2009-12-21 17:23:01

45 vjetori i Shërbimit Misionar Rinor


(21.12.2009 RV)Një lajm i mirë: bota mund të ndryshohet. Kjo është parrulla e Sermig, Shërbimit Misionar Rinor, i cili këto ditë bën bilancin e 45 vjetëve të aktivitetit. Grupi, me seli në një ish-kazermë ushtarake të Torinos, shndërruar në të ashtuquajturin “arsenal i paqes”, ka si mision favorizmin e paqes dhe zhdukjen e urisë në botë. Në mikrofonin tonë, themeluesi Ernesto Olivero bën një sintezë të arritjeve të deritanishme:
Nganjëherë, nga turpi, them të vërtetën e Sermig: atë e ka themeluar Zoti e unë përpiqem të mos e prish shumë. Nuk e kam imagjinuar kurrë një aventurë kaq të veçantë, kaq të jashtëzakonshme. Kush mund ta dinte se do ta shndërronim arsenalin ushtarak në arsenal të paqes? Kujt mund t’i shkonte ndërmend se do të sillnim zhvillim në 137 vende të botës? Kush mund ta mendonte se çdo ditë do t’u gjenim për të fjetur 2 mijë personave, e do të shpërndanim 3 ose 4 mijë vakte ushqimi? Pra, këto 45 vjet, janë një mrekulli, që e ndjejmë se duhet t’ia dhurojmë Zotit, i cili që në fillim na e ka ngulitur në mendje të jemi krejtësisht të Kishës.
Cili është projekti i parë i 45 vjetëve të ardhshme?
Për të rinjtë e me të rinjtë po përgatisim një takim në Akuila të Italisë, më 28 gusht, për t’i ftuar sërish të mëdhenjtë e tokës të vijnë e të dëgjojnë rininë. Mua do të më pëlqente të vinin Shenjtëria e Tij, Benedikti XVI, Obama e përgjegjës të tjerë të botës, pasi vetëm nëse etërit pajtohen me bijtë do të kemi një paqe të re.
Sermig lindi 45 vjet më parë nga ëndrra për të zhdukur urinë dhe për të gjetur sëbashku me të rinjtë, rrugët e paqes. Pavarësisht se keni bërë shumë punë, a nuk ju duket se ky objektiv është akoma larg?
Unë besoj se nëse grupet e ndryshme – edhe ato ndërkombëtare – do të kishin bërë aq sa kemi bërë ne, uria do të ishte zhdukur. Ne kemi mundur të bëjmë gati 2 mijë projekte, kemi ndihmuar mbi 500 misionarë. Ne besojmë se uria në botë mund të zhduket brenda një kohe të shkurtër, nëse brenda kësaj kohe ndryshojmë jetën në një jetë më të thjeshtë.
Cili është mesazhi i Sermig për botën e sotme?
Parrulla që do të përhapim këto ditë – e jam i gëzuar që po e them përmes Radio Vatikanit, pasi ajo është një pjesë e rëndësishme e Kishës – është kjo: “Bota mund të ndryshohet, për të mundur urrejtjen, për të mundur padrejtësitë e për të parë bukurinë e të rinjve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.