2009-12-19 15:11:50

Koha e Ardhjes - periudhë ideale për të rizbuluar vëllazërimin në shoqëri. Reflektim i Imzot Elio Tintit


(20.12.2009 RV)Një zemër e pastër, bujare e mikpritëse. Kjo është për të krishterin mënyra e përshtatshme për t’u përgatitur për Krishtlindje. Ipeshkvi i Karpit, imzot Elio Tinti, në këto ditë të Kohës së Ardhjes, bën thirrje për vëllazërim dhe i fton bashkësitë famullitare t’i ndryshojnë mënyrat dhe stilet e jetesës, që të krijohet kështu një klimë dashurie dhe bashkimi. Pikërisht për rrugën sesi mund të arrihet ky synim e si mund të përjetohet më mirë Ardhja e Krishtit në botë, në mikrofonin tonë flet vetë Imzot Tinti. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Duke u përpjekur ta presim Zotin që vjen për Krishtlindje, por që vjen edhe çdo ditë, çdo çast, tek çdo person, tek çdo ngjarje. Është e rëndësishme që ta kapim praninë e Tij, e si rrjedhojë edhe rëndësinë e shpëtimit, të hirit, të dashurisë dhe thirrjen për të vërejtur tek çdo person të afërmin, dhe t’i japim atij dashuri, ngrohtësi, t’i kushtojmë vëmendje e t’i ndajmë bashkë të mirat e të këqijat.

Pyetje: Pse është e rëndësishme për ne të krishterët Koha e Ardhjes?

Përgjigje: Sepse Koha e Ardhjes na jep hirin dhe ndjenjën e besimit, të shpresës që kanë përjetuar Patriarkët dhe Profetët e popullit hebre e që sot përmenden në mënyrë të posaçme edhe tek liturgjia jonë, edhe duke na kujtuar vazhdimisht se Ungjilli na bën ta pranojmë Zotin e kësisoj, na jap shpresë dhe besim, sepse Zoti na shoqëron, është me ne, na mban, na jep forcë dhe prandaj edhe është shkak i një shprese shumë të madhe.

 
Pyetje: Imzot Tinti, kjo është një shpresë që në këto çaste shoqërohet edhe nga pendesa, sepse kemi nevojë ta dlirim shpirtin për të pritur Zotin...

Përgjigje: “Lum ata që kanë zemër të pastër, sepse do të shohin Zotin”: është me rëndësi që të përgatitemi për Krishtlindje duke i pastruar zemrat, që kanë nevojë vazhdimisht të pastrohen nga Zoti. Të jetë me të vërtetë një zemër e pastër, e kulluar, e ndershme, mikpritëse, bujare, e aftë – veçanërisht sot në këtë situatë krize ekonomike dhe financiare – për një stil jete të përvuajtur dhe të thjeshtë. Dhe kjo gjendje duhet që pastaj të përjetohet, të japë shembull në familje, duke zbatuar një stil jete që flet për solidaritetin dhe dialogun, në shkollë, në punë që janë ambientet tona të përditshme. Duke krijuar aty një ambient edukues përnjëmend njerëzor. Dhe kjo edhe në famulli, ku ka nevojë të jemi mikpritës dhe të kemi vëllazëri dhe dashuri të vërtetë të krishterë. Kush vjen aty duhet të gjejë një ambient dashurie, faljeje, një ambient që i kushton vëmendje.







All the contents on this site are copyrighted ©.