2009-12-19 15:17:32

Në Kopenhagë marrëveshje deziluzionuese dhe e pjesshme për klimën


(19.12.2009 RV)Deziluzionuese marrëveshja e arritur gjatë natës të së premtes, në përfundim të Mbledhjes së rëndësishme mbi klimën në Kopenhagë të Danimarkës. Këto janë shifrat: kufizimi i ngrohjes globale me 2 gradë, 3,6 miliardë dollarë nga SHBA-të për vendet në zhvillim për vitet 2010-2012 dhe 100 miliard dollarë nga vendet e industrializuara brenda vitit 2020. Ndërsa, kuotat e reduktimit të gazeve serë nga ana e çdo shteti për dhjetëvjeçarin e ardhshëm do të komunikohen muajin e ardhshëm.
Marrëveshja e nënshkruar nga SHBA-të, Kina, Afrika e Jugut dhe India nuk kënaq praktikisht askënd. Edhe vetë Uashingtoni nënvizon kufizimet e tekstit, pavarësisht se e konsideron atë një hap të parë të rëndësishëm. Vendet e G77-ës dhe ambientalistët denoncojnë këtë katastrofë të përgjithshme dhe kundërshtojnë mënyrën si u zhvilluan bisedimet, në grupe, sikur të ishte një grusht shteti. Nuk e fsheh deziluzionin e tij as presidenti i Komisionit Evropian, Barroso e jashtë Bella Center, manifestuesit protestuan kundër presidentit amerikan Barak Obama. Në një komunikatë të përbashkët, Karitasi Ndërkombëtar dhe CIDSE (Bashkëpunimi Ndërkombëtar për Zhvillimin dhe Solidaritetin), aleanca më e madhe e agjensive katolike për ndihmën dhe zhvillimin, e denoncuan si të dobët e moralisht të papranueshme, marrëveshjen e Kopenhagës. Do të sjellë pasoja shkatërrimtare për miliona njerëz të varfër në botë, shkruhet në komunikatë.
Rezultati arriti në minutin e fundit, në një ditë frenetike, me takime pa fund me dyer të mbyllura e shumë tension, pasi u prit ftohtë fjalimi i Obamës. Pastaj kundërshtimet e Kinës, e cila nuk pranonte kontrolle ndërkombëtare mbi emetimin e gazeve serë. Vetë Obama u detyrua të takohej tri herë me kreun kinez të shtetit. Më vonë, takimi jo formal i liderëve evropianë, krejtësisht të injoruar nga administrata amerikane e distancimi i Indisë, e cila dëshironte shtyrjen e arritjes së marrëveshjes në vitin 2010. Para 192 krerëve të shteteve e të qeverive, humnera e dështimit.
Kopenhaga do të kujtohet si takimi i përpjekjeve të mëdha dhe i rezultateve modeste. Gjithçka shtyhet për mbledhjen e vitit të ardhshëm në Qytetin e Meksikos, me një etapë ndërmjetëse në Bon, në takimin e organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Edhe një herë, në vend të veprave, fjalë.







All the contents on this site are copyrighted ©.