2009-12-21 17:25:19

Toka Shenjte përgatitet të kremtojë Krishtlindjen:dëshmia e famullitarit të Beit Zhala


(21.12.2009 RV)RealAudioMP3 Betlehemi “qytet-simbol i paqes, në Tokën Shenjte e në botën mbarë”. Këto qenë fjalët e djeshme të Papës Benedikti XVI, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Siç e dëgjuat, Ati i Shenjtë kujtoi se megjithëkëtë, edhe në ditët e sotme, paqja e qytetit ku lindi Krishti nuk është e qëndrueshme, por tepër e brishtë. Pavarësisht nga kjo, qyteti i vogël i Judesë është gati të kremtojë Krishtlindjen. Takimi i parë, më 24 dhjetor, me Patrikun latin të Jeruzalemit, imzot Fuad Tval, i cili edhe dje, në praninë e një delegacioni të Pax Christi-t, kremtoi një meshë në Gazë, një vit pas operacionit ushtarak izraelit kundër ekstremistëve të Hamasit. Por cila është gjendja aktuale e këtyre ditëve në Betlehem? Të dëgjojmë famullitarin e Beit Zhala, afër Betlehemit, atë Ibrahim Shomali:
Është gjithnjë me të vërtetë bukur të kremtosh Krishtlindjen, pasi Lindja e Krishtit do të thotë se Zoti ka ardhur për të na vizituar. Vizita e tij është shumë e bukur për ne. Sidomos në këto kohë, pasi zakonisht hapen portat e mbyllura të murit të Betlehemit, që të hyjë, më parë Patriku e më pas të gjithë ata që kremtojnë. Pastaj do të jetë një qytet i hapur për të gjithë. Kjo është ëndrra e njerëzve të Betlehemit: t’i hapin qytetin krejt botës, që të gjithë të vijnë për të kremtuar Krishtlindjen te ne.
Cilat do të jenë kremtimet e këtij viti?
Në Betlehem kemi kremtime të veçanta: Patriku i Jeruzalemit Fuad Tval do të hyjë solemnisht në shesh, i pritur nga të gjitha bashkësitë skaut të Palestinës në orën një e gjysëm. Zakonisht, ka shumë njerëz, që vijnë nga krejt Palestina. Edhe myslimanët marrin pjesë në këtë festë, ashtu si Autoriteti palestinez. Më pas, do të kremtohen Lutjet Mbrëmësore në Bazilikën e Shën Katerinës, në Bazilikën e Lindjes së Krishtit, ndërsa në mesnatë do të fillojë Mesha e Betlehemit për gjithë botën. Ditën e dytë, më 25, dita e Krishtlindjes, në orën 10, do të kremtohet Mesha për famullinë e anëtarët e bashkësisë.
Kremtimet do të bëhen, por a mund të na thoni cila është situata përreth jush?
Nuk ka ndryshuar aspak, pasi muri ekziston akoma, megjithëse nuk shohim ushtri përreth: mbyllje e plotë për njerëzit. Po presim lejen e autoriteteve, por askush nuk e di se kur do të mbërrijë. Gjendja pra, është shumë e vështirë. Është e vërtetë se nuk ka luftë, por paqja nuk është mungesa e luftës: zjarri është i ndezur nën hi.
Edhe dje, Papa pati një mendim e lutje të veçantë për Betlehemin. Ka edhe shumë iniciativa kishtare si ajo e Pax Christit, për solidaritet me popullsinë. Si përjetohen në vend këto thirrje e nisma?
Ati i Shenjtë është zëri moral i krejt botës. Ne e dimë mirë që zëri i Benediktit XVI dëgjohet. E dimë se Papa ka qenë gjithnjë pranë nesh: vizita e tij në Betlehem ka pasur sukses të madh. Dikush, jo më larg se dje më tha: “Ne lutemi për Papën, pasi kur erdhi në Tokën Shenjte e kemi ndjerë si një atë që vjen të përshëndesë bijtë e vet, të tregojë dashurinë për ta e t’u thotë fjalët e së vërtetës”. Ky zë ngrihet në shkretëtirën e zemrave njerëzore. Shpresojmë që një ditë, ashtu si zëri i Shën Gjon Pagëzuesit, të dëgjohet nga të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.