2009-12-25 15:09:08

Mesazhi i Papës për Krishtlindje: Kisha nuk ka frikë të ofrojë, edhe mes sulmesh e persekutimesh, Krishtin Fëmijë, mister dashurie e drite.


(25.12.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha nuk ka frikë, as në situatat më të vështira, kur persekutohet, diskriminohet e sulmohet, sepse forca e saj është Krishti Fëmijë, misteri i dashurisë e i dritës, të cilin dëshiron t’ia dhurojë mbarë botës: këtë theksoi sot Papa nga lozha qëndrore e Bazilikës së Vatikanit, në mesazhin e tradicional të Solemnitetit të Lindjes së Zotit, transmetuar në mondovizion. Të dukej sikur kish zbritur pranvera nën qiellin dimëror plot me re: mijëra besimtarë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, valëvitnin flamujtë e kombeve të tyre e i shprehnin Papës dashurinë, duke brohoritur me entuziazëm. Benedikti XVI përshëndeti në 65 gjuhë të ndryshme, ndërmjet të cilave, edhe gjuha shqipe, duke dhënë edhe Bekimin drejtuar Romës e Botës.
Drita, që përhapet nga Shpella e Betlehemit – pohoi Papa - vezullon përmbi ne. Gjithsesi – kujtoi në vijim - Bibla e Liturgjia nuk bëjnë fjalë për dritë natyrore, por për një dritë tjetër, të veçantë, e cila i lëshon rrezet e veta drejt ‘nesh’, sepse pikërisht ‘për ne’ ‘lindi’ Foshnja e Betlehemit. E kur themi ‘ne’, kemi parasysh Kishën, familjen e madhe universale të besimtarëve në Krishtin, që e pritën me shpresë lindjen e re të Shëlbuesit. Në fillim, rreth grazhdit të Betlehemit, fjala ‘ne’ ishte pothuajse e padukshme për sytë e njerëzve. Përveç Marisë e Jozefit, ishin vetëm pak barinj të përvujtë, të cilët arritën tek Shpella të lajmëruar nga Engjëjt:
“Drita e Krishtlindjes së parë qe si një zjarr i ndezur nëpër natë. Gjithçka përreth ishte e zhytur në errësirë, ndërsa në Shpellë vezullonte drita e vërtetë, që shndrit çdo njeri (Gjn 1,9). E pra gjithçka ndodh në thjeshtësi e fshehtësi, sipas stilit me të cilin vepron Zoti në të gjithë historinë e shëlbimit. Zotit i pëlqen të ndezë drita të kufizuara, për të ndriçuar, pastaj, hapësirat e pafundme”.
E Vërteta, ashtu si Dashuria – vijoi Papa - ndizen atje, ku drita pranohet. E përhapet, pastaj, me rrathë koncentrikë, në zemrat e në mendjet e atyre që, duke i hapur lirisht udhën shkëlqimit të saj, bëhen edhe vetë burim drite. Është historia e Kishës, që nis shtegtimin në Shpellën e varfër të Betlehemit e, në rrjedhë shekujsh, bëhet Popull e burim drite për njerëzimin, edhe në situata të vështira. Kisha, ashtu si Virgjëra Mari, i ofron botës Jezusin, Birin, që ajo vetë e mori si dhuratë e që erdhi ta shpëtojë njeriun nga skllavëria e mëkatit:
“Ashtu si Maria, Kisha nuk ka frikë, sepse ky Fëmijë është forca e saj. Por ajo nuk e mban vetëm për vete: ua dhuron të gjithë atyre, që e kërkojnë me zemër të sinqertë: të përvujturve të tokës e të pikëlluarve, viktimave të dhunës e të gjithë atyre që kanë etje për paqe. Edhe sot, për familjen njerëzore, të tronditur thellë nga kriza ekonomike, e më parë, nga ajo morale, si dhe nga plagët e dhimbshme të luftërave e të konflikteve, me stilin e ndarjes së përbashkët e të besnikërisë ndaj njeriut, Kisha përsërit, njëzëri me barinjtë: “Të shkojmë në Betlehem! (Lk 2,15), e atje do të gjejmë shpresën tonë”.
Më pas Benedikti XVI kujtoi Kishën që jeton në mbarë botën:
“Kjo ‘ne’ e Kishës jeton atje, ku lindi Jezusi, në Tokën Shenjte, për t’i ftuar banorët e saj ta lënë mënjanë logjikën e dhunës e të hakmarrjes e të impenjohen, me forcë e bujari, në rrugën drejt bashkëjetesës paqësore”.
Mendimi i Papës nuk mund të mos shkonte tek situata e trazuar në Irak e tek grigja e vogël e të krishterëve, që jeton në këtë zonë:
“Ajo nganjëherë pëson dhunë e padrejtësi e, megjithatë, është gjithnjë gati të japë ndihmesën e vet për bashkëjetesën civile, në kundërshtim të plotë me logjikën e ndeshjes e të mospranimit të të afërmit”.
Nuk mungoi as kujtimi i Kishës, që vepron në Sri Lanka, në Gadishullin korean, në Filipine, ashtu si në troje të tjera aziatike, si tharm i pajtimit e i paqes. Prej këndej mendimi i Papës shkoi në Afrikë:
“Në Kontinentin afrikan Kisha nuk pushon së lartuari zërin drejt Zotit për t’i lypur përfundimin e çdo padrejtësie në Republikën Demokratike të Kongos; i fton banorët e Guinesë e të Nigerit të respektojnë të drejtat e çdo njeriu e të dialogojnë; atyre të Madagaskarit u kërkon t’i kapërcejnë përçarjet e brendshme e ta pranojnë njëri-tjetrin”.
Papa i fton të gjithë të shpresojnë, pavarësisht nga dramat, provat e vështirësitë, që vijojnë t’i trondisin. E më pas, kujton edhe Kishën në Perëndim:
“Në Evropë e në Amerikën veriore ‘ne’ e Kishës i nxit njerëzit të ngrihen mbi mendësinë egoiste e tekniciste, të punojnë për të mirën e përbashkët e të respektojnë njerëzit më të ligshtë, duke filluar nga ata që nuk kanë lindur ende”.
Duke folur për Amerikën Latine Ati i Shenjtë ripohoi se Kisha është gati të japë ndihmesën e saj për rifillimin e rrugës institucionale:
“Në të gjithë Amerikën Latine ‘ne’ e Kishës është faktor identitar, plot vërtetësi e dashuri, që asnjë lloj ideologjie nuk mund ta zëvendësojë, është thirrje për respektimin e të drejtave të patjetërsueshme të çdo njeriu e të zhvillimit të tij të gjithanshëm, kumt drejtësie e vëllazërimi, urim uniteti”.
Besnike ndaj mandatit të Themeluesit të saj- - vijoi Papa - Kisha është solidare me ata, që tronditen nga fatkeqësitë e natyrës e nga varfëria, edhe në shoqërinë e kamur:
“Përballë heksodit të atyre që lënë trojet e veta e marrin rrugët e largëta, të shtyrë nga uria, intoleranca ose nga degradimi ambiental, Kisha është prani, që bën thirrje për mikpritje. Me një fjalë, Kisha kumton kudo Ungjillin e Krishtit, pavarësisht nga persekutimet, diskriminimet, sulmet e indiferenca, nganjëherë armiqësore, që – madje - i krijojnë mundësinë të ketë fatin e Mësuesit e të Zotit të saj”.Në përfundim Papa, sipas traditës, uroi Krishtlindjen në gjuhë të ndryshme, sivjet 65, një më shumë se vitin e kaluar. Ishte urimi në gjuhën kazake.







All the contents on this site are copyrighted ©.