Duke ecur ‘Udhës së Betlehemit, më në fund arritëm në Shpellën ku lindi Krishti, në
natën e madhe të Këshndellave. Ndokujt mund t’i duket se treguam përralla, legjenda
a gojëdhëna, shumë larg së vërtetës historike. Nuk është legjendë, as gojëdhënë, e
aq më pak përrallë kjo Natë e Madhe.
Jezu Krishti është figurë historike, megjithëse
historia e tij nis me fjalët: “Në ato ditë… e vijon me ‘Në atë kohë…’.
Benedikti
XVI, në veprën ‘Jezusi i Nazaretit’ shkruan: “Veprimtaria e Jezusit… është ngjarje
historike, që mund të datohet me gjithë seriozitetin e historisë njerëzore si diçka
që ka ndodhur me të vërtetë, me unicitetin e saj, bashkëkohësia e së cilës me të gjitha
kohët ndryshon (fq 31) nga papërcaktueshmëria e kohës së mitit”.
Jezusi lindi,
jetoi e vdiq (për besimtarët e krishterë edhe u ngjall!) në Palestinën e lashtë. Emri
i tij vjen nga greqishtja ‘Jesus’, që e ka prejardhjen nga hebraishtja Iesua, formë
e shkurtër e Jehoshua (Hyji është shpëtimi). Foshnja që lindi Maria u quajt me këtë
emër, sepse do ta shpëtonte popullin e vet nga mëkatet. Ndërsa emri Krisht rrjedh
nga greqishtja ‘Christos’, përkthim i fjalës hebraike mashiah, mesia, që do të thotë
‘i lyer me vaj ose i shuguruar’.
Jezusi lindi në Betlehem të Judesë në vitin
6 para Krishtit (748 vjet pas themelimit të Romës), jetoi rreth 30 vjet në Nazaret
të Galilesë e pastaj, vitet e fundit të jetës ia kushtoi kumtimit të Lajmit të Mirë.
Mesia, pra, lindi më se 2000 vjet më parë.
Data e lindjes u përcaktua gabim
nga Dionisi i Vogël. Murgu, i cili jetoi në shekullin VI, duke llogaritur vitet e
epokës së krishterë, caktoi (duke gabuar) si datë të lindjes së Krishtit, vitin 754
pas themelimit të Romës, në vend të vitit 748.
Dihet me siguri se Herodi i
madh, ai që njihet për masakrimin e fëmijëve të pafajshëm, vdiq në vitin 4 para Krishtit,
kur Jezusi duhet të ishte së paku dy vjeç. E me që, sipas historianëve Krishti vdiq
më 7 prill të vitit 30, është e arsyeshme të besojmë se kur u kryqëzua, ishte 36 vjeç
e jo 33.
Për jetën dhe veprën e Jezusit flasin kryesisht Ungjijtë: i Markut,
i Mateut, i Lukës e i Gjonit. Në se duam të dimë më shumë, duhet të shfletojmë Veprat
e Apostujve, Letrat, posaçërisht të Shën Palit, Ungjijtë apokrifë dhe Etërit e Kishës
që jetuan në shekullin II e III.
Për Jezusin flasin edhe paganët. Dëshmia më
e rëndësishme gjindet në veprën ‘Lashtësi judaike’, shkruar rreth vitit 94 pas Krishtit
nga historiani hebre, Jozef Flavio. Në veprën e tij lexojmë: “Jetoi në këtë kohë Jezusi,
njeri i ditur, në se mund ta quajmë njeri: në të vërtetë ai kryente vepra të jashtzakonshme
e, duke i mësuar njerëzit ta pranojnë me gëzim të vërtetën, arriti të bindë shumë
judenj e grekë. Ai ishte Krishti. E pasi Pilati, i shtyrë nga akuzat e kryepriftërinjve
të popullit tonë, e dënoi me kryqëzim, ata që e deshën që në fillim, vijuan ta ndjekin.
E, në të tretën ditë, ai iu duk atyre përsëri i gjallë, ashtu siç kishin thënë për
të profetët, e bëri edhe shumë mrekulli të tjera. E akoma sot nuk është zhdukur bashkësia
e krishterë, që e merr emrin prej tij…”. Burimet romake mbi Jezusin janë tri: Taciti
(‘Anales’, 115-120 para K.): Svetoni (‘Jeta e Klaudit’, brenda jetëve të Qesarëve,
121 para K.); Plini i Ri (‘Letër Trajanit’, 112 para K.).
Publio Kornelio Taciti,
duke kujtuar djegien e Romës në vitin 64, për të cilën Neroni akuzoi të krishterët
e pafaj, përmend qartë emrin e Krishtit, themelues i sektit të të krishterëve, që
e kishin marrë emrin prej tij, dënuar nga prokurori Ponci Pilat nën perandorin Tiberi.
Vijon
të shpjegojë Taciti: “Atëherë, për t’ia prerë hovin thashethemnajës, Neroni deklaroi
si fajtorë të djegies së Romës e dënoi me torturat më të rafinuara të kohës, ata që
populli i vogël i quan të krishterë, të urryer nga të gjithë për mbrapshtitë e tyre…
I shpartalluar për një farë kohe, ky paragjykim i kobshëm, rifilloi të ndjehet me
forcë jo vetëm në Jude, vend ku nisi së pari kjo e keqe, por edhe në urbe (Romë),
ku mizoritë e turpet e të krishterëve vërshojnë nga të katër anët e madje gjejnë edhe
ndjekës”. Duhet sqaruar, këtu, se në atë kohë të krishterët nuk njiheshin e pagantë
i mbulonin me shpifje, sepse feja e re i binte ndesh paganizmit.
Edhe Svetoni,
në biografinë e perandorit Klaud, jep njoftime lidhur me dëbimin e judenjve nga Roma,
sepse ngrinin vazhdimisht krye, të nxitur nga një farë Kresti… Prandaj ai (Klaudi)
i përzuri nga Roma. Në jetën e Neronit, i njëjti autor i kujton të krishterët si ‘racë
njerëzish me paragjykime të reja e të rrezikshme’. Plini i Ri, qeveritar i Bitinisë,
njofton perandorin Trajan se një numër i madh njerëzish mblidhen në një ditë të caktuar,
para se të agojë, për t’i kënduar himne Krishtit, si i këndohet një Hyji e për t’u
betuar se nuk do të vjedhin, as do të grabisin e as do të kurvërojnë, se do ta mbajnë
fjalën e dhënë e nuk do ta mohojnë, edhe në se do të detyrohen të dalin para gjyqit.
Edhe
Talmudi, një nga tekstet e shenjta të hebrenjve, bën aluzione të rënda kundër Jezusit,
i cili shikohet si mashtrues i Izraelit. Në këtë libër shënohet se procesi që e dënoi
Krishtin me vdekje kishte vlerë të plotë juridike.
Ndërsa Benedikti XVI në
librin e tij ‘Jezusi i Nazaretit’1.. shkruan: “U përpoqa ta paraqes Jezusin e ungjijve,
si ‘Jezusin historik’ në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Jam i bindur, e shpresoj
që edhe lexuesi do të bindet, se kjo figurë është shumë logjike e, në këndvështrimin
historik, edhe më bindëse se studimet me të cilat jemi ndeshur vitet e fundit. Mendoj
se pikërisht ky Jezus - Jezusi i ungjijve – duhet të jetë historikisht, figura më
e arsyeshme e më bindëse.
E ata që nuk janë ende të bindur se ishte pikërisht
kjo Natë e Madhe, e cila ia ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit, nuk është është
legjendë, as gojëdhënë, e aq më pak përrallë, por fakt historik, i ftojmë të shfletojnë
pikërisht librin e Papës Ratzinger.