2009-12-18 17:21:48

Përfundojnë kremtimet me rastin e 150-vjetorit të themelimit të Shoqërisë së Shën Françeskut të Sales.


(18.12.2009 RV)Nesër përfundojnë kremtimet organizuar me rastin e 150-vjetorit të themelimit të Shoqërisë së Shën Françeskut të Sales, që njihet si Kongregata Saleziane. Viti kremtor nisi më 31 janarin e kaluar e vijoi me liturgji, takime e konferenca, që përkujtuan lindjen familjes saleziane, më 18 dhjetor 1959, në banesën e Dom Boskos në Valdoko të Torinos, e lulëzimin e saj të vazhdueshëm.
“Dashuri për Eukaristinë, devocion për Zojën e Bekuar, besnikëri ndaj Papës”: janë këto idealet saleziane – kujton kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikani, në parathënien e vëllimit: “Salezianët në njëqind e pesëdhjetë vjetorin e tyre”, që doli nga Shtëpia Botuese e Vatikanit - duke nënvizuar se mësimet e Dom Boskos shpesh bëhen argumente për krerët e shteteve e për prijësit e feve. Kongregata saleziane sot është e pranishme në 129 kombe, numëron 16. 092 salezianë e 15 mijë Bija të Marisë Ndihmëtare, pa harruar këtu bashkëpunëtorët, ish-nxënësit e 23 grupe, që drejtojnë oratoret, shkollat, qendrat për përgatitje profesionale, shtëpitë botuese, stacionet e radios e të televizionit.
Se ç’janë në gjendje të bëjnë Bijtë e Bijat e Dom Boskos, sidomos për formimin fetar e profesional të rinisë, e dinë mirë shqiptarët, për të cilët salezianët punojnë prej vitesh në disa qendra.







All the contents on this site are copyrighted ©.