2009-12-22 15:47:28

Krishtlindja le të jetë vërtetë kremtim i krishterë.


(22.12.2009 RV)Dëgjues të nderuar këtyre ditëve Kisha na fton ta përshpejtojmë përgatitjen e zemrës sonë për ta pritur Foshnjen Hyjnore të lindur në Betlehem.
Pra po vjen Krishtlindja, festa e madhe për ne të krishterët, të cilën Shën Gjon Gojarti e quan festën më kryesore, sepse prej saj burojnë të gjitha festat e krishtera. Po afrohet Dymbëdhjetëditëshi, d.m.th. dymbëdhjetë ditët festive nga Krishtlindja deri te Theofania apo Dëftimi i Zotit, të cilat jemi të ftuar t’i festojmë në mënyrë të denjë shpirtërore duke takuar e pranuan Hyjin në zemrën tonë, në mënyrë që shpirtrat tanë të shijojnë gëzimin, paqen, ngazëllimin dhe dhurata të tjera shpirtërore që na ofron Foshnja Hyjnore e Betlehemit.
Gjatë ditës së parë të Dymbëdhjetëditëshit, në festën e Krishtlindjes më 25 dhjetor,
engjëlli Tënzot u sjell nga qielli lajmin e gëzuar barinjve dhe iu thotë: “... ja unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytetin e Davidit ju lindi Shëlbuesi Krishti Zot!” (Luk.2:10-11).
Por dhe “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka përzemër!”. (Luk.2:14) Lavdërojnë e falënderojmë Hyjin për mishërimin e Birit dhe Fjalës së Tij Hyjnore për shpëtimin e të gjithë njerëzve.
Gjatë ditës së fundit të Dymbëdhjetëditëshit, në festën e Dëftimit të Zotit që ndër shqiptarë njihet si festa e Ujit të Bekuar me 6 janar, hapen qiejt dhe Shpirti i Shenjtë Zot në formë pëllumbi zbret sipër Jezu Krishtit të pagëzuar dhe zëri i Atit Qiellor dëshmon se me të vërtetë i pagëzuari është Mesia, i dërguari i Hyjit për shpëtimin e njerëzimit.
Lidhur më këtë ja çka thotë Shën Pali Apostull në Letrën e tij dërguar Galatasve:
“Por, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar Ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit, që ne ta fitonim bijësinë në shpirt.
E, ngaqë vërtet jeni bij: Hyji e dërgoi në zemrat tina Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba - o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir, e , pasii je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar me anë të Krishtit”.(Gal. 4:4-7). Ja pra për ne Krishtlindja është dhuratë e trashëgimisë Hyjnore e kjo do të thotë se Zoti është vërtetë me ne, përgjithmonë!.







All the contents on this site are copyrighted ©.