2009-12-21 17:21:51

Papa në Engjëllin e Tënzot kujton Betlehemin, qytet-simbol i paqes e Krishtlindjen, përgjigje që i jep Zoti njerëzimit në kërkim të paqes.


(21.12.2009 RV)RealAudioMP3 Krishtlindja nuk është përrallë për fëmijët: këtë theksoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Në të dielën e katërt të Kohës së Ardhjes, Benedikti XVI nuk mund të mos kujtonte Betlehemin, qytet-simbol i paqes, që po vonon e që Toka e Shenjtë e pret prej kohe. Pastaj, ftesa që çdo i krishterë të çojë dashurinë, atje ku ka urrejtje.

Në prag të Krishtlindjes, Papa i fton të gjithë besimtarët të shtegtojnë simbolikisht drejt Betlehemit, qytetit të vogël të Judesë, dëshmitar i ngjarjes më të madhe në historinë e njerëzimit. Krishti – kujtoi Papa – erdhi në botë pikërisht në këtë qytezë, sipas planit hyjnor, që përfshin e shpjegon kohët e vendet e ardhjes së Biri të Zotit në botë. Është plan paqeje sepse, siç paralajmëron Mikea profet, Jezusi vetë është paqja. Prandaj Betlehemi është qytet–simbol i paqes në Tokën e Shenjte e në botën mbarë.
“Mjerisht, në ditët tona, ajo nuk është më paqe e sigurtë, e qëndrueshme. Është paqe që kërkohet me mundim e pritet me shpresë. Por Zoti nuk dorëzohet kurrë përballë kësaj gjendjeje, prandaj edhe sivjet, në Betlehem e në mbarë botën, Kisha përsërit misterin e Krishtlindjes, profecinë e paqes për çdo njeri. E kjo i impenjon të krishterët të hyjnë thellë në dramat, shpesh herë të panjohura e të fshehura, e në konfliktet, që lindin aty ku jetohet, për të çuar dashurinë, ku zjen urrejtja; faljen, ku lëndon fyerja; gëzimin, ku mbyt trishtimi; të vërtetën, ku sundon gabimi”.
Sot, ashtu si në kohët e Jezusit, Krishtlindja nuk është përrallë për fëmijët, por përgjigje që u jep Zoti dramave të njerëzimit, në kërkim të paqes e të vërtetësisë – nënvizoi Benedikti XVI. Prej këndej, ftesa për ta njohur Krishtin, që është paqja e vërtetë:
“Na përket t’ia hapim portat në të dy kanatet, për ta pritur. Të mësojmë nga Maria e Jozefi: të vihemi me fe në shërbim të planit të Zotit. Ndonëse nuk arrijmë ta kuptojmë plotësisht, t’i besojmë urtisë e mirësisë së tij. Të kërkojmë, para së gjithash, Mbretërinë e Hyjit, e provania Hyjnore do të na ndihmojë. Për shumë vjet Krishtlindjen të gjithëve!".
Pas lutjes mariane, Benedikti XVI përshëndeti mijëra besimtarët e turistët, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërmjet tyre, një grup polakësh, të cilëve Papa u bëri urimet për kryeipeshkvin e Gnieznos, imzot Henrik Mishinski, qysh dje Primat i Polonisë, titull nderi që i rinjihet metropolit më të lashtë në trojet polake, lidhur ngushtë me kultin e Shën Adalbertit, Pajtor i Polonisë. Benedikti XVI shfrytëzoi rastin për të falënderuar kardinalin Jozef Glemp i cili, pasi mbushi 80 vjet, largohet nga misioni i tij si primat, besuar përkohësisht selisë së Varshavës, në periudhën e vështirë të tranzicionit.Papa përshëndeti në mënyrë të posaçme edhe figurantët e Shpellës së Betlehemit, ardhur nga Pereto, fshat i Akuilës, ku skena e lindjes së Krishtit realizohet si të ishte e gjallë, prej 40 vjetësh. Pastaj, një përshëndetje të përzemërt pjesëmarrësve në nismën e organizuar nga “Federata e Kulturës, Sportit, Spektaklit e Solidaritetit në botë”, në bashkëpunim me “Veprën Romake të Shtegtimeve” dhe personelin e gazetës vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, që në periudhën e Krishtlindjes janë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit çdo të dielë e të mërkurë, me një banak lëvizës, ku shtegtarët kanë mundësi të blejnë gazetën, së bashku me një ikonë të vogël të Lindjes së Krishtit.
Ju uroj gjitha të mirat për këtë nismë që, përveçse shpërndan gazetën e Vatikanit, ka për qëllim edhe të japë ndihmesën për ndërtimin e një shkolle në Republikën Demokratike të Kongos”.







All the contents on this site are copyrighted ©.