2009-12-19 17:24:41

Koha e Ardhjes pritje e Dritës së Zotit në Foshnjen e Betlehemit


Koha liturgjike e Ardhjes tashmë në përfundim është kohë e mirëfilltë shprese, është periudhë e pritjes që na parapërgatit për festën e madhe të Krishtlindjes. Koha e Ardhjes është kohë shprese. Kjo shpresë zgjohet çdo vit në zemrat e të krishterëve të cilët, ndërsa përgatiten për të kremtuar festën e madhe të lindjes së Krishtit Shëlbues, nuk harrojnë një kohë tjetër pritjeje, atë të rikthimit të lumnueshëm të Tij, në fund të kohëve.
Kjo kohë na kujton parusinë, apo ardhjen e fundme të Zotit, që është besnik e nuk do të vonojë t’i shenjtërojë të gjithë ata, që i përgjigjen hirit të tij Hyjnor.
Gjithë liturgjia e kësaj periudhe na fton të shpresojmë, duke na treguar, në horizontin e historisë, dritën e Shëlbuesit që vjen: “Atë ditë do të shkëlqejë një dritë e madhe; shkëlqimi i saj do ta mbushë përplot gjithësinë. Kjo dritë, që vjen nga e ardhmja e Hyjit, është dëftuar tashmë në përmbushjen e kohëve, prandaj shpresa jonë nuk është pa bazë, por mbështetet mbi një ngjarje që vendoset në histori e njëkohësisht e tejkalon historinë: është ngjarja e themeluar nga Jezusi i Nazaretit. Shën Gjoni ungjilltar e quan Jezusin ‘Dritë’: është një titull që i përket vetë Hyjit e që shprehet në Besojmën, në të cilën ne pohojmë se Jezu Krishti është Hyj prej Hyjit e Dritë prej Drite!







All the contents on this site are copyrighted ©.