2009-12-30 18:12:08

Kujtojmë Atë Gjergj Fishtën, në 69 vjetorin e kalimit në shtëpinë e Atit qiellor.


(30.12.2009 RV) 69 vjet më parë, në Shkodër, mbylli sytë Poeti Kombëtar, Atë Gjergj Fishta. I ndaluar ose i lejuar, ai shpalos vazhdimisht para syve të lexuesit, faqe të reja të personalitetit të tij vigan, të gjenisë së tij, që nuk ishte vetëm fryt i talentit, por edhe e sidomos, i vullnetit të hekurt për punë, gjë që e dëshmojnë mijëra vargjet e rreshtat, të cilat ia la trashëgim kulturës kombëtare.
Sot, duke e përkujtuar në 69- vjetorin e vdekjes, po ndalemi në disa prej tipareve të karakterit të Poetit, që na zbulohen përmes botimit më të fundmë: Tetë Letra, shkëputur nga korrespondenca e tij me Atë Pal Dodajn, provinçal i parë shqiptar i Provinçës së Zojës Nunciatë - dërguar më 27. 12. 2009 gazetës “Shekulli” nga Atë Viktor Dema ofm. Nji pjesë e këtyre letrave janë përmbledhur në veprën: “Fishta: Estetikë dhe Kritikë”, Hylli i Dritës, Tiranë 1999, përkthyer nga Dr. Persilda Asllani, me redaktor Dr. Aurel Plasarin.
Letra e parë, shkruar në Shkodër, më 5 . 02. 1908, na kujton se Atë Fishta njihet si Homeri i fundmë i Evropës.
…Për pjesën e III të Lahutës – i shkruan Atë Palit - ende nuk kam mújt me e projektue përvijimin. Nuk due me u ngutë, sepse dëshiroj të bâj punën si duhet bâ. Për me krye Iliaden, janë dashtë shumë shekuj: për me shkrue Lahutën të kalojnë të pakten do vjet…”.
Tek Letra e dytë, shkruar më 02. 07. 1909, spikat fillimi i sëmundjes së zemrës, që do ta çonte në varr 69 vjet më parë:
“Shetitja në Nenshat kje e dhimbshme, sepse prej asaj dite e në vijim kanë fillue të duken në mue shejet e para të smundjes së zemres. Çka do të bante Pali i em, atëherë kur nuk do te ishte mâ në jetë Gjergji, që herë pas here i shkruen fjalë miqësie?”.
Letra e tretë, shkruar në Shkoder, më 10. 11. 1909, flet për thjeshtësinë e Poetit të madh, që nuk krenohej kurrë, ndonëse kishte të drejtë më shumë se kushdo, sepse pëveç shkrimit, ai kishte shumë punë të tjera më të rëndësishme. Nuk duhte harruar: ishte meshtar! Pasi flet për për përfundimin e dramës Shën Françesku i Asizit vetëm për 12 ditë dhe e krahason veten me poetin italian, Metastasio, shton:
“Në 12 dit ... kam shkrue 1200 vargje njimbëdhetërrokshe e shtatërrokshe Metastasio ka kompozue në 18 dit nji melodram me rreth 1500 rreshta. Unë kam pasë në kujdes gjuhën shqipe, koret, meditimet, Meshët konventuale, shkollën, shqetësimet e të afërmve, etj. etj., dhe mund të them se kam mbërrijtë nji “rekord” në poezinë tonë. Por - larg meje vesi i mallkuem i krenisë!!!”
Letra e katërt, e datuar Shkodër, 5. 12. 1909 na zbulon, në dy rreshta, disa anë të rëndësishme të karakterit të Fishtës. Së pari, vetëdijen për rëndësinë e poetit, kur shkruan: “Bonifaci VIII kje Papë: megjithatë i duhet me ndejë në ferr, të paktën deri në ditën e gjygjit të mbramë, sepse aty e ka dënue nji hy i vogël, Dante Alighieri”.
Mbi kuptimin e lirisë e të barazisë, në këndvështim të krishterë, thekson:
“Në Odisenë kam dashtë të paraqes triumfin e lirisë, sikurse në Shën Françeskun vëllazninë dhe në Shën Gjon kryepremin barazinë në kuptimin e krishtenë”.
Më pas, mospërfillja për mëtuesit, në sa shkruante Uliksin:
“Kështu pra… dashnorët e Penelopes shqiptare do të ndihen të therun prej rreshtave të mi. Me faqe të bardhë: prej nji fundrrie të tillë as nuk mundem as nuk due të di gja. Nuk kam as çka të shpresoj: shëndetin dhe hirin mund të mi jap vetëm Perëndia, emnin e mire duhet ta baj vetë e jo Mtuesit me marritë e tyne… asgja tjetër nuk më duhet në botë veçse miqët e mi!”.
Tek Letra e pestë, Shkodër, 6. 04. 1910 gjejmë mendimin e tij për shkrimtarin e vërtetë:
”Shkrimtari i vertetë, mendimtari dhe filozofi riprodhon vetveten në shkrim; kështu riprodhon pershtypjet e jo objektet e jashtme. E bukura në objektet e jashtme nuk mund të jetë objekt i artit të vertetë, sepse artisti, tue riprodhue, nuk krijon por thjeshtë kopjon, gja që nuk asht art... Pra, shkrimtari duhet të paraqés shpirtin e tij në shkrim, gja që nuk bahet, nëse nuk riprodhojmë nepermjet mendimeve objektet; jo si ndodhen në botën e jashtme, por si paraqiten në shpirtin tonë, sepse vetëm aty e ka ndejen e bukura artistike (nuk flas për të bukurën filozofike).
Letra e gjashtë, Shkoder, 20. 01. 11, mund të titullohet me shprehjen e Gëtes: “Gjeni domethënë punë!”.
Shkruan Fishta për tragjedinë ‘Juda Makabé’:
“Kam nji dëshirë të madhe që ta përfundoj, por nga ana tjeter më vjen keq se më duhet të shkruej sa ma shpejtë të jetë e mundun, dhe drue se ka me pasë mangësi në teknikë, prejse asht puna ime e parë e këtij lloji.
Por, më mungon koha, per me përfundue nji punë të tillë në pak javë. Natën nuk mund të shkruej, sepse bân ftohtë; ditën mes Kishës, shkollës dhe shqetësimeve të njipasnjishme mund të punohet shumë pak. Ti e di se që tre vjet jam vu të studioj Shakespeare: nëse pra nuk dështoj në ketë sprovë të parë, mund të jesh i sigurt, se mbas pak … viteve, do te shkruej nji tjeter. Po të shkruej këto gjana, për me të ba të ditun, se ti me quen demel dhe e regjistron si plogështi heshtjen teme. A po e merr vesht?
Letra e shtatë, shkruar në Shkodër, më 12. 01. 1912, që flet për vënien në skenë të melodramës “Shqyptari i Gjytetnuem”,është plot me frymën e bashkimit të shqiptarëve:
Shkruan: “Sigurisht që të shfaqunt e Fesë në shqip … e mbush shpirtin e shikuesit shqiptar me ideale të pastra… që të përmallojnë aq… sa që atë natë kanë kja prej entuziazmit deri edhe mysliman, të cilët kishin pak interesë me pa në skenë Fenë me kryq në dorë”.
E së fundi, Letra e tetë, Shkodër, 15. 09. 1913, ku lajmon për fillimin e botimit të së përkohshmes ‘Hylli i Dritës’. Spikat në të situata në të cilën u krijuan disa nga kryeveprat e letërsisë shqipe:“Sot kemi fillue botimin e të Përkohshmes, (Hylli Dritës)... Këtu në Shkodër gjendja asht në statu quo, pluhun e baltë, Admirala, kual, lecka e “Rrnoftë Shqypnija”; por punë per me i dhanë jetë Shqipnisë, pak ose aspak. Njerzit rrin nën hije, tue pritë me gojë hapun, si fëmij korbash që nana, sorra Europë t’u sjell me hanger. Asht e kotë që unë të hupi kohë tue shkruej gjanat e Shkodrës, të këtij problemi të ri që ka infektue tanë botën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.