2009-12-18 17:19:19

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Mister”.


(18.12.2009 RV)Emisioni i nëntëmbëdhjetë i rubrikës “Shtigjeve të Krishtlindjes na çon tek Zoja e Bekuar, zemër e liturgjisë së kësaj Kohe, në të cilën jemi gjithnjë në pritje. Ajo është pasqyra më e qartë e më ndritshme e Kishës dhe e shpirtit. E Kishës, sepse edhe Kisha, si Virgjëra e Nazaretit, mban në gji Krishtin gjithmonë të gjallë e ua jep bijve të vet për t’i ushqyer, për t’i forcuar, për t’i mbajtur e për t’i rritur me Të; e shpirtit, sepse i shenjtëruar nga hiri, shpirti jeton jetën e Jezusit e rritet përmes Tij. Maria na merr për dore drejt misterit, që i kapërcen kufijtë e mendjes njerëzore. E “Mister” titullohet edhe emisioni ynë i sotëm.

Ungjilli shpalos një faqe, që arsyeja e njeriut e ka të vështirë ta pranojë:
“Ja se Virgjëra ka për të zënë në kraharor
e ka për të lindur një djalë,
të cilin kanë për ta quajtur Emanuel,
që domethënë: “Zoti-me-né”.Mt 1, 18-24

 
“Ka gjëra që s’arrijmë t’i kuptojmë,
na mbushin me çudi
e edhe me dyshim.
Për shembull, një virgjër që nxjerr në dritë një djalë.
Nuk jemi më në shtigjet e arsyes,
në udhët ku bredh mendja njerëzore,
se kemi hyrë në botën e simbolit.
Kjo e vërtetë arsyes i shket gjithmonë.
I kapërcen krejtësisht
të gjitha llogaritë njerëzore;
të gjitha kërkimet në pemë të fisit,
në degë të gjakut a të qumështit.
Një gjë veç është e sigurt:
“Nëna e Virgjër ishte
e është gjithnjë me ne
me Kishën tonë.
E kapërcen njerëzoren e na prin
në rrugët plot hir të misterit.
Në çaste të lemerishme të historisë
drejt saj lartohen britmat e dëshpëruara.
Ajo di të prekë aq fort,
e shpirtin ta ngrohë aq shumë
sa të zbresë deri në zemër
të njeriut që lëngon në pranga
a në shtrat të vdekjes.
Në Të bëhet e mundur e pamundura.
Ajo është, si dëshirojmë të jemi,
e si nuk mund të jemi.
Ajo jetoi ashtu,
si duam të jetojmë,
e na hap shtegun drejt Dritësdrejt Mëshirës së mishëruar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.