Pranë Betlehemit e Familjes së Shenjtë të Nazaretit
Në këtë kohë të Krishtlindjes, Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Familjes
së Shenjtë jehonë në një kornizë me të vërtetë magjepsëse, pranë Betlehemit,e pikërisht
aty duket një shembull e model familjeje, së cilës nuk i ka kaluar aktualiteti e as
moda që mëse 2 mijë vjet. E pikërisht tek ajo familje e Shenjtë e Nazaretit duhet
t’i kthejnë sytë familjet e sotme sepse: Familja e Shenjtë e Nazaretit është vërtetë
“prototipi” i çdo familjeje të krishterë, e cila, e bashkuar nëpërmjet Sakramentit
të martesës dhe e ushqyer nga Fjala e Ungjillit e Eukaristia, është e thirrur të realizojë
misionin e mrekullueshëm për të qenë qelizë e gjallë jo vetëm e shoqërisë, por edhe
e Kishës, shenjë dhe mjet bashkimi për të gjithë njerëzimin. Edhe vet Jezusi
ka qenë një fëmijë që i ka dëgjuar prindërit, të cilët e kanë edukuar, para së gjithash,
me shembullin e tyre. Pra prej tyre, prej kësaj Familje shembullore e të Shenjtë,
Jezusi mësoi se si t’i bindej vullnetit të Zotit Atë, por edhe se lidhja shpirtërore
vlen më shumë se sa lidhja e gjakut. Po të shohim Ungjijtë, nuk gjejmë fjalime mbi
familjen, por një ngjarje, që vlen shumë më tepër se çdo fjalë: Zoti deshi të
lindë e të rritet në një familje njerëzore. Në këtë mënyrë e ka shuguruar e shenjtëruar
si rrugë të parë e të zakonshme për takimin e tij me njerëzimin. Në jetën e kaluar
në Nazaret, Jezusi e ka nderuar Virgjërën Mari dhe Jozefin e drejtë, duke mbetur nën
autoritetin e tyre për gjithë kohën e fëmijërisë dhe të adoleshencës. Në këtë mënyrë
ka vënë në dukje vlerën primare të familjes në edukimin e personit. Të dashura
familje, mos lejoni të ligështohen dashuria, dëshira për jetën dhe lidhjet e bukura
e të pakrahasueshme, që bashkojnë familjet tuaja. Kërkoni vazhdimisht Zotit, lutuni
Atij të bashkuar, që qëllimet tuaja të ndriçohen nga feja e të kaliten nga bekimi
hyjnor në rrugën drejt shenjtërisë. Kështu, duke ndarë bashkë gjithçka me
frymën e dashurisë, do t’i jepni botës një dëshmi të bukur, duke u treguar të gjithëve
sa e rëndësishme është familja për njeriun e për mbarë shoqërinë. Kisha është përkrah
jush, duke iu lutur në mënyrë të posaçme Zotin për të gjithë ata që, në çdo familje,
kanë më shumë nevojë për shëndet, për punë, për dashuri, mirëkuptim, ngushëllim e
shoqëri.