Mbi familjen mesazhi i ipeshkvit të Sapës për Krishtlindjen,
Këtë të diele Kisha kremtoi festën e Familjes Shenjte, model për të gjitha familjet.
Duke hyrë në misterin e kësaj familjeje kaq të veçantë, mund të fitojmë vlera e të
marrim mësime që sot, më shumë se kurrë, janë të domosdoshme për t'i siguruar shoqërisë
njerëzore themele të shëndosha: mësimet e paqes, të pajtimit e të dashurisë. Sa
do të dëshironim që paqja, pajtimi e dashuria e Shtëpisë së Nazaretit të mos i mungojnë
asnjërës prej familjeve të sotme. Lutemi, prandaj, që të gjithë prindërit e krishterë
të jenë të vetëdijshëm për detyrën e tyre të pazëvendësueshme, si ndaj fëmijëve, ashtu
edhe ndaj shoqërisë, sepse nga ata pritet një dëshmi e vërtetë dhe e fuqishme ungjillore.
Sot familja e krishterë është e thirrur të japë shembullin e saj bindës, lidhur
me mundësinë e një martese të jetuar plotësisht në përkim me planin e Zotit dhe me
kërkesat e vërteta të njeriut: kujdesin e bashkëshortëve për njëri-tjetrin e sidomos
për fëmijët. Familja e bashkuar, që ndjek këto parime, i kapërcen më lehtësisht provat
e vështirësitë që ndesh në rrugën e saj e i ngjan Familjes Shenjte të Nazaretit.
Pikërisht mbi familjen e ka përqëndruar mesazhin e tij të Krishtlindjes, ipeshkvi
i Sapës, imzot Lucian Avgustini. Ta dëgjojmë