2009-12-22 15:47:17

Mesazhi i Patrikut të Jerusalemit Twal për Krishtlindje: Paqja në Tokën e Shenjtë të mos mbetët një ëndërr.


(22.12.2009 RV)Paqe për të gjithë banorët e Tokës Shenjte: për izraelitët e palestinezët, për të krishterët e myslimanët, për hebrenjtë dhe druzët: ky është urimi i Krishtlindjes i Patrikut të Jeruzalemit të Latinëve, Fuad Tval, i cili nuk i fsheh vështirësitë: “ëndrrat tona për pajtim…duken utopi – pohon – pavarësisht nga përpjekjet e lavdërueshme nga ana e politikanëve dhe e njerëzve vullnetmirë… të gjitha provat për arritjen e paqes, si nga ana palestineze, ashtu edhe nga ajo izraelite, dështojnë”.
Palestinezët nuk kanë akoma shtetin e tyre, pohon Patriku, vuajnë për punë, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, për shkak të shkatërrimit të banesave e të ndarjes së familjeve nga muri izraelit, për shkak të ndotjes së ujit. Jeruzalemi rrezikon të bëhet një qytet “ekskluziv”, në vend që të jetë universal. Edhe nga ana tjetër e murit, izraelitët jetojnë me frikën, që i pengon të marrin vendime të guximshme për t’i dhënë fund konfliktit.
“Megjithatë – vazhdon imzot Tval – shpresa është akoma gjallë. Shpresa është aftësia “për ta parë Zotin në mesin e vështirësive”. Ka disa shenja pozitive, vë në dukje Patriku, si bllokimi i pjesshëm i ndërtimit të kolonive të reja izraelite dhe heqja e mëse 50 postoblloqeve në Çisjordani; bujaria e bashkësisë ndërkombëtare, me mbështetjen e saj financiare. E pastaj, vizita e Papës, majin e kaluar, vazhdon të sjellë fryte: vijnë gjithnjë e më shumë shtegtarë; në Betlehem është ndërtuar një Klinikë e re Pediatrike, që mban emrin e Benediktit XVI; është bekuar pikërisht nga Ati i Shenjtë guri i parë i Universitetit të Madabës në Jordani; në Jeruzalem po ndërtohet një kompleks rezidencial për 72 çifte të reja; në tetor 2010 do të mbahet Sinodi për Lindjen e Mesme; është lumnuar motër Mari Alfonsinë, lindur në Jeruzalem e themeluese e Kongregatës së Motrave të Rruzares.
“Dhurata më e madhe që mund të dëshirojmë, më shumë se paratë e pasuria – pohon imzot Tval – është ajo e paqes… Paqja është dhuratë e Zotit për njerëzit vullnetmirë. Duhet ta fitojmë”. Patriku i Jeruzalemit e mbyll mesazhin me profecinë e Izaisë, në shpresën se një ditë banorët e kësaj Toke “shpatat do t’i kthejnë në plore e heshtat në drapërinj”. Por për shpresën, që mbizotëron mbi çdo vështirësi aktuale, të dëgjojmë vetë Patrikun Fuad Tval, në mikrofonin tonë:
Po, këto shenja kontradiktore e të vështira nuk duhet të na dëshpërojnë. Ne jemi më të fortë se frika, se dëshpërimi. Ka anë të tjera pozitive. Seminari ynë është plot dhe numri në rritje i turistëve dhe i shtegtarëve, që vijnë nga e gjithë bota, na bën të përjetojmë një solidaritet fantastik. Para nesh, edhe Zoti ka vuajtur e nuk ia ka dalë në çdo gjë. Para nesh derdhi lot për Jeruzalemin. Por ne nuk duhet të rrimë duarkryq e të dëshpërohemi.
Para pak ditësh, ju ishit për vizitë në bashkësinë e Gazës…
Gaza është një qytet që vuan. Një nga problemet më të mëdha të tanishme, përveç bllokimit ekonomik që vazhdon, është ndotja e ujit të pijshëm. Ka një milion e gjysëm persona në Gazë, që rrezikojnë të sëmuren nëse pijnë këtë ujë. Për bashkësinë e krishterë, ajo që nuk është normale për të tjerët është kthyer në diçka të zakonshme. Këto ditë presin lejen për të dalë nga Gaza. Ne u kërkojmë autoriteteve izraelite lejen që të krishterët e Gazës të vijnë e të luten me ne në Betlehem. Këto ditë mund të shkojnë edhe të vizitojnë familjarët, ndoshta edhe të sëmurë… është e vetmja mundësi për t’u takuar. Shpresojmë që qeveria e Izraelit t’i japë lejet para Krishtlindjes.
Vizita e Atit të Shenjtë ka qenë një shenjë e fortë afërsie me këtë popullsi. Të shpresojmë që Krishtlindja t’i inkurajojë të gjithë në rrugën drejt paqes…
Po, Krishtlindja është rast për ta parë Jezusin me ne, për t’u bashkuar më shumë në Kishë, në familje, me miqtë; është rasti për të nënvizuar solidaritetin e krejt botës. Krishtlindja është Lindja e Krishtit e duhet ta përjetojmë jo në përmasën e saj të jashtme, por në mesazhin e saj shpirtëror e të brendshëm, që na përket të gjithëve: është mesazh paqeje, qetësie, për të cilin kemi shumë e shumë nevojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.