Sot me 22 dhjetor nga kalendari Kishtar përkujtohet Shën Françeska Saverio Kabrinin.
(22.12.2009 RV))Pra sot me 22 dhjetor kalendari Kishtar përkujhton Shën
Françeska Kabrinin,virgjër, themeluese e Misionareve të Zemrës së Krishtit. “Me hirin
tënd, fort i dashur Jezus, unë do të vrapoj deri në fund të rrugës, domethënë përgjithmonë,
përgjithmonë….”. Fjalë tipike për një shenjte si Shën Françeska Saverio Kabrini, që
u shpall “pajtore e emigrantëve”, jeta e së cilës ishte një shtegtim i vazhdueshëm
për t’i bashkuar e për t’ua kthyer dinjitetin italianëve, që ishin shpërndarë në të
katër anët e Kontinentit amerikan. Françeska Saverio Kabrini lindi në vitin 1850 në
San Anxhelo Lodinjano të Lombardisë, në Itali.
Ishte fëmija e 13-të që Zoti i fali familjes së saj fshatare me shpirt
të fuqishëm fetar e patriotik. Në vitin 1889 i propozohet vendi i drejtoreshës në
një shkollë të Nju Jorkut. Njëzet vjet më vonë ajo kishte hapur më
se 60 institute për bijat e emigrantëve italianë, ndonëse një detyrë e tillë nuk qe
aspak e lehtë. Italianët trajtohen si skllevër – shkruante në një letër – duhet të
mos kesh fare dashuri për Atdheun, për të mos e ndjerë veten të plagosur nga një sjellje
e tillë ndaj bashkatdhetarëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i
dhanë nënshtetësinë, Komiteti amerikan i emigracionit i dorëzoi titullin “emigrantja
më e ndritur e shekullit”, por ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë, përkundrazi, e vijoi
me zell të përtrirë. Duke rrezikuar të mbytet në det, zbarkoi në Nikaragua,
arriti më pas në Nju Orleans, ku mbarë bashkësia italiane shikohej me sy të keq e
kishte nevojë të riorganizohej. U kthye sërisht në Nju Jork, ku shndërroi një nga
getot për emigrantë në institutin më të rëndësishëm mjekësor të qytetit. Së fundi
shkoi në Buenos Ajres, ku arriti pasi kishte kapërcyer Andet mbi shpinë të mushkës
e ku themeloi 15 kolegje. Vdiq në Çikago në vitin 1917, pasi kishte kapërcyer oqeanin
24 herë. ********
"Nëna Kabrini, misionarja e shenjtë". Një ditë do të bëhem misionare,
e s’ka pikë rëndësie në se të tjerët mendojnë se jam tepër e brishtë!”. Françeska
Kabrini, një vashë lombarde, ia bën këtë premtim vetes, ndërsa i jati i lexon tregime
për misionet, në skajin tjetër të botës. Disa vjet më vonë Françeska troket në portat
e disa bashkësive fetare. “Je tepër shëndetligë për jetë rregulltare!”, i përgjigjen,
duke ia mbyllur sakaq portën. Por vajza është tepër kokëshkretë. Nuk heq e nuk heq
dorë nga e saja. Dëshiron të bëhet rregulltare e bëhet, pavarësisht nga të gjitha
pengesat. Madje bën diçka më shumë: themelon një udhër misionar femëror: Motrat Misionare
të Zemrës së Krishtit. Nënë Kabrini ëndërron të ungjillëzojë Kinën, së bashku me motrat
e veta të reja. Por Papa Leoni XIII dëshiron që ajo të niset në Perëndim, e pikërisht
në SHBA. Mijëra italianë, që mërgojnë në këto troje, rrezikohen ta humbasin fenë për
mungesë shërbimi shpirtëror. Rregulltarja niset menjëherë, së bashku me disa
motra të tjera. Kapërcen Atlantikun e arrin në Nju Jork. Në se Zoti e do atje, s’ka
gjë në botë që mund ta bëjë të ndërrojë mendim. As ipeshkvi, i cili sapo arrin, e
këshillon të rikthehet në Itali me të njëjtën anije, që e ka sjellë deri aty. “Detyrë
tepër e rëndë për juve!”, i thotë. Edhe ai gënjehet nga pamja imcake e rregulltares
dhe beson se jeta në këto vise të largëta do ta thyejë vullnetin e saj. Nuk e di se
motra trupin e ka të brishtë vërtetë, por vullnetin, të çeliktë. Gjithsesi shumë shpejt
do të bindet për këtë. Nënë Kabrini i përgjigjet njerëzisht, por me një vendosmëri
të pathyeshme: nuk do ta dëgjojë këshillin e tij. Do s’do, ajo ka ardhur aty e aty
do të rrijë... Gruaja, për të cilën të gjithë mendonin se ishte tepër delikate,
kryen në Amerikë një punë të jashtëzakonshme. Në geton njujorkeze, ku jetonin italianët,
ngrihet më parë një shkollë e, më pas, një jetimore. Duke vijuar veprimtarinë, Nënë
Kabrini ndërton spitale, kuvende, shkolla, jetimore të tjera, kurse katekizmi për
të rriturit. Viziton mërgimtarët në kolibat e tyre e lyp lëmoshë për ta. Vullneti
e guximi i kësaj gruaje kaq imcake, të lënë pa mend. Në vitin 1908 merr nënshtetësinë
amerikane. Po Nënë Kabrinit nuk i mjafton Amerika: do të pushtojë mbarë botën,
që të gjithë njerëzit ta njohin dashurinë e pakufishme të Krishtit, ashtu si e njeh
ajo. Pasi jeton disa vjet në Nju Jork, niset për në Amerikën e Jugut, ku kongregata
e motrave të saj njeh një lulëzim të pashoq. Deri në vdekje, më 1917, Nënë Kabrini
krijon gjashtëdhjetë e tri shtëpi të reja e ndihmon mijëra njerëz nevojtarë. Vajza
e brishtë e dikurshme merr forcë nga dashuria e saj e pakufishme për Krishtin, të
cilit ia kushton gjithë jetën. Prandaj, më 1947, Papa Piu XII e shpall shenjtore.