2009-12-25 17:06:50

Vigani egoist


(25.12.2009 RV)Legjendë prej Oskar Uajld, përkthyer nga Dom Lazër Shantoja1
Për gjith masdite e kishin zakon fmija, kuer delshin prej shkollet, me hîi e me luejtë n’lulishte t’viganit.
Ishte kjo nji lulishte e madhe e e bukur mblue me barë t’njomë. Andêj e ktej shperdaa mîi barë u dukshin lule porso hyj e dymdhet pjeshka qi n’prênverë ishin plot me lule t’njoma, bardhkuqe, e qi n’vjeshtë i kishin gêmat dêng me fryte. Zogjt vishin neper pêmë e kndoshin kaq amel, qi ka ‘i herë fmija lêshin lojen per me i ndîi. “Oh! Sa t’lum jena ktû” i thoshin shoqishojt.
Nji ditë prej ditësh po kthen vigani. Aj kishte pasë shkue n’Kornwall me paa mikun e vet Ogrin, e kishte ndêjë te ky shtatë vjet. Si kaluene kto shtatë vjet e s’kishte mâa çka me i thanë, dau me u kthye n’keshtjell t’vet. Kuer mrrîti, pau fmiit tuj luejt n’lulishte.
“Çka po bâni ktû?” bertiti plot idhnim. E fmija u vûnene n’t’ikun. “Kjo lulishte âsht e êmja”- tha vigani - gjithkush do t’a diin, e veç une mundem me luejtë n’tê .” E per m’u segurue mâa mirë e rrethoj me nji muer t’neltë e ngrehi nelt edhè nji tabelë me kto fjalë: “ S’âsht lêja me hîi n’lulishte.”
Ishte pernjimênd nji vigan egoist fort.
Fmiit e shkretë nuk dishin têsh kurrsesi se kû me shkue me luejt. Sprovuene me luejtë n’rrugë t’madhe, por kjo ishte plot pluhun e gur, e fmiis s’u bâte me luejt aty. Kuer delshin prej shkollet u sjellshin rreth atii murit tuj shetitë e flitshin per at lulishte t’bukur qi ishte mrêndë.
“Oh! Saa t’lum ishim na atjè” thoshin.
Mandej duel prêndvera e t’tanë aj vênd u mush me lule e me zogj. Veç n’lulishte t’viganit egoist ishte endè dimen. Zogjve nuk u kishte ânda me kndue têsh qi nuk ishin fmija, e pêmët kishin harrue me bulue e me lulzue. Nji herë po nji lule e vogel e qiti kryet jashta barit; por kuer pau tabelen, pati kaq keq per fmiii qi hîni prep n’dhee e shkoj me fjetë. T’vetunit qi ishin kondend ishin bora e akulli. “Prêndvera e kaa harrue lulishten - thoshin kto - kshtû tash jetojmë na gjith vjeten!”
Bora e mlote barin si me nji çarçaf t’madh e t’bardhë, e akulli i kishte njye pêmët marë n’bojë t’argjantit. Mandej thirrne kah vedi verin, e edhè ky erdh. Ishte pshtjellë krejt n’gzofe e bertitte gjith diten per rreth lulishtes e fryte n’tymtaret e shpijave qi ishin aty pari. “Ktû â mirë me ndêjë - thote aj – e kishte me kenë mirë me thirrë edhè breshnin me na paa.” Kshtû ja mrrini edhè breshni. Per gjith ditë kah tre sahat paa ja da rrahte pullazin e shpiis, deri saa i thej gadi t’tana tjegllat, e mandej ngau saa mâa shpejt n’lulishte. Ish veshë krejt n’boj-hîi e frymen e kishte akull.
“S’po mûnd t’marr vesht, pse â tuj vanue simjet kaq fort prêndvera” thote vigani egoist, qi rrite tu dritorja prej kah shikjote lulishten e ngrîme . “Majë uzdajë qi shpejt kaa me ndrue moti.”
Porsè prêndvera s’erdh e as vera s’u duk.
Vjeshta i falte sejcilles lulishte pêmë t’arta; vetun lulishten e viganit e kish lânë paa gjâa. “Aj â teper egoist” thote vjeshta. Kshtû met aty gjithmonë dimen e fryte veri, breshni e bora kcejshin neper pêmë.
Nji ditë ishte vigani shtrîmun n’shtrat, kuer qe po ndîin nji muzikë per bukurii. Kaq amel ja preku veshin, qi kujtoj se muziktarët e rregjit po kaloshin andêj pari. Porsè s’ish tjeter veçse nji trumcak qi i kndote para dritores, por kaq kohë kishte kalue paa ndîi tuj kndue zogj n’lulishte t’vet, qi zâni i trumcakut i tinglloj n’vesh porsi mâa e bukra muzikë e dheut. Mandej breshni s’kcej mâa mîi krye t’tij, veri s’fryte mâa e nji eer e kânshme i hîni mrêndë prej dritores. “Une kujtoj se ja mrrîni mâa prêndvera” tha vigani; e kcej shtratit e kqyri jashtë.
Çka pau?
Pau diçka m’u bindë! Per nji birucë t’murit kishin hîi n’lulishte fmija, e tesh rrishin mii degë t’pêmve. N’secillen pêmë qi mujte me paa, rrite nji fmii i vogel. E pêmët ishin kaq t’lume me pasë rishtas fmiit, qi ishin mlue plot me lule e shtroshin amel degët e veta mii krena t’fmiive. Zogjët fluturoshin per rreth e pingroshin plot mallë e lulet qitshin syet jashta barit t’blerë e qesheshin. Ish nji t’pamm per bukurii.
Veç m’nji skâjë t’lulishtes ishte endè dimen. Ishte skâji mâ i lergti i lulishtes, e atjè rrite nji fmii i vogel. Ishte kaq i vogel qi s’mujte me mrrîit tu degët e pêmës, e prandej u siellte rreth trupit e kjate me t’a kputë zêmren. E shkreta pêmë ishte endè mlue krejt me borë e akull, e veri s’prate tuj frye rreth sajë. “Kacaviru, o fmîi i vogel” thote pêma, e i perkulte saa kû mujte degët e veta. Por fmija ishte teper i vogel.
E zêmra e viganit u shkrîi krejt kuer pau jashtë. “Oh! Saa egoist paskam kênë! thote. Tesh po e di pse s’dote me ardhë prêndvera. Un due me e vûe at fmiin e vogel mii pêmë, e mandej due me i rrenue muret, e lulishtja jeme do t’mesin gjithmonë si vêndlojet per fmii.” E kishte pernjimênd keq se kish kênë parandej aq egoist.
Kshtû u ul prej shkallet, çili dalë kadalë deren e hîni n’lulishte. Por tek saa e pane fmija, kaq fort u trêmne qi ikne me ‘i herë e me ‘i herë u bâa prep dimen n’lulishte.
Veç fmija i vogel nuk lujeti vêndit, pse i kishte syet kaq mushë me lot qi s’mujt me e paa viganin.
E vigani ju avit si tinëz, e muer kadalë n’duer t’veta e e vûni mîi pêmë. E me’i herë u mlue pêma me lule e erdhne zogjt e knduene, e fmija i vogel hapi t’dy kraht e vet, shtrerngoj qafen e viganit e e puthi. E kuer fmija tjerë pane se vigani nuk ishte mâa aq i keq, kthyene prep n’lulishte e me ta kthej edhè prêndvera.
“Mas sodit kjo lulishte âsht e jueja, o fmii t’dashtun” tha vigani, e muer nji teskë t’madhe fort me t’cillen rrxoj murin. E kuer shkojshin gjindja n’pazarë n’mjesditë, pane viganin tuj luejtë me fmii n’lulishte t’vet, e lulishtja ishte mâa e bukra e dheut.
Gjith diten aty lojshin fmija, e ne e mrame shkojshin tu vigani per me i thanë lamtumirë.
“Po kû â shoqi i juej i vogli – tha aj, - kû âsht aj fmii qi kam vûe mîi pemë?”
Vigani e dote permii tjerë, pse aj e kishte puthë si puthë fmija baben.
“Nuk e diim” pergjigjne ata! “Aj kaa dalë e shkue”.
“Ju do t’i thoni qi t’viin neser me t’saktë”.
Porsè fmija i thane qi s’ja diishin shpiin e qi kurr s’e kishin paa parandej. E viganit i hini trishtim i madh.
Per gjith masdite, kuer marote shkolla, vîshin ata camerdhokë n’lulishte e loshin me viganin.
Por aj i vogli qi dote vigani nuk u duk mâa.
Vigani i dote edhè fmiitë tjerë, porsè kishte mâllë per atë fmin e vocerr, e shum herë flitte per tê. “Oh! Ç’kishe dishrue me e paa!” thote shpesh herë.
Kaluene vjet e vjet, e vigani filloj m’u plakë e m’u thîi. S’ishte mâ i zoti me luejtë, e prandej u pshtette m’nji karigë t’madhe prej kah vête oroe fmiit e lulishten. “Une kam shum lule t’bukura, - thote, - por fmija janë lulet mâa t’bukra qi kam.”
Nji ditë nadje dimnit kqyrte prej dritorjet tuj u mathë. Têsh nuk e kishte mâa n’mênd dimnin, pse e diite se prêndvera flête e se prep do t’çilshin lulet. Me ‘i herë si i habitun ferkoj syt e kqyr e kqyrë. Çka pau ish nji sênd me t’mrekullue. N’skâjë mâa t’lergtë t’lulishtes ishte nji pêmë mlu krejt me lule t’bardha per bukurii. Degët i kishte arit e fryte argjantit ishin vjerrë n’të, e nën tê rrite fmija i njomë qi aq fort e dote.
Plot shênd ulet vigani prej shkallës e nget n’lulishte. Shkelë tuj ngaa barin e i avitet fmiis. Por si ju avit mirë, i kcej gjaku n’krye e tha plot idhnim: “Kush kaa guxue me t’plague kso dore?” Persè ner shplakë t’duerve t’atii t’vocrrit u dukshin shêjet e dy gozhdave, e u dukshin edhè ner kamë t’njoma.
“Kush kaa guxue me t’plague kso doret? - bertiti prep vigani - m’kalxò, e unë po marr nji shpatë t’madhe e po ja pres kryet.”
“Jo – pergjegji fmija - pse kto janë varrët e dashtniis.”
“Kush je ti? “. Tha vigani, e nji dhimë e fortë i hini n’zêmer, e u ul n’gîuj para fmiis s’vocerr.
Fmija bâni buzen n’gaz e tha: “Ti m’kee lanë dikuer me luejtë n’lulishte t’ande, sot do t’vîsh me mue n’lulishte t’ ême, qi â Parrizi.”E kuer fmija tjerë masdite shkuene me luejt n’lulishte, gjeten viganin dekun nên at pêmë, mlue krejt me lule t’bardha.

1 Lazer Shantoja, Vepra, Botime Françeskane, Shkodër, 2005, fq. 31-33







All the contents on this site are copyrighted ©.