2009-12-19 15:09:28

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(20.12.2009 RV)Sot me 20 dhjetor Kisha katolike kremton të Dielën e 4-të të Kohës së Ardhjes. Po sot kalendri Kishtar përkujton edhe Shën Filogonin, ipeshkëv.
Nisi, kështu, një nga javët më gazmore të vitit, që i afrohet fundit plot vezullime, premtime e shpresa. Zoti vjen rishtas mes nesh, për të na rinuar ne e botën!

Liturgjia e së hënës me 21 dhjetor na vë simbolikisht për udhë pas Virgjërës Mari e cila, pasi ia ka hapur zemrën Shpirtit Shenjt, niset për t’i shërbyer Elizabetës, kushërirës që ka nevojë për ndihmë. Është festa e Shenjtorëve Pjetër Kanizi, meshtar jezuit e dijetar i Kishës dhe Mikesë profet

Të martën me 22 dhjetor, nga liturgjia e festës së Shën Françeska Kabrinit, virgjër, themeluese e Misionarëve të Zemrës së Krishtit, Ana e Maria, plot mirënjohje për dhuratën e jetës, ia besojnë gjithë vetveten Zotit me thjeshtësi e përvujtëri.

Shën Gjoni i Ketit, që do të kremtohet të mërkurën, me 23 dhjetor, me jetën dhe misionin e tij, na kujton se në rrjedhë shekujsh nuk kanë munguar kurrë lajmëtarët e Zotit, që na ndihmojnë ta njohim më thellë e ta jetojmë më përkushtueshëm fenë tonë. E dita e sotme na kujton edhe se, pas shtegtimit liturgjik njëvjeçar, jemi shumë pranë cakut: “Ta ngrejmë kokën lart, shpëtimi ynë është fare pranë!”.
 
Të enjten, me 24 dhjetor, është Nata e Madhe e Krishtlindjes. Në këtë ditë, kur kalendari Kishtar përkujton edhe festën liturgjike të Shenjtoreve Tarsila e Irma, ridëgjojmë profecitë mesianike për Jezusin e falënderojmë Zotin, që vjen përsëri mes nesh.

Të premten, më 25 dhjetor, do të kremtojmë Lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit. Është Dita e Madhe e Krishtlindjes, kur gjithçka nis përtëritjen; errësira bëhet dritë e Engjëjt mbi Shpellën e Betlehemit këndojnë: “Lumni Zotit në qiej të larta e paqe në tokë njerëzve, që ai i do!”, ndërsa besimtarët rijetojnë mrekullinë e Betlehemit në Meshët e Mesnatës e të Ditës së Lindjes së Shelbuesit të botës, Jezu Krishtit Zot.

Të shtunën me 26 dhjetor kalendari Kishtar do të përkujtojë Shën Shtjefnin, martir i parë i krishterimit.

Të dielën e ardhshme, me 27 dhjetor, Kisha kremton solemnitetin e Familjes Shenjte – që në traditë njihet si ‘Konaku Shenjt’ .
 Kujtojmë se Viti 2009 numron ditët e fundit. Duke biseduar me ju, të dashur dëgjues, ndërmjet dy festave të mëdha të fundvitit, nuk mund të mos e mbyllim këtë faqe të parafundit të Kalendarit 2009, me urimin: “Për shumë vjet Krishtlindjen e Gëzuar Vitin e Ri!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.