2009-12-24 09:55:24

Historiku i Shpellës së Betlehemit në Vatikan


Atmosfera e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri ka filluar tashmë prej shumë ditësh të ndjehet kudo: nuk e kemi fjalën për vitrinat e dyqaneve; kur flasim për atmosferën e festës së madhe, kemi parasysh "vitrinat e shpirtit", nismat e paqes e të drejtësisë, të bamirësisë e të dashurisë së krishterë e, natyrisht Shpellat e Betlehemit e Bredhat e Krishtlindjes. Kësaj radhe po flasim për Shpellën e Betlehemit në Vatikan.
Tradita filloi që në vitin 1982, sipas dëshirës së shprehur nga Papa Gjon Pali II. Që atëherë, në përkujtim të Lindjes së Zotit, në këmbët e Obeliskut të Vatikanit e në kornizën madhështore të kolonatit (shtyllnajës) të Berninit, ngrihet çdo vit një Shpellë e re Betlehemi, sipas modeleve marrë nga kryeveprat e pikturës ose të letërsisë botërore kushtuar ngjarjes më të madhe të historisë së njerëzimit: Mishërimit të Zotit. Për realizimin mendon Komisioni Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit.
Elementet kryesore janë vetë Shpella, që mund të jetë edhe kasolle, në mes të së cilës është grazhdi ku vendoset Foshnja Hyjnore. Në të dy anët e Krishtit Fëmijë rrijnë Zoja e Bekuar, Shën Jozefi, kau e gomari, ndërsa përjashta, barinjtë, bareshat, delet, qengjat, Kryeengjëlli Gabriel, tre Mbretërit dijetarë; nën këmbët e tyre shtrihet qilimi i myshkut, që në Shqipëri njihet me emrin bar-betlehemi, përmbi ta, qielli plot me yje, ndërmjet të cilëve shkëlqen Kometa, ylli që u tregoi rrugën tre Mbretërve.
Në Shpellën e Betlehemit në Vatikan, vendosen çdo vit 14 figura kryesore, që lëvizen në pozicione të ndryshme, pa cenuar traditën kishtare. 9 nga shtatoret u realizuan që më 1842 nga Shën Vincenzo Paloti, ndërsa 5 u shtuan gjatë vitesh.
Betlehemi vendoset në një sipërfaqe prej rreth 240 metrash katrore në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan pranë Obeliskut.
Po, të rikthehemi tek Shpella e Betlehemit në Vatikan. Skena e Lindjes së Krishtit, që ka 10 personazhe me madhësi natyrore, engjëj dhe shtatoret e Shën Vinçenc Palotit - sivjet e frymëzuar nga Ungjilli sipas Lukës - na çon në shtëpinë e Jozefit, në Nazaret ku, sipas rrëfimit ungjillor: “Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri si e kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit: e mori Marinë në shtëpi të vet. E pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus”.
Skena e Shpellës së Betlehemit në Vatikan na kujton mjediset palestineze tipike; në të djathtën është vendosur punishtja e zdrukthëtarit Jozef, me veglat e mjeshtërisë; në të majtën, një bujtinë.
Është simbol i jetës së përditshme, i vënies ballë për ballë të jetës materiale me atë shpirtërore, por të kujton edhe ikjen e Marisë e të Jozefit në Egjipt. Një burim uji, pastaj, simbol i pastërtisë e i gurrës së jetës, ndërsa zjarri i ndezur në furrën e bujtinës, është simbol i dritës që fiton mbi errësirën, por edhe i dritës e i forcës që vijnë nga Zoti.
Kujtojmë se Shpella e Betlehemit është shenjë e besimit në Zotin që vjen të banojë ndërmjet nesh, por edhe element i traditës e kulturës së krishterë, prandaj pa të nuk mund të kuptohet si duhet solemniteti i Mishërimit të Krishti, Zotit tonë! E vogël ose e madhe, e thjeshtë apo artistike, Shpella e Betlehemit përbën një simbol tepër shprehës të Krishtlindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.