2009-12-29 16:16:34

Papa cakton një prift salezian për predikimin e ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve në Vatikan


Ushtrimet shpirtërore në kohën e Kreshmëve të ardhshme për Kurien Romake në Vatikan nga data 21 deri më 27 shkurt 2010 është zgjedhur t’i predikojë meshtari salezian, postulator i përgjithshëm i Kongregatës Saleziane, don Enriko Dal Covolo.
Deri më tani, Papa ka thirrur për t’i predikuar ushtrimet shpirtërore vetëm kardinajtë ( i fundi ishte Francis Arinze) mirëpo në Vitin Meshtarak është preferuar të zgjidhet pikërisht një prift. Don Dal Covolo është postulator i përgjithshëm i familjes së don Boskut e profesor i letërsisë së lashtë të krishterë pranë Universitetit Papnor Salezian në Romë e nga viti 2002 është edhe këshilltar i Kongregatës për Doktrinën e fesë, ku pati bashkëpunuar, për disa vite, me kardinalin e atëhershëm Jozef Racinger.
Pra, kësaj radhe, për herë të parë, do t’i takojë një prifti t’i mbajë ushtrimet shpirtërore për familjen e Kuries Romake, për Papën e Kardinajtë e bashkëpunëtorët e tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.