2009-12-23 18:28:23

Muri izraelit prish klimën festive të Krishtlindjes në Tokën Shenjte


(23.12.2009 RV)RealAudioMP3 Bashkësia e krishterë e Tokës Shenjte përgatitet të presë Lindjen e Krishtit me reflektime e lutje. Në Territoret Palestineze, kushtet e popullsisë janë gjithnjë e më të vështira, sidomos të asaj të krishterë. Të dëgjojmë një meshtar italian që punon në Palestinë, don Mario Korniolin:
Jam një muaj në Itali e një muaj në Palestinë për të punuar me bashkësitë tona të krishtera. Në Palestinë jetoj në famullinë e Beit Zhala, ngjitur me Betlehemin. Beit Zhala e Beit Shaur janë të mbyllura nga muri, prandaj janë si të thuash, në burg. Detyra ime kryesore është të ndihmoj meshtarët dhe të krishterët të rezistojnë. Ata shpesh largohen nga Toka Shenjte vetëm sepse kushtet e jetesës nuk janë të lehta, pikërisht për shkak të murit e të papunësisë.
Don Mario, pse pengon ky mur?
Problemi më i madh është se pengon çdo lloj lirie. Para së gjithash, lirinë e lëvizjes, pasi të krishterët nuk mund të lëvizin as për të shkuar në Jeruzalem. Kjo nuk është e lejueshme, pasi liria e fesë është një e drejtë themelore e mundësia për t’u lutur në Vendet Shenjta, një e drejtë minimale. Një shembull: famullitari, që është prift palestinez, nuk mund të shkojë në Jeruzalem vetëm, nuk mund të shkojë në kurie, nuk mund të takojë Patrikun, nuk mund të shkojë në ushtrimet shpirtërore me meshtarët e tjerë, nuk mund të marrë pjesë në mbledhje. Nëse për meshtarët situata është kjo, mendoni se ç’mund të jetë për të krishterët e, edhe për palestinezët e tjerë. Shumë nga të rinjtë nuk e kanë parë kurrë Jeruzalemin, që është vetëm shtatë kilometra larg!
Cila është gënjeshtra më e madhe që thuhet për palestinezët?
Gënjeshtra më e madhe është se të gjithë palestinezët janë terroristë: nuk është e vërtetë! Ne kemi shumë të krishterë në bashkësitë palestineze, që duan vetëm të kenë mundësinë e një jete dinjitoze. Kemi edhe shumë myslimanë që nuk kërkojnë gjë tjetër.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.