2009-12-19 15:07:06

Benedikti XVI njeh virtytet heroike të Gjon Palit II e të Piut XII. Nënshkruhen dekretet për 5 Shenjtorë e 6 të Lumë të rinj


(19.12.2009 RV)Sot, Benedikti XVI, në audiencë private me prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, imzot Anxhelo Amato, autorizoi shpalljen e Dekreteve që kanë të bëjnë me njohjen e mrekullive të kryera nga 10 Shërbëtorë të Zotit e të Lumë, me njohjen e një martirizmi dhe të virtyteve heroike për 10 Shërbëtorë të Zotit e të Lumë të tjerë, në pritje të Lumnimit ose të Shenjtërimit.
Ajo që bëri më tepër jehonë e që besimtarët prisnin me padurim është njohja e virtyteve heroike për Papën Gjon Pali II, për të cilin vazhdon verifikimi i një mrekullie, e vetmja gjë që i mungon për shpalljen i Lumë nga Kisha. Sipas gjasave kjo do të ndodhë rreth tetorit të vitit të ardhshëm. Sëbashku me Papën Vojtila iu njohën virtytet heroike edhe Papës Piu XII, i cili e ka udhëhequr Kishën Katolike në vitet e vështira të Luftës II Botërore.
Nga emrat e tjerë, po shkëpusim dekretin për martirizimin e një personi shumë të dashur për Papën Gjon Pali II, don Jerzy Popielushko, i cili në vitet e para të papnisë së Vojtilës konsiderohej si famullitari i lëvizjes Solidarnosh të Lek Valesës. I vrarë në Varshavë, më 19 tetor të vitit 1984 nga agjentët e Sigurimit polak, ai ishte vërtet një prift në krah të punëtorëve. “Ndërgjegjia – thoshte meshtari – është gjëja më e bukur, e vërteta nuk mund të zhduket me një vendim a një tjetër, me një urdhër a një tjetër. Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”.
Regjimi komunist u përpoq ta ndalojë don Popielushkon, duke ndërhyrë te ipeshkvijtë. Por ai nuk u tut. Në maj 1983 organizoi funeralin e birit të një aktivisti të sindikatës, ku morën pjesë 60 mijë polakë. E arrestuan e pastaj e liruan, pas ndërhyrjes së autoriteteve fetare, por fati i tij ishte caktuar. Një natë të errët, makina me të cilën udhëtonte u ndalua, ai vetë u sekuestrua, u rrah, u lidh dhe u hodh në lumin Vistola. Ishte vetëm 37 vjeç.







All the contents on this site are copyrighted ©.