2009-12-24 17:13:13

Përurohet Shpella e Betlehmit në Vatikan


Sot në orën 17.00, vikari i Papës Benedikti XVI, kardinali Anxhelo Komastri dhe kardinali Xhovani Lajolo, president i Guvernatoratit tw Vatikanit, përuruan Shpellën e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit. Pas lutjes së besimtarëve, që pasoi, Papa ndezi qiriun e paqes në parvazin e dritares së studios së tij private, u dha të pranishmëve bekimin apostolik.
Tradita e Shpellës së Betlehemit kthehet në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, pikërisht në qendër të kolonatit berninian. Këtë vit, Shpella zë një sipërfaqe prej 300 metrash katrore dhe balli zgjatet deri në 25 metra. Ndër elementet arkitektonike të këtij viti figurojnë rrënoja të mureve qytetare e struktura të përvujta, që lidhen me jetën në fshat e me peshkimin. Kompozimi frymëzohet nga ngjarje të jetës së Jezu Krishtit, që tregohen në Ungjillin sipas Mateut e në atë sipas Lukës. Në të djathtë të Familjes Shenjte, një vend i thjeshtë për peshkim kujton thirrjen e Apostujve në liqenin e Tiberiadit, përshkruar nga Shën Mateu. Në të majtë kemi një skenë, që të kujton jetën e fshatarëve dhe të barinjve, e cila aludon shpalljen e gëzueshme të Engjëllit, për të cilën tregon Shën Luka Ungjilltar. Në qendër të skenës, shpella me Foshnjën Hyjnore, Shën Marinë e Shën Jozefin, e nuk mungojnë as kau e gomari.
Në anë simbolet e ujit e të zjarrit. Uji që del nga një burim simbolizon Pagëzimin dhe rilindjen shpirtërore, ndërsa vatra e ndezur na kujton fjalët e Jezusit: “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë!”
Shtatoret më të lashta vijnë nga Betlehemi i vitit 1842, ndërtuar nga Shën Vinçenc Paloti në Kishën romake të ‘Sant’Andrea della Valle’. Atyre u janë shtuar figura të tjera gjatë viteve. Detyra për të qepur rrobat e personazheve i është besuar bashkësisë vatikanase të Motrave Françeskane Misionare të Shën Marisë, përgjegjëse, që nga viti 1926, të “Laboratorit për Restaurimin e Sixhadeve”. Motrat, që njihen si murgeshat e sixhadeve, e bëjnë veshjen e personazheve të Betlehemit në Vatikan në datat nga 22 deri në 24 dhjetor dhe e riparaqesin veprën e tyre më 5 e 6 janar, duke u ndryshuar veshjen barinjve e duke i shndërruar në Mbretërit Dijetarë.
Tradita e zbukurimit të Sheshit të Shën Pjetrit me Shpellën e Betlehemit ka filluar në vitin 1982, gjatë papnisë së Gjon Palit II dhe është konfirmuar edhe nga Papa Benedikti XVI. Me ndërtimin e saj merren Shërbimet Teknike të Guvernatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.