Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Shën Silvestri”.
(31.12.2009RV)Emisioni i 28-të dhe i parafundit i rubrikës “Shtigjeve të Krishtlindjes”,
titullohet “Shën Silvestri”. Shën Silvestri është një shenjt shumë i njohur.
Emri i tij është bërë tashmë sinonim i festës së fundit të Vitit, jo sepse ishte njeri
gazmor, ashtu si është festa e ndërrimit të viteve, që i mbush njerëzit me shpresa
të reja për një kohë të re, por thjeshtë sepse vdiq më 31 dhjetor të vitit 335 dhe
nisi menjëherë të nderohej si shenjti i Romës. Me emrin e tij lidhen ngjarje të rëndësishme
për Qytetin e Amshuar e për krishtërimin. Silvestri qe papë në kohën e Perandorit
Kostandin, që u njohu të krishterëve lirinë e kultit. Gjatë papnisë së tij, reformoi
kalendarin dhe përdori për herë të parë shprehjen e përgjithshme “ditët e javës”,
në sa para tij i kushtoheshin perendive pagane. Prej këndej, në festën e tij, prindërit
i kujtojnë bijave e bijve: “Shiko, bija ime e edhe ti, biri im Po
të dhurohen 365 ditë të reja. Kushtoja Perëndisë së vërtetë e ai do të t’i mbushë
plot me gëzim!”. Nuk dua të më tregosh,
o Zot, sesi do të jetë e nesërmja, e as në se ëndrrat do të mbeten ëndërr apor
do të bëhen jetë. Në se fara e hedhur nëpër hullitë e ditëve do të lulëzojë, apor
do të kalbet pa mbirë? E ditë e farë do të vdesin njëherësh me shpresën? Veç
ti e di në se do ta korr farën që hodha. Apor në të korra, korrësi nuk
do t’ia dijë se ç’bëri ai që mbolli? Po t’i mblatoj, o Zot, të gjitha thesaret, që
ndryhen në ditët e mia: gjumin e netëvee dritën e ditëve kur në sofër ulem bashkë
me të mitë, për të thyer bukën, për të pirë kupën, herë me verë e herë
me vrer! Vetëm një gjë të kërkoj. Veç për një gjë të lutem: Zoti im, mos
më lësho kur fryn e shfryn stuhia! Por edhe atëherë, kur dielli ndrin mbi
ditë e hëna përmbi netë. Më ndihmo të bëhem ashtu si ty të pëlqen. Rrënjët
t’i lëshoj mbi Shkëmb!
Kryeviti
Mos prit nga
unë, Zoti yt, që të hapi dyert e thesareve. Por në se dëshiron, do të
mësoj udhët e takimit; me to, edhe të mahnitjes, të së papriturës. Atëherë,
ndoshta, do të nxësh se s’ jam gjithnjë atje ku më pret! Kur ti mendon se
më gjete, Unë jam gjetiu!
Jam tjetri, krejtësisht Tjetri. Edhe në
muzg të jetës, kur ti mendon se e ke thënë gjithçka, do të të zbuloj mundësi
të reja! Të presin ende përpara, se shtigjet nuk kanë fund!
Në se kalon
përmes natës, do të zbulosh një qiell plot yje: hapësirë ku s’mund të shkelësh, tension
drejt Absolutit, që të vë për udhë. E hijen do t’ia shohësh në mes të hënës
së plotë, në zhumhurin e valëve, e në vallen e yjeve! Ylli ikën larg ligësisë, lë
pas Kashtën e Kumtrit, udhë e bardhë si qumështi, në univers pa anë, ku
ndizen të gjitha flakët: flakë vatrash e flakë zemrash që Hyjin kanë për Zot! Ai
sot përpara teje po hap një fletë të re, në kalendarin e kohëve!