjithnjë e më të shumtë - të marrin pjesë, së bashku me Papën, në lutjen e falënderimit drejtuar Zotit për të gjitha ditët e një viti që përfundon, e për t'i hapur rrugën një Viti të Ri.

E siç pohon edhe kalendari, Koha kalon dhe rrjedhja e saj e pandalur na nxit t’i sjellim sytë me mirënjohje të thellë nga Hyji, që është i Amshuar, që është Zoti i kohës e i jetës.
Fjala e Mishëruar e shndërron nga brenda jetën njerëzore. Zoti u bë si ne, për të na bërë si veten, bij në Birin, njerëz të liruar nga ligji i mëkatit. A nuk është kjo një arsye e fortë që na shtyn t’i lartojmë Hyjit falënderimin tonë? Një falënderim që fiton vlerë të veçantë në mbarim të një viti, në sa kujtojmë ndihmën e Zotit që s’na mungoi kurrë gjatë 12 muajve të kaluar.
Ja sepse çdo bashkësi e krishterë sonte mblidhet për t’i kënduar Zotit himinin ‘Te Deum’, gëngën tradicionala të lavdërimit e të veprimit të hirit të të Shentjnueshmes Trini.
E duke e kënduar të lutemi:
Ndihmoi bijtë e tu, o Zot, që i shpërbleve me gjakun tënd të çmuar. Mbroji, me mëshirën tënde, banorët e qytetit tonë, në të cilin, ashtu si gjetiu, mbi jetën e njerëzve e të familjeve peshojnë rëndë mungesat e varfëria, ta shikojnë me besim ardhëmërinë.
“Ti je shpresa jonë! S’ do të jemi të pështjelluar në amshim!”.
Himni madhështor ‘Te Deum’ mbyllet me këtë brohori feje e besimi të plotë në Hyjin e me këtë shpallje solemne të shpresës sonë, përmes së cilës na bën thirrje ta shikojmë shpresën tonë kryesisht si shpresë për të tjetrët , për të gjithë njerëzit.T’i lutemi pra Zotit ta bëjë secilin nga ne, tharm të vërtetë shprese në mjediset e ndryshme, që të mund të ndërtohet për të gjithë një ardhmëri më e mirë. E ky është urimi jonë për të gjithë Natën e një Viti të Ri, urim që ia besojmë ndërmjetësisë amtare të Marisë, Nënës së Hyjit e Yllit të shpresës!.

Kujtojmë se nesër, më 1 janar, duke nisur nga ora 10. 00, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Nënës së Zotit po në Bazilikën e Shën Pjetrit, prej nga do të përhapet në mbarë botën mesazhi papnor për Ditën e 43-të Botërore të Paqes 2010. Është një ditë, ndikimi i së cilës, sipas dëshirës së Papës, duhet të zgjatë tërë vitin, e prandaj Ati i Shenjtë Jozef Racinger na fton të gjithëve ta lexojnë e të thellohen në kuptimin e fjalëve që përbëjnë titullin e mesazhit: “Në se do të kultivosh paqen, ruaje gjithësinë’.







All the contents on this site are copyrighted ©.