2009-12-22 18:22:17

Drejt Krishtlindjes. Fjalët e Papës mbi himnin e Madhërimit në qendër të liturgjisë së sotme: Jezusi lind nga përvujtëria e Krijuesit dhe e Marisë


(22.12.2009 RV)“Fronet e të fuqishmëve të kësaj bote janë të gjitha të përkohshme, ndërsa froni i Zotit është shkëmbi i vetëm, që nuk ndryshon e nuk bie”. Ky është njëri nga reflektimet e shumta që Benedikti XVI i ka kushtuar Këngës “Magnificat”, e cila kremton madhështinë e Zotit e virtytin e përvuajtërisë.
Çfarë i bashkon burrat e gratë, që Kisha, në çdo epokë, i ka njohur si shenjtorë? Një bindje e pashmangshme: vetëdija e madhështisë së Zotit dhe vogëlsia e tyre personale. Pra, nuk ka shenjtëri pa perceptimin e kufizimeve të secilit, nuk ka të krishterë të vërtetë, që nuk janë të përvuajtur. Shenjtorët, theksonte Benedikti XVI më 1 qershor 2008, nuk harrojnë kurrë se nga një takim i përvuajtur lindi Jezusi, Bir i Zotit e Bir i njeriut: “përvuajtëria e Zotit që u mishërua, u bë i vogël, dhe përvuajtëria e Marisë që e pranoi në krahërorin e vet; përvuajtëria e Krijuesit dhe përvuajtëria e krijesës”. Maria, e krishtera e parë, i këndon kësaj edhe në Magnificat. “Shpirti im madhëron Zotin”, thotë ajo. Por të dëgjojmë shpjegimin e Papës:
“Shpirti im madhëron Zotin’. Maria njeh madhështinë e Zotit. Kjo është ndjenja e parë e domosdoshme e fesë; ndjenja që i jep siguri krijesës njerëzore dhe e çliron nga frika, megjithëse në mes të stuhive të historisë” (1 qershor 2008)
Benedikti XVI ka folur shpesh për përvuajtërinë. “Përvuajtëria e shën Marisë – ka thënë më 2 shtator 2007 – është ajo që Zoti vlerëson më shumë se çdo gjë tjetër tek ajo”. Ndërsa për mentalitetin e sotëm, përvuajtëria është cilësi e të humburve:
“I përvuajturi perceptohet si i mënjanuar, i mundur, dikush që s’ka asgjë për t’i thënë botës. Por kjo është rruga, e jo vetëm sepse përvuajtëria është një virtyt i madh njerëzor, por sepse, në radhë të parë, përfaqëson mënyrën e veprimit të vetë Zotit” (2 qershor 2007)
Dymijë vjet përpjekjesh për ta relativizuar, nuk kanë arritur të ngadhnjejnë mbi atë që mbetet provokimi i përjetshëm i Ungjillit. Njeriu që dëshiron autonominë nga Zoti, në emër të lirisë së vet, bie në një gabim perspektive me një çmim shpesh shumë të lartë, siç tregon historia. Ja ç’thotë Papa më 15 gushtin e vitit 2005:
“Aty ku Zoti zhduket, njeriu nuk bëhet më i madh; përkundrazi humb dinjitetin hyjnor, humb shkëlqimin e Zotit mbi fytyrën e tij. Në fund të fundit, rezulton vetëm si prodhim i një evolucioni të verbër e, si i tillë, mund të përdoret e të abuzohet me të. Pikërisht këtë na e ka konfirmuar përvoja e epokës sonë. Vetëm nëse Zoti është i madh, edhe njeriu është i madh. Sëbashku me Marinë, duhet ta kuptojmë se është kështu. Nuk duhet të largohemi nga Zoti, por ta bëjmë Atë të pranishëm” (15 gusht 2005)
Atëherë, ajo që humb është pasuria që shfrytëzon të dobëtit, pushteti, që i shërben atij që e ka, por jo të mirës së përbashkët. Për Papën, Kënga “Magnificat” e Marisë na mëson se Zoti:
“…rreshtohet me të fundmit. Plani i tij fshihet shpesh nën terrenin e errët të ngjarjeve njerëzore, në të cilat triumfojnë “mendjemëdhenjtë, të fuqishmit e të pasurit”. E megjithatë, forca e tij e fshehtë më në fund është e destinuar të dalë në shesh, për të treguar se cilët janë të zgjedhurit e vërtetë të Zotit: ‘Ata që e kanë frikë’, që ia dëgjojnë fjalën; “të përvuajturit, të uriturit, Izraeli shërbëtori i vet’, apo bashkësia e popullit të Zotit që, si Maria, përbëhet nga ata që janë ‘të varfër’, të pastër e të thjeshtë në shpirt”. (15 shkurt 2006)
Duke përmbysur pikat e referimit dhe objektivat mbi të cilat njerëzimi preferon të ndërtojë të tashmen dhe të ardhmen e vet, Magnificat mbetet ‘manifesti’ më i vërtetë i jetës së krishterë dhe interpretimi më origjinal i ngjarjeve njerëzore:
“Pas shekujsh e mijëvjeçarësh, mbetet interpretimi më i vërtetë e më i thellë i historisë, ndërsa reflektimet e bëra nga shumë të ditur të kësaj bote janë përgënjeshtruar nga faktet në rrjedhë shekujsh… Një këngë lavdi, që është një reflektim i vërtetë e ‘teologjik’ mbi historinë: një interpretim që ne duhet ta mësojmë vazhdimisht nga Ajo, feja e së cilës është pa hije e pa të çara” (1 qershor 2008).







All the contents on this site are copyrighted ©.