2009-12-23 18:29:03

Në Kinë ndjehet gjithnjë më shumë atmosfera e Krishtlindjes.


(23.12.2009 RV)RealAudioMP3 Vitet e fundit edhe në Kinë, posaçërisht në qytetet e mëdha, po ndjehet gjithnjë e më shumë klima e festës së Krishtlindjes. Natyrisht është diçka e re, që karakterizohet më shumë nga aspektet e jashtme, nga rendja nëpër dyqane e shkëmbimi i dhuratave. Por në këtë rendje, nis të ndjehet dridhshëm një frymë tjetër, ajo e festës së shpirtit.
Pyetëm, për këtë, korrespondentin e gazetës italiane ‘La Stampa’. Nga Pekini, Françesko Sishi:

Përgjigje: - Është paksa e kundërta e asaj, që ndodh tek ne. Tek ne aspekti konsumistik e fsheh aspektin fetar; anasjelltas, këtu të krijohet përshtypja se fenomeni i tregut përfshin edhe aspektin fetar. Tashmë të gjithë, edhe këtu, në Kinë, e dinë se Krishlindja është festë thellësisht e krishterë.

Pyetje: - Cilat janë simbolet fetare, që lidhen me Krishtlindjen në Kinë?

Përgjigje: - Simboli i Krishtlindjes këtu është bredhi. Kemi, pastaj, edhe Plakun e Vitit të Ri… e aspekte të tjera laike të Krishtlindjes. Por po fillojnë të duken edhe disa kryqe: në një farë mënyre, simbolet laike bëhen pikëmbështetje për të folur, më pas, edhe për fenë. E ajo që të çuditë, është se autoritetet e dinë mirëfilli që Krishtlindja është festë fetare; nuk është më mister për askënd. E kjo tregon se po zhduket një pengesë, një cenzurë. Duhet kujtuar se vetëm pak vjet më parë të gjitha kremtimet fetare ishin rreptësisht të ndaluara. Ndërsa sot ky qëndrim ka ndryshuar. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se Kina mund të bëhet prej një dite në tjetrën, vend fetar, Sidoqoftë lejimi i kremtimeve me karakter laik, në të cilat feja zë një vend të rëndësishëm, është domethënës. Premton shumë, sepse më parë edhe kjo ishte e ndaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.