Më 26 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Shtjefnin martiri Parë i Krishterë
(26.12.2009 RV) Shtjefni, i nderuar si nga Kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse,
është martiri i parë i krishterimit, i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin
dhe për përhapjen e Ungjillit. Rrëfimin mbi martirizimin e tij e gjejmë në
‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai ishte thirrur për t’u shërbyer nxënësve të
Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë e Palit të Tarsit (Saulit), para se të kthehej
në fe të Krishtit. Sipas një gojëdhëne, në vitin 415 një meshtar me emrin
Luçian, deklaroi se kishte gjetur trupin e shenjtit pranë Jeruzalemit, pasi i qe treguar
në ëndërr vendi i varrosjes. Tradita u përhap me shpejtësi në botën latine e greke,
ashtu si edhe reliket e Shenjti të parë martir, shumë nga të cilat nuk kishin të bënin
fare me të. Gjithsesi kjo ndikoi shumë mbi përhapjen e kultit. Historitë e ndryshme,
që kanë të bëjnë me gjetjen e trupit të tij, rivarrosjen në Kostandinopojë e më pas
në Romë, tregohen me hollësi në ‘Legenda Aurea (kap. CXII). Shën Shtjefni, me shembullin
e tij të jashtëzakonshëm, i kujton secilit nga ne se martirizimi i krishterë është
thjeshtë akt dashurie për Hyjin e për njeriun. U mbyt me gurë në portat e
qytetit e vdiq, si Jezusi, duke iu lutur Zotit t’i falte vrasësit e tij, duke dëshmuar
se është dashuria hyjnore ajo që e lidh Krishtin me martirin e tij të parë. Po ajo
dashuri që e shtyu Birin e Hyjit të bëhej njeri e të bindej derisa vdiq në kryq. Po
ajo dashuri – që i shtyu më pas edhe Apostujt e martirët të japin jetën për Ungjillin.
Duhet vënë gjithnjë në dukje kjo karakteristikë dalluese e martirizimit të krishterë,
si akt dashurie për Hyjin e për njerëzit, duke përfshirë edhe persekutorët. Prandaj
të krishterët i luten Zotit t’i mësojë për t’i dashur edhe armiqtë, sipas shembullit
të Shën Shtjefnit që, duke vdekur, u lut për persekutorët e tij. Sa bij e bija
të Kishës, në rrjedhë shekujsh e ndoqën hap pas hapi këtë shembull. Është një dëshmi
që nis gjatë persekutimit të parë në Jeruzalem e vijon me radhët e gjata të martirëve,
deri në ditët tona. Shpesh herë edhe sot nga vise të ndryshme të botës vijnë
lajme që flasin për misionarë, meshtarë, ipeshkvij, rregulltarë, rregulltare e besimtarë
laikë të persekutuar, të burgosur, të torturuar, të privuar nga liria ose të penguar
në ushtrimin e saj, vetëm e vetëm pse janë nxënës të Krishtit e apostuj të Ungjillit;
nganjëherë njerëzit vuajnë e vdesin edhe për shkak të bashkimit me Kishën universale
e të besnikërisë ndaj Papës, duke aktualizuar fitoren e dashurisë mbi urrejtjen e
mbi vdekjen. Festa e Martirit të parë të krishterimit kremtohet më 26 dhjetor,
dmth menjëherë pas Krishtlindjes. Shën Shtjefni është Pajtor i shumë qyteteve,
katedraleve e kishave nëpër botë. Vetëm në Shkodër i kushtohen dy katedrale: katedralja
e Qytetit të Veriut e katedralja historike në Kështjellën Rozafa, ku çdo vit më 26
dhjetor, Mesha përkujtimore, në praninë e një numri të madh besimtarësh, kremtohet
mbi rrënojat e lashta. Këto rrënoja na kujtojnë se shqiptarët luftonin nga këto ledhe
kreshnike, duke shpalosur flamujt me figurën e Shenjtit Pajtor, Shtjefnit martir,
në sa edhe ata vetë ishin shumë pranë martirizimit për mbrojtjen e Shqipërisë e të
Evropës së krishterë. Shën Shtjefnit i kushtohen edhe një mori veprash arti,
që e paraqesin duke pësuar martirizimin aq dramatik. Ndërmjet tyre njihet botërisht
një nga kryeprat e Gjotos kushtuar pikërisht Shën Shtjefinit.