2009-12-23 18:27:42

Papa në audiencën e përgjithshme: kush nuk bëhet si fëmijët, nuk e kupton Krishtlindjen.


(23.12.2009 RV)RealAudioMP3 Krishti Fëmijë është Zoti-Dashuri, krejtësisht i çarmatosur, që nuk vjen për ta pushtuar botën nga jashtë, por për t’u pranuar nga njeriu në liri. Ky është kuptimi i Krishtlindjes, solemnitetit, të cilit Benedikti XVI i kushtoi audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI në Vatikan. Papa e përqendroi katekizmin tek tradita e lashtë e Shpellës së Betlehemit të Greços, që e sajoi Shën Françesku rreth 800 vjet më parë.
Skena e Natës së Krishtlindjes 1223, në të cilën ishin të pranishëm banorët e një fshati të vogël, në Lacio të Epërm, e ndryshoi përgjithnjë perceptimin e Lindjes së Krishtit në mendjen e në zemrën e të krishterëve. Atyre, që e panë me sy, por edhe atyre, që do të vinin. Shpella e Betlehemit, sajuar nga Shën Françesku në thjeshtësinë e një stalle të Greços, rikrijoi për herë të parë skenën e gjallë e prekëse të lindjes së Krishtit. Benedikti XVI pohoi se, me Shën Françeskun, Krishtlindja hapi para syve të njeriut një përmasë të re:
“Nata e Greços i riktheu krishterimit thellësinë e bukurinë e festës së Krishtlindjes. Ajo natë e edukoi popullin e Hyjit ta kuptonte mesazhin e mirëfilltë, ngrohtësinë e veçantë. E mësoi ta donte e ta adhuronte Krishtin si njeri (…). Me Shën Françeskun e Shpellën e tij të Betlehemit dolën në pah dashuria e çarmatosur e Hyjit, përvujtëria e mirësia e atij, i cili u dëftohet njerëzve në Mishërimin e fjalës, që t’u mësojë të jetojnë e të dashurojnë në një mënyrë krejt të re”.
Shenjti i Asizit - tregoi Papa - pati gjithnjë dëshirë ta provonte në mënyrë konkrete, të gjallë e të prekshme, përvujtërinë e ngjarjes madhështore të Lindjes së Krishtit. E ky perceptim bëhet edhe më i rëndësishëm, kur mendon se festa më e lashtë e krishterimit – kujtoi Papa – nuk është Krishtlindja; janë Pashkët. 25 dhjetori, si datë e lindjes së Krishtit – vijoi të shpjegonte Ati i Shenjtë – u caktua rreth vitit 204, nga Hipoliti i Romës, ndërsa kremtimi i Lindjes së Krishtit nisi pak më vonë, në shekullin IV, kur zuri vendin e festës pagane të ‘Sol invictus”, diellit të pathyeshëm. Në se Pashkët – vërejti Papa – e përqendrojnë vëmendjen mbi pushtetin e Hyjit, që mund vdekjen, me Krishtlindjen:
“… del në pah se lindja e Krishtit është fitorja e dritës së vërtetë mbi errësirën e së keqes e të mëkatit. Megjithatë, atmosfera e veçantë dhe e thellë shpirtërore, që e rrethon Krishtlindjen, u krijua në Mesjetë, falë Shën Françeskut të Asizit, që e dashuronte thellësisht njeriun Jezus, Zotin- me-ne!
E në vijim Benedikti XVI kujtoi:
“Falë Shën Françeskut, populli i krishterë mundi ta perceptonte se për Këshndella, Hyji u bë vërtetë Emmanueli, Zoti-me-ne, nga i cili s’ka pengesë as largësi që mund të na ndajë. Në këtë Foshnjë, Zoti na erdhi aq pranë, u bë aq i afërt me secilin nga ne, sa të mund t’i flasim me ti e të krijojmë me të një lidhje të përzemërt, plot dashuri, ashtu siç bëjmë me një të posalindur”.
E pikërisht në këtë Fëmijë shikojmë me sytë tanë forcën e përvujtë e çarmatosëse të Hyjit-Dashuri:
“Zoti vjen pa armë, pa forcë, sepse nuk e ka ndër mend të na pushtojë nga jashtë. Dëshiron që njeriu ta pranojë në liri të plotë; Hyji bëhet fëmijë i ligshtë, për të fituar mbi mendjemadhësinë, mbi dhunën, mbi etjen e njeriut për pasje e pushtet”.
E është vetë Jezusi - tha në përfundim Papa - që na e mëson, në Ungjill, mënyrën sesi mund ta takojmë Hyjin e të shijojmë praninë e Tij, domethënë, si mund të pendohemi e të bëhemi si fëmijët:
“Kush nuk e pret Jezusin me zemër fëmije, nuk mund të hyjë në mbretërinë e qiellit: këtë deshi t’i kujtonte Shën Françesku krishetrimit në kohën e tij e në të gjitha kohët, deri më sot. Ta lusim Atin t’i dhurojë zemrës sonë thjeshtësinë e njeriut, që në Fëmijën e Betlehemit shikon Zotin, pikërisht ashtu si bëri Shën Françesku në Greço. (...) Këtë ju uroj përzemërsisht të gjithë juve, familjeve tuaja e të dashurve tuaj. Për shumë vjet Krishtlindjen!".
Festa e madhe e Krishtlindjes frymëzoi edhe përshëndetjet tradicionale në përfundim të audiencës së Benediktit XVI, i cili uroi:“Dashuria, që Zoti i dëftoi njerëzimit në lindjen e Krishtit, rritët në zemrat tuaja, të dashur të rinj, dëshirën për t’u shërbyer vëllezërve. Qoftë për ju, të dashur të sëmurë, burim ngushëllimi e paqeje. Ju frymëzoftë ju, bashkëshortë të rinj, ta forconi premtimin, që ta doni besnikërisht njëri-tjetrin për gjithë jetën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.