Sot me 19 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Anastasin, Papë.
(19.12.2009 RV)Anastasi I u ul në katedrën e Shën Pjetrit më 27 nëntor 399.
Libri i Papëve e paraqet me origjinë romake. Dimë se i ati quhej Masimo, se ndërtoi
bazilikën Kreshenciane në Romë, se luftoi me energji donatizmin në provincat veriore
të Afrikës e se ratifikoi vendimet e Koncilit të Toledos të vitit 400, gjatë të cilit
disa ipeshkvij galicianë, që kishin dënuar Prishilianin, mbetën në detyrën e tyre,
të mbrojtur nga Papa Anastasi. Ky Papë pati shpirtin e mbrojtësit të madh e guximtar
të Kishës kundër të gjithë armiqve të saj. Kështu kujtojmë se luftoi edhe kundër arianizmit
dhe mbrojti me guxim të drejtat e Ilirikut për të mbetur i lidhur me Kishën perëndimore.
Duhet, pra, t’ia dimë për nder, në se feja katolike romake mbeti gjallë në ato vise,
që shumë më vonë do të quheshin Shqipëri veriore. Bashkëpunoi ngushtë edhe me Shenjtin
ilir, Jeronimin. Pati një letërkëmbim të dendur me të gjitha personalitetet e kohës,
por nga letrat e tij fatkeqësisht shumë pak kanë arritur deri në ditët tona. Vdiq
pas një papnie të shkurtër, por shumë aktive, më 19 dhjetor të vitit 401. U varros
në një varr monumental pranë bazilikës së Shën Kandidës. Shën Jeronimi, që pati një
nderim të jashtëzakonshëm për Shën Anastasin, shkroi se ai vdiq tepër shpejt, sepse
Provania Hyjnore nuk deshi që një ipeshkëv kaq i madh, të ishte dëshmitar i rënies
së Romës. Kujtojmë se Roma ra në duart e mbretit barbar, Alarikut, në vitin 410.