2009-12-28 17:47:39

Një milion pjesëmarrës në Festën e Familjes Shenjte, kremtuar në Madrid


(28.12.2009 RV)Në Festën e Familjes Shenjte, kremtuar në Sheshin e Limës, në Madrid, organizuar nga kryedioqeza e kryeqytetit spanjoll, morën pjesë rreth një milion vetë.
Ardhmëria e njerëzimit kalon nëpër famijen e krishterë – pati thënë në këtë shesh, në vitin 1982, Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Madrid.
Duke kujtuar pikërisht këtë frazë, që ishte në sfond të të gjithë takimit, kardinali-mëkëmbës i Papës, Agostino Valini, u solli të pranishmëve përshëndetjen e Benediktit XVI, në të cilën nënvizohej se familja në Evropë nuk mund të mbyllet vetëm në sferën private, sepse është fakt publik. Përballë krizës së familjes e të institucioneve të ashtuquajtura familjare - tha kardinali Valini - dëshirojmë të kumtojmë dashurinë e Krishtit.

Kremtimi u parapri nga një sërë dëshmish e përshëndetjesh, duke nisur nga kryetari i Këshillit Papnor për Familjen, kardinali Enio Antoneli, për të vijuar me përshëndetjet e disa personaliteteve të tjera të Kishës universale e asaj vendase.
Nismëtari i Rrugës Neokatekumenale, Kiko Arguelo, një nga organizatorët e takimit, së bashku me kryedioqezën e Madridit, theksoi se ‘familja e krishterë mund ta shpëtojë Evropën” .
Kardinali Rouko Varela bashkëkremtoi me një numër të madh kardinajsh e ipeshkvijsh spanjollë, mbi tribunën e madhe, mbi të cilën lartohej drejt qiellit dimëror, një kryq i bardhë vigan. Në dy krahët e kryqit, shtatorja e Zojës së Almudenës e Kryqi i Ditës Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Madrid, në vitin 2011.
Në homelinë e rastit, kardinali Rouko Varela kujtoi dhuratën tejet të madhe të familjes së krishterë: modele të tjera po hyjnë në mendësinë e sotme – tha ai – por janë të paafta ta shpëtojnë familjen nga falimentimi. Vetëm në familjen e krishterë, shembëlltyrë e familjes së Nazaretit, fëmijët, të sëmurët, të gjymtuarit, rizbulojnë dhantinë e jetës. Ju, familje të pranishme – theksoi kryeipeshkvi i Madridit – jeni shenjtërorja e shoqërisë. Pa ju, Evropa do të mbetej pa djepa, pa fëmijë, pa ardhmërinë e dashurisë”.Ndonëse ishte shumë ftohtë, në këtë takim u mblodhën familje nga mbarë Evropa, sepse mesazhi i Madridit nuk i përket vetëm familjes në Spanjë, laborator i ndërhyrjeve të shumta ligjore, në kundërshtim me familjen tradicionale, por mbarë familjes evropiane, që jepte kështu një përgjigje të vendosur, duke u kujtuar të gjithëve se vetëm përmes familjes, që di të dhurojë jetë, mund të mbrohet qytetërimi i krishterë, i cili i bëri të mëdhenj popujt e Kontinentit.







All the contents on this site are copyrighted ©.