2009-12-25 12:37:40

Atë Lombardi për aksidentin e Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.


(25.12.2009 RV)Lidhur me ngjarjen, që ndodhi mbrëmë në Bazilikën e Shën Pjetrit, e cila tashmë është bërë e njohur në të katër anët e botës, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, përmes një komunikate, sqaron: “Mbrëmë, gjatë procesionit të hyrjes së kremtimit, një person i çekuilibruar, një farë Suzana Maiolo, 25 vjeçe, me nënshtetësi italiane e zvicerane – kapërceu zonën e ndaluar e, pavarësisht nga ndërhyrja e forcave të sigurisë, ia doli mbanesh të arrijë tek Ati i Shenjtë e t’i kapë palion, duke e bërë të humbasë drejtpeshimin e të rrëzohet përdhe. Papa mundi të ngrihej menjëherë e të vijonte ecjen dhe i gjithë kremtimi u zhvillua pa asnjë problem tjetër.
Mjerisht, gjatë rrumujës së krijuar, kardinali Etçegarai u rrëzua dhe theu femurin. U shtrua menjëherë në Poliklinikën Gjemeli. Tani ndjehet mirë, por pas disa ditësh do të detyrohet t’i nënshtrohet operacionit në pjesën e dëmtuar.
Edhe Maiolo, që nuk ishte e armatosur, por paraqiste shenja çekuilibri psikik, u shtrua në një strukturë shëndetësore, për t’iu nënshtruar mjekimit të detyrueshëm.
Përsa i përket Atit të Shenjtë, programi i sotëm konfirmohet pa ndryshime.







All the contents on this site are copyrighted ©.