2009-12-27 13:03:02

Papa përshëndet besimtarët në Madrid që manifestuan në mbrojtje të familjes


(27.12.2009 RV)Gjatë Lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, në Solemnitetin e Familjes Shenjte të Nazaretit, Papa Benedikti XVI u lidh në videokonferencë e përshëndeti besimtarët e mbledhur në Madrid të Spanjës, për Meshën e familjeve të krishtera evropiane, kryesuar nga kryeipeshkvi i qytetit, kardinali Antonio Maria Rouko Varela në Plaza de Lima, në orën 12.
Kremtimi i sivjetëm pati si moto: “E ardhmja e Evropës kalon nga familja”, fjalë që u bëjnë jehonë atyre të shqiptuara nga Gjon Pali II në të njëjtin shesh të Madridit, më 2 nëntor 1982, gjatë vizitës apostolike në Spanjë: “E ardhmja e njerëzimit kalon nga familja”.
Në letrën baritore për Krishtlindjen, kardinali Rouko Varela kujton se ky kremtim ka për qëllim t’i thurë lavde Zotit e ta falenderojë për dhuratën e familjes, institucion që vetë Biri i Zotit ka dashur ta shenjtërojë duke lindur në gjirin e Familjes së Nazaretit.
Mesha u kremtua sëbashku me disa ipeshkvij dhe kardinaj të Evropës, edhe ata të shqetësuar për gjendjen e vështirë, që kalon aktualisht familja. Gjatë liturgjisë pati lutje të veçanta për mbrojtjen e jetës nga zënia deri në vdekjen e natyrshme, për bashkimin e pazgjidhshëm të martesës ndërmjet burrit e gruas, për edukimin e krishterë të bijve e për të drejtën e prindërve për t’i edukuar sipas bindjeve të tyre fetare e morale. Mirësisë së mëshirshme të Foshnjës Hyjnore iu besuan edhe të gjitha ato familje, që nuk kanë punë dinjitoze dhe që gjenden në situata të vështira ekonomike. “Raste si ky – nënvizon Kryeipeshkvi i Madridit në letrën e tij baritore – na ndihmojnë të kuptojmë së bëjmë pjesë në familjen e madhe të bijve të Zotit, bashkuar në misionin e përbashkët për t’u shpallur njerëzve se Zoti është mishëruar për të na dhënë hyjninë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.