2009-12-21 17:22:37

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: Një histori dashurie”


(21.12.2009 RV)Emisioni i 22-të i rubrikës “Shtigjeve të Krishtlindjes” na çon në atmoferën mahnitëse të pritjes, që këndohet në Këngën e Këngëve. Është atmosfera e pranverës. Stina e blertë shoqëron Zotin që lind. Kur vjen Ai, dimri kalon, nuk bie më shi, moti kthjellohet, lulet e nxjerrin kokën nën borë; kthen koha e këngës; zëri i turtullit dëgjohet tashmë në ograja. Është pranvera simbolike, që shoqëron çdo ‘Histori dashurie’, siç titullohet emisioni i sotëm, i cili na kujton dashurinë më të madhe: atë të Zotit për njeriun.

E Shkrimi Shenjt shpalos para nesh pikërisht vargjet e Këngës së Këngëve:
“Qe, po vjen! Është ai vetë!
Aty, pas murit tonë.
Shikon nëpër dritare,
përgjon pas gardhit!”
Kk 2, 8-14

"Volteri thosh se ishte
një këngë e denjë për truprojet.
Vërtetë ai qe gjeni,
por nuk arriti ta kapte aspak,
shijen e hollë të simbolit,
thellësinë pa fund të misterit.
Pikërisht misterin e dashurisë
që Zoti ka për ne.
Po kjo, për Volterin
ish thjesht një çmenduri!
Si? Zoti është dashuruar?
Është dashuruar Zoti?
E me kë? Me njeriun?
Si? Hyjnorja mishërohet në njerëzoren?
Bëhet njeri me mish e me gjak,
me ankthe e me shpresa?
Me gëzime e trazira,hidhërime e lumturi?
Ndërsa na thonë
se është njeriu që kërkon Zotin,
bashkë me mistikët renanë
ne themi se është Zoti
gjithnjë në kërkim të njeriut!
Është Ai që vjen,
që malet kapërcen,
e hidhet n’për kodrina,
me vrap, porsi kaprolli,
me turr, si dreri në pyll.
Po, është e vërtetë!
Zoti është dashuruar.
E e pret padurim
jehun e hapit tonë!
Zoti është dashuruar,
si Zot,
me njeriun!
E Ai që do të lindë natën,
që hap fletën e bardhë të jetës,
vuan në dhimbje
ndoshta për vdekje.
E megjithatë,
përsëri po vjen mes nesh,
se e do njeriun.
E dëshiron që ai ta ndjejë
nëpër palcin e eshtrave të tij
frymën e jetës!
E portën e amshimit,
ta shohë, që i hapet para!".







All the contents on this site are copyrighted ©.