2009-12-22 18:49:25

Iran:sulm kundër Musavit pas ceremonisë mortore të ajatollah Montazerit


(22.12.2009 RV)Në përfundim të ceremonisë mortore të ajatollahut të madh me orientim reformator, Hosein Ali Montazeri, keqbërës të panjohur kanë sulmuar në Gom karvanin e automjeteve të politikanit opozitar, Mir Hosein Musavi. Sipas deklaratës së ish kryetarit të qeverisë iraniane, një grup motoçiklistësh, të veshur civil, sulmoi makinën e tij dhe plagosi lehtë njërin nga shoqëruesit e tij.
Gjatë ceremonisë mortore në Gom për ajatollah Montazerin, i cili vdiq të shtunën në moshën 87 vjeçare, u regjistruan ndeshje midis përkrahësve dhe kundërshtarëve të presidentit të Iranit Mahmud Ahmadinexhad. Kujtojmë se Musavi humbi në zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të qershorit në Iran të cilat i fitoi Ahmadinexhadi. Montazeri ishte një prej klerikëve islamik më me ndikim, që dolën në anën e opozitës në Iran.







All the contents on this site are copyrighted ©.