2009-12-19 15:09:15

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Dy gra në pritje”


(20.12.2009 RV)Duke ecur së bashku “Shtigjeve të Krishtlindjes”, arritëm tek e diela e katërt dhe e fundit e Kohës së Ardhjes. Edhe liturgjia merr trajtën e një udhëtari që, hap pas hapi, i jep zemër vetes drejt cakut, ku dëshiron të arrijë, derisa Natën e Krishtlindjes, s’duron më e plot gëzim kumton: “Ta dish se Zoti po vjen e nesër në agim do ta shikosh lumninë e tij: deli para e brohorite!”. Këtë frymë ka edhe emisioni i 21-të, në qendër të të cilit janë dy gra: Maria e Elizabeta, në pritje:

E sapo takohen dy gratë, na kujton Ungjilli sipas Lukës, Zoja e Bekuar ndjeu se
“Kërthini i galdoi në kraharor”.
Lc 1,39-45

 
Takimet, të gjitha, kur janë të vërteta
i ngjasin paksa lindjes së një foshnjeje,
lindjes së dashurisë,
të miqësisë,
të thirrjes për të ecur
në rrugët e mira.
Atëherë në shpirt zë lind
diçka më e fortë se vetvetja.
Me bulën e gishtave
prekim vetë mrekullinë.
Qielli stoliset për ne:
ditën me diell
natën me hënë të plotë.
Perëndimi shkrihet ngadalë
në ar të horizontit pa kufi.
E nata i hap shtegtun
ëndrave të platinta.
Kur falen e përshëndeten dy gra
që quhen Mari e Elizabetë,
dy gra që mbartin në kraharor
vetë jetën,
nuk ka dyshim se një Foshnjë
botës i kumtohet porsi melodi!

Kërthini galdon

 
“E ndjej si galdon në kraharor!”.
E kush mund të gjejë një fjalë
që ka kaq hir,
sa mrekullia e nënës
që mbart në trup vetë jetën?
Maria - Elizabeta: dy gra, dy nëna.
Diçka e shenjtë banon
në ato dy kraharore.
Diçka që atje zbret
nga sfera tejet të larta.
Dy gra që mbartin shpëtimin e një populli.
Dëftohet Fjala e Zotit
e botën e tund.
Profeti kruspull
në trupin e një gruaje
pret të kumtojë Fjalën,
Atë që po vjen!
Ndërmjet dy grave
hija e një ylli të ri.
Bekimi i atij, që do të lindë në një grazhd,
që i zbulon botës
shtegun e shpëtimit,
mes gurëve e shkëmbijve
në pa skaj,
ku mblidhen bashkë gjithë ylberet.Lumturia nuk ka ngjyra të tjera!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.