2009-12-23 14:28:01

Krishtlindja:porosi dashurie për njeriun


(23.12.2009 RV)Për pjesën më të madhe nga ne, Krishtlindja ka një kuptim më të thellë folklorik, tregtar dhe shoqëror. Nga ana folklorike për shembull, është grazhdi dhe shpella (Betlehemi i vogël), pema e Krishtlindjes apo mjaft këngë, zbukurime të rrugëve dhe shtëpive, etj. Nga ana tregtare, Krishtlindja është e lidhur me shitjen dhe blerjen e dhuratave, zbukurimeve dhe mjaft sendeve. Edhe nga ana shoqërore Krishtlindja është rast për darka dhe pritje. Por, shumë herë kemi pyetur: cili është kuptimi i krishterë që ka mbetur në këtë festë? Shpesh festimet tona shoqërore dhe familjare nuk janë gjë tjetër, veçse një maskë, e cila fsheh një zemër të shqetësuar.....
 
Le ta përfytyrojmë të gjendemi para një grazhdi. Le ta zhveshim atë nga gjithçka që është e tepërt. Sepse Betlehemet e vogla, që ne bëjmë janë shumë të bukura dhe me shumë art, por me vështirësi e paraqesin atë që ka ndodhur në atë natë të Shenjtë Krishtlindjeje. Le t’i zbrazim grazhdet tona nga statujat e personave që këndojnë, apo i bien veglave muzikore, apo që sjellin dhurata (duke përfshirë këtu edhe mbretërit), edhe lopën dhe gomarin (për të cilët nuk flitet në Ungjill). Po, jemi duke e varfëruar grazhdin dhe shpellën, jemi duke e zhveshur atë nga arti dhe poezia e tij. Por çfarë do të mbetet vallë tani?! Një shpellë bosh. Veçse me tre vetë, të cilët janë një familje: Jozefi, Maria dhe i porsalinduri si dhe disa barinj. Le të hyjmë në këtë shpellë si nxënësit e të mësojmë nga mësuesi. Mësuesi ynë do të jetë një foshnjë: fëmija Jezus.
 
HYJI HYN NË HISTORINË E NJERËZIMIT
Në Ungjill gjejmë dy prejardhje të Jezusit: atë të Mateut dhe të Lukës. Ndërmjet tyre ka disa ndryshime. Por duhet zbuluar edhe kuptimi teologjik i këtyre ndryshimeve, të cilat na japin mundësinë të njohim një Jezus si person të historisë, që bën pjesë në histori. E jo vetëm kaq, por Ai është maja e historisë dhe në të, janë përmbushur premtimet e bëra Abrahamit dhe Davidit.

Prejardhja sipas Mateut, fillon me Abrahamin, atin e popullit të zgjedhur dhe mbaron me Jozefin “Bashkëshortin e Marisë, prej së cilës lindi Jezusi, i quajtur Krisht” (Mt. 1. 16). Radha e të parëve të Jezusit përfshin katër gra (kundër traditës së hebrenjve, për të përmendur gra në prejardhje): Tamara, Rahebi, Ruthi, dhe Betsabea. Të gjitha këto ishin pagane dhe tre prej tyre (Tamara, Rahebi dhe Betsabea) të njohura me emër shumë të keq. Me fjalë të tjera këtu Mateu na përcjell po atë porosi si tek Pali, tek i cili thuhet se nuk ka më as hebre e as pagan, skllav apo të lirë, burrë apo grua (Gal. 3. 28). Jezusi është çlirimtari i gruas. Ai është shpëtimtari i të gjithë njerëzimit. Në tregimin e vizitës së dijetarëve, të cilët ishin paganë, Mateu do të nxjerrë në pah po këtë të vërtetë.

E gjithë kjo ka një kuptim të veçantë, sidomos në fshatrat ku gruaja është e konsideruar si skllavja e shtëpisë dhe ku ende mbizotëron përbuzja ndaj seksit femëror. Krishti erdhi “për të shembur murin i cili na ndante” (Ef. 2. 14)
Prejardhja sipas Lukës, ndryshe nga ajo e Mateut, e cila fillon me Abrahamin dhe mbaron me Jozefin, nuk është e tillë, por fillon me Jozefin dhe me një kthim mbrapa, arrin deri tek Adami, i cili është Ati i të gjithë njerëzimit.

Biri i Hyjit duke u mishëruar, ka hyrë në historinë e njerëzimit dhe të mëkatit, pa u lyer vetë me mëkatin, për ta liruar njeriun nga ky mëkat. Ndaj në misterin e lindjes së Jezusit gjejmë bazat e vëllazërisë sonë. Këtu gjejmë edhe arsyen e misionit tonë si njerëz për të marrë pjesë në histori, derisa të ndodhë vëllazërimi i të gjithë njerëzve dhe të ndërtohet një botë e denjë për tu banuar na njeriu.
 
KRISHTI HYN NË JETËN FAMILJARE
Ungjilli i fëmijërisë, qoftë tek Mateu qoftë tek Luka, flet për historinë e një familjeje, të cilën ne e quajmë “Familja e Nazaretit”. Kështu Biri i Hyjit na u tregua ne, përmes familjes në të cilën ai ishte qendra. Dy Ungjilltarët na japin imazhe realiste të jetës në familje, me momentet e saja të gëzimit dhe të trishtimit. Gëzimi i nënës, e cila lind një jetë të re, gëzimi i Marisë dhe i Jozefit, të cilët dëgjojnë këngën e engjëjve dhe presin barinjtë e dijetarët që kishin ardhur për të takuar foshnjën, gëzimi i Marisë dhe Jozefit, të cilët dëgjojnë lavdërimin e Simonit dhe të Anës në tempull.
 
Këto janë edhe provat, në të cilat janë duke kaluar edhe shumë familje shqiptare. Tipike në traditën e popullit shqiptar është mikpritja e madhe. Ndoshta Maria dhe Jozefi do të kishin pasur më fat po të gjendeshin në Shqipëri, se sa në Betlehem. Do të kishin gjetur një familja, e cila do t’i kishte pritur. Por shumë familje po kalojnë momente pasigurie si familja e Nazaretit. Shprehje e kësaj pasigurie është kërkimi i një vendi ku mund të jetohet në qetësi, apo prova e strehimit në një vend tjetër, ose humbja e fëmijëve. Familja shqiptare është një familje shumë e bashkuar, dhe sigurisht e ndjen shumë mungesën e fëmijëve që janë strehuar apo emigruar në vendet e huaja për një të ardhme më të sigurtë e të lumtur. Por, ashtu sikurse besimi ishte një forcë tek Maria dhe Jozefi, po ashtu mund të jetë edhe tek këto familje, të cilat kalojnë përmes këtyre provave.
 
ZBULIMI I HYJIT QË ZBRET MES NESH
Krishtlindja është një mister plot paradokse. Liturgjia na fton që të ngazëllehemi, duke na bërë që të dëgjojmë tekstet e bukura si ato të Isaisë: “Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe” (9, 1), dhe kjo “sepse një foshnjë lindi për ne”. Kur ke nevojë për ndonjë këshillë, ia kërkon këtë një njeriu me përvojë dhe një fëmije. Megjithatë Isaia thotë se ky fëmijë do të quhet “Këshilltar i ditur”. Kur do të duhet që do të mbarosh një ndonjë punë, kërkon dikë, i cili është i pushtetshëm dhe jo një fëmijë. Megjithatë, Isaia thotë se ky fëmijë do të quhet “Hyji i fortë”. Kur ke nevojë të zgjidhësh një grindje personale, familjare ose shoqërore, kërkon një njeri të respektuar dhe të aftë për të ndërhyrë dhe jo një fëmijë. Megjithatë, Isaia përfundon duke e quajtur këtë fëmijë “Princi i Paqes”.
Krishtlindja na mëson se gëzimin duhet ta kërkosh atje ku më pak e pret ta gjesh. Jo në një pallat, por në një shpellë; jo në një njëri të pushtetshëm, por në një foshnjë të brishtë, jo në luksin material por në hirin që na u shfaq ne “për të jetuar një jetë plot me urtësi, drejtësi dhe dashuri me Hyjin”. (Tit. 2, 12).

Ungjilltarët Mateu dhe Luka e paraqesin lindjen e Jezusit si një përgatitje për vuajtjet dhe vdekjen. Ky është fillimi i një ecjeje drejt vdekjes. Krishtlindja na e paraqet Hyjin të dobët, të brishtë, të vuajtur e që është në anën e atyre, të cilët vuajnë nga padrejtësia, mospërfillja dhe varfëria. Ky është Hyji, i cili ka dëgjuar britmën e popullit të tij skllav në Egjipt dhe vjen për ta shpëtuar. Ky është Hyji me emrin Emanuel, Hyji me ne, i cili vazhdon tu qëndrojë pranë atyre që vuajnë.
Ta dijë pra populli i vuajtur i Shqipërisë, se Hyji nuk është mospërfillës ndaj vuajtjes së tij. Krishtlindja është festimi i këtij lajmi. Krishtlindja zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit, të Hyjit i cili zbret mes nesh dhe kërkon njeriun, të Hyjit i cili është dashuri dhe nuk druhet ta hedhë hapin i pari.
 
ZBULIMI I DINJITETIT TË NJERIUT
Por, nëse Krishtlindja është misteri, i cili zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit, ajo është edhe misteri që zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit. Krishtlindja është festa e vërtetë e njeriut, sepse zëvendëson dinjitetin e vërtetë dhe të pazëvendësueshëm të njeriut, për të cilin Hyji u bë njeri dhe mori mbi vete të gjithë mjerimin tonë. Në liturgjinë e Krishtlindjes lexojmë atë shprehje të Shën Leonit të Madh: “Njihe pra o i Krishterë, dinjitetin tënd”. Marr guximin ta ndreq këtë shprehje, duke e lexuar kështu: “Njih pra o njeri, dinjitetin tënd”. Sepse Krishtlindja na zbulon dinjitetin e njeriut, të çdo njeriu. Dinjiteti i Hyjit zbulohet tek një foshnjë, që është Hyji, i cili kërkon njeriun, duke u bërë vetë njeri e për më tepër një foshnjë, që për gjithçka varet prej të tjerëve.

Luka na paraqet lindjen e Jezusit larg shtëpisë atërore, dhe në rrethana jo të zakonshme, jo vetëm për faktin se ka lindur në një shpellë, por edhe se ka lindur gjatë numërimit të popullsisë. Gjatë një numërimi njeriu është vetëm një numër, i zhytur dhe i humbur në gjithë masën. Kujt mund t’i binte ndër mend për atë që po ndodhte në shpellën e Betlehemit?

Edhe këtu gjendemi në një shoqëri ku, për shumë kohë, njerëzit kanë qenë trajtuar vetëm si numra. Jemi një popull që ka qënë i sunduar nga popujt e huaj për shekuj me radhë. Dhe mundësia e tij për t’u zhvilluar u mbyt për pothuaj gjysmë shekulli, kur ka përjetuar regjimin më çnjerëzor komunizmi.

Jezusi lindi gjatë një numërimi të popullsisë. Por, nga grazhdi, Jezusi nxjerr në pah dinjitetin e çdo shqiptari. Jezusi lindi gjatë një numërimi të popullsisë. Ishte një numër në të gjithë atë masë. Por ama lindi në një bashkësi të ngrohtë e bujare, megjithëse e vogël, e përbërë nga dy persona: Maria dhe Jozefi. Maria është Arka, e cili priti brenda vetes, jo pllakat e Ligjit, por autorin e Besëlidhjes së Re. Ajo është simboli i të gjithë atyre, që me besim e thjeshtësi e presin Krishtin dhe e mbajnë në zemrën e tyre.

Më tej vijnë barinjtë, të papërfillurit, të cilët me praninë e tyre, vërtetojnë atë lutje të Jezusit: “Të falënderoj o Atë – Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto gjëra të mëdhenjve e të diturve dhe ua zbulove të vegjëlve” (Mt 11, 25). Foshnja Jezus nuk i zbulohet Herodëve apo kryepriftërinjve, por u zbulohet barinjve të Betlehemit. Barinjtë lanë pas kopetë e tyre, “thesarin” e tyre të vetëm dhe pranuan ftesën për të takuar Jezusin. Gjithë njerëzimi është i ftuar që t’i lërë “thesaret” e veta, për t’i dalë përpara Jezusit, Hyjit i cili bëri hapin e parë në rrugën e pajtimit me njeriun. Shpella e Betlehemit, ishte Kisha e parë ku Jezusi adhurohet në Shpirt dhe në të vërtetë, nga njerëz që nuk kishin t’i ofronin gjë tjetër veçse vetvetes. Duke u bërë bashkudhëtari ynë, Fjala e Mishëruar na zbuloi dinjitetin tonë.
 
MISIONI I KRISHTIT DHE I YNI
Jezusi erdhi për të hedhur flakë, erdhi me një mision, i cili mund të përmblidhet në tre fjalë: për të shpëtuar, për të mbrojur dhe për të ndërtuar.
Erdhi në këtë botë jo për të dënuar, por për të shpëtuar, duke vënë në vendin e vet dinjitetin e njeriut. Ai e liroi njerëzimin nga egoizmi, krenaria nga lakmia për mirëqenie, sundim dhe nga ndarjet. Në fakt egoizmi largohet me besimin tek ai që u bë si ne. Kështu ne mund ta shohim fytyrën e Jezusit tek çdo njeri. Prandaj edhe Jezusi tha: “Atë që i bëni më të voglit ndër vëllezërit e mi, ma keni bërë mua”. Në një shoqëri që e nxit vetëm për vete njeriun, Jezusi predikon solidaritetin tek të gjithë. Krenaria kalohet duke vështruar me besim në Birin e Hyjit, i cili asgjësoi veten për tu gjendur në mes të varfërve dhe mëkatarëve. Në një shoqëri e cila na zbulon krenarinë, Jezusi na zbulon vlerat e thjeshtësisë dhe të përvujtërisë, dhuratat e Hyjti i jepen atyre që afrohen me duart bosh.

Jezusi erdhi në botë për të mbrojtur të mospërfillurit dhe ata që janë pre e padrejtësisë. Që në vogëli ai qëndron në mes të varfërve dhe është pre e Herodotit. Mbi padrejtësinë fitohet, duke parë tek Krishti shpalljen e barazisë themelore të të gjithë njerëzve. Ai erdhi në botë, i ngjashëm në gjithçka me ne, përveç mëkatit. Me lindjen e Tij filloi rrugën drejt vdekjes, e cila e pati kërcënuar qysh nga foshnjëria, prej Herodotit. Në një shoqëri padrejtësie e dhune edhe sot, Ai predikon dinjitetin e personit, që kërkon t’i respektohet sidomos e drejta për jetën e jo vetëm kaq, por ajo për një jetë dinjitoze, e drejta për edukim dhe e drejta për formuar familje. Nuk është tjetër veçse shenjë e hipokrizisë së shoqërisë, nëse nga njëra anë rriten listat e të drejtave themelore të njeriut, siç janë të drejtat e fëmijës, të të rinjve, të pleqve, të familjes ......, por bëhet gjithnjë e më i lehtë dhunimi i viktimave të pafajshme me abort, duke ua hequr kështu të drejtën për jetën. Ose kur krijohen struktura që e lehtësojnë prishjen e lidhjeve martesore, kështu që shumë djemve dhe vajzave u hiqet e drejta për ta pasur një familje të qëndrueshme, kur lejohen apo ndoshta edhe ligjërohen disa dhunime të drejtësisë.

E Jezusi erdhi për të ndërtuar një shoqëri të re, në themelet e së cilës nuk ka hebre apo grekë, skllav apo të lirë, shqiptarë apo amerikanë, të varfër apo të pasur. Kështu të mos lërë vend për asnjë përbuzje race, ngjyre, shkalle shoqërore apo besimi fetar. Ky ishte revolucioni i Jezusit, që pati nisjen e përvuajtur në shpellën e Betlehemit. Ky revolucion kishte për qëllim jo të ndryshonte shtresat shoqërore, por zemrën e njeriut, sepse vetëm kështu garantohet përparimi dhe liria e vërtetë: “Aq shumë e deshi Hyji botën sa e dërgoi Birin e Tij të vetëm”. Jezusi nuk është në grindje me shoqërinë, përkundrazi, është ai që mund ta ndryshojë atë nga një xhungël, në një shoqëri me të vërtetë të denjë për njeriun.
 
LAJMI I MIRË: “MOS KI FRIKË”
Jemi anëtarë e një shoqërie konsumiste. Francis Fukuyama në shkrimin e tij The End of History, ka thënë se rënia e komunizmit dhe përhapja e demokracisë liberale, nuk është fitorja e një ideali, por fitorja e një kulture konsumiste. Televizori me ngjyra u provua të jetë më i fuqishëm se Manifesti Komunist!
Jemi anëtarë e një shoqërie pluraliste. Jonathan Sacks, rabini kryesor në Mbretërinë e Bashkuar, në librin e tij “Thë persistence of Faith”, thotë: “Ironia e pluralizmit qëndron këtu: se ndërsa pritet zhvillimi i tolerancës, në të kundërt, vendosen themele të tjera jotolerancë”. E kemi parë këtë në vende të ndryshme ish-komuniste, ku ka lindur një lloj i ri racizmi dhe lloje të reja nazizmi dhe jotolerancës.
Jemi anëtarë e një shoqërie të sunduar nga terroristët. Përjetojmë një eksperiencë pasigurie dhe frike. Por këtu shohim dobësinë e mesazhit të foshnjës Jezus. Jezusi është sakramenti i dialogut të Hyjit me njeriun, si dhe i njeriut me njeriun. Ky është Lajmi i Mirë i shpallur nga engjëjt në natën e Krishtlindjes: “Paqe në tokë njerëzve vullnetmirë!”

“Mos ki frikë!” – “Mos kini frikë!” Këto fjalë i dëgjojmë shumë shpesh në liturgjinë e Krishtlindjes. I dëgjojmë nga goja e Isaisë për një popull të dëshpëruar, nga goja e engjëllit për Marinë dhe po nga goja e engjëllit për Jozefin, si dhe nga goja e engjëjve për barinjtë në Betlehem. Janë fjalë, të cilat i dëgjojmë edhe sot, kur falë zhvillimit jemi bërë të zotët e vetes, por menjëherë vëmë re se jemi më të brishtë se kurrë. Shoqëria e sotme më shumë se kurrë ka nevojë për engjëj që mund ta përcjellin porosinë: “Mos ki frikë, sepse Hyji është Emanuel – Hyji me ne!” Dhe këta engjëj, duhet të jemi ne. Duke pasur përvojën vetiake me Hyjin, duke e pas takuar në madhështinë e brishtë të Betlehemit, të mund të shpallim po të njëjtin Lajm të Mirë, të shpallur nga Ai dymijë vjet më parë.
Imzot George Frendo O.P.








All the contents on this site are copyrighted ©.