2009-12-24 16:58:26

Krishtlindja. Të bëhemi të afërt për të largëtit: editorial i atë Lombardit


(24.12.2009 RV)00:02:09:31Të jeni “gjithnjë gati t’i përgjigjeni kujtdo që t’ju pyesë për arësyen e shpresës brenda jush. Por kjo të bëhet me ëmbëlsi e me respekt”: Benedikti XVI i citon shpesh këto fjalë të Shën Pjetrit. Në fjalimin që mbajti para Kuries Romake, të hënën e kaluar, Papa e përmendi sërish këtë ftesë, duke nënvizuar nevojën e dialogut me ata që rrinë larg Kishës. Të dëgjojmë për këtë, editorialin e sotëm të drejtorit të përgjithshëm të Radio Vatikanit e zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“Dialogut me fetë u duhet shtuar sot sidomos dialogu me ata, për të cilët feja është diçka e çuditshme e Zoti, i panjohur, por megjithatë nuk duan të mbeten thjesht pa Zot, por ta afrojnë të paktën si të Panjohur”. Pjesa e fundit e fjalimit të Papës para Kuries Romake është pa dyshim ajo që bëri më shumë përshtypje. Janë fjalë për të cilat kishim nevojë, pasi jetojmë në një botë tejet të shekullarizuar, në të cilën të besosh duket gjithnjë e më e vështirë. Papa na kujton se Jezusi pastron me pasion nga punët materiale një oborr të madh të tempullit – atë që quhej “i paganëve”, i atyre që nuk bënin pjesë në popullin hebraik – pikërisht që të kthehej në një vend të hapur për ata që “e njohin Zotin vetëm nga larg, që janë të pakënaqur me zotat, ritet e mitet e tyre; që duan të Pastrin e të Madhin, megjithëse për ta Zoti mbetet “i Panjohur”.
Papa arriti të na bëjë të kuptojmë ne besimtarëve, se “personat, që e mbajnë veten për agnostikë apo ateistë, duhet t’i kemi për zemër”, duke respektuar lirinë e tyre të mendimit e të vullnetit, duke respektuar faktin se ata nuk duan të jenë “objekti ynë i misionit”. Jo gjithmonë në fjalët tona duket ky respekt. Megjithatë, ata duhet të na ndjejnë përzemërsisht afër – si individë e si bashkësi – ekspertë miqësorë të pyetjes mbi Zotin si thelb i ekzistencës njerëzore, të nostalgjisë së thellë për dashuri e dritë. Kundrimi i Mishërimit të Hyjit, që është njëkohësisht zbulim e mister, na edukoftë me këtë miqësi të dyfishtë me Zotin dhe me njeriun që nuk e njeh”.







All the contents on this site are copyrighted ©.