2009-12-30 18:16:10

Benedikti XVI: jetëshkrim i shkurtër i teologut Pjetër Lombardo.


(30.12.2009 RV)Pjetër Lombardo ishte teolog. Jetoi në shekullin XII, duke u bërë tejet i njohur përmes veprës së tij ‘Sentenze’, që u përdor si doracak teologjie për shumë shekuj.
Po, kush ishte Pjetër Lombardo? Ndonëse të dhënat për jetën e tij janë të pakta, mund ta rindërtojmë, në vija të përgjithshme, jetëshkrimin e tij. Lindi ndërmjet shekujve XI-XII, pranë Novarës, në veri të Italisë, në troje që asokohe i përkisnin Longobardëve. Prej këndej, epiteti Lombardo. Ishte bir i një familjeje të thjeshtë, gjë që e mësojmë nga letra e paraqitjes, që Bernardi i Kiaravales i shkroi Gjilduinit, epror i abacisë së Shën Vitorit, në Paris, përmes së cilës i kërkonte ta strehonte falas Pjetrin, që dëshironte të shkonte në këtë qytet, për arsye studimi. Faktet tregojnë se në Mesjetë jo vetëm fisnikët ose të pasurit mund të studionin e të luanin role të rëndësishme në jetën e Kishës e të shoqërisë, por edhe njerëzit me prejardhje të përvujtë, siç ishte, për shembull, Gregori VII, Papa që i bëri ballë Perandorit Henriku IV, ose Mauricio di Syli, kryeipeshkëv i Parisit, që ndërtoi katedralen e famshme të Shën Marisë e që qe bir i një fshatari të varfër.
Pjetri i nisi studimet në Bolonjë, i vijoi në Reims e i kreu në Paris. Nga viti 1140 dha mësim në shkollën e famshme të Shën Marisë së Parisit. I nderuar e i vlerësuar si teolog, tetë vjet më pas u ngarkua nga Papa Eugjeni II për të shqyrtuar doktrinën e Gjilberto Porretanos, që kishte ngjallur shumë diskutime, sepse konsiderohej jo shumë ortodokse. Si u bë meshtar, u emërua ipeshkëv i Parisit në vitin 1159, një vit para se të vdiste. Mbylli sytë në kulmin e lulëzimit fetar e kulturor, më 1160.
Si të gjithë mësuesit teologjisë së kohës, shkroi fjalime e komente të Shkrimit Shenjt. Kryevepra e tij, e titulluar “Sentenze” (Fjalë ari), ndahet në katër vëllime. Në vëllimin e parë flet për Hyjin Atë dhe për misterin trinitar; në të dytin, për krijimin e gjithësisë, mëkatin e hirin; në të tretin, për Misterin e Mishërimit e veprën e Shëlbimit; në të katërtin, për realitetet e fundme: ato të jetës së pasosur.
Vepra pati një rëndësi aq të madhe, sa edhe teologët më të shquar të shekullit XIII, Alberti i Madh, Bonaventura i Banjorexhos e Toma i Akuinit, e nisën veprimtarinë e tyre akademike duke komentuar katër librat e “Sentencave” të Pjetër Lombardos, duke i pasuruar me reflektimet e tyre. Teksti i Lombardos u përdor në të gjitha shkollat e teologjisë, deri në fund të shekullit XVI.  







All the contents on this site are copyrighted ©.