2009-12-18 17:19:40

Komenti i Vatikanit mbi mbledhjen e Kopenhagës mbi klimën: “U mbars mali e polli një mi”, thotë imzot Miliore


(18.12.2009 RV)RealAudioMP3 "Jemi këtu për të vepruar, jo për të folur”: presidenti amerikan Barak Obama provoi sot të shkundë nga plogështia krerët e shteteve, të ulur në tryezën e bisedimeve, në mbledhjen e klimës në Kopenhagë, por në fund të fjalimit, duartrokitjet ishin të ftohta. Obama konfirmoi impenjimet e mëparshme të SHBA-ve, prej të cilave, më e rëndësishmja është pa dyshim reduktimi i gazeve serë me 17% brenda vitit 2020 në krahasim me vitin 2005, dhe me 80% brenda vitit 2050, por të gjithë e dinë se ky ligj akoma nuk është miratuar nga Kongresi.
Objektivi i marrëveshjes, për të cilën u punua edhe gjithë natën e djeshme është kufizimi i ngrohjes globale me 2 gradë, 2016-a si datë për rishikimin e zbatimit të vendimeve të Kopenhagës, Konferenca e ardhshme e Qytetit të Meksikos si datë e fundit për miratimin e një ose më shumë mjeteve legale shtesë, një fond prej 30 miliard dollarësh për të ndihmuar vendet në zhvillim në periudhën 2010-2012, por asnjë shifër përsa i përket reduktimit të emetimit të dioksidit të karbonit.
E dje ipeshkvijtë e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Austrisë, Belgjikës dhe Irlandës, përmes një letre dërguar presidentit të Komisionit Evropian dhe krerëve të shteteve u kërkonin liderëve të pranishëm në Kopenhagë të ishin “moralisht të guximshëm në momentin e rëndësishëm që kalonin negociatat”.
“Bashkimi Evropian – shkruajnë – ka një pozicion, që e lejon të kalojë në reduktimin me 30% të gazeve serë brenda vitit 2020. Ky hap duhet bërë tani, në mënyrë të njëanshme e duhet siguruar edhe që financimi për këtë t’i shtohet buxhetit të parashikuar për ndihmat, për të treguar kështu solidaritetin e vërtetë me popullsitë më të varfëra, të dëmtuara nga ndryshimet e klimës”. Po dje, në mbledhjen e Kopenhagës foli edhe Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Çelestino Miliore, i cili nënvizoi se zgjidhjet teknike, pavarësisht se të nevojshme, nuk mund të jenë përfundimtare. Duhet përgjegjësia, edukimi e ndryshimi i mënyrës së jetesës, që të respektohet çka krijuar Zoti për njerëzit. Por, ta dëgjojmë vetë imzot Milioren, në mikrofonin tonë:
Selia e Shenjtë, në ndërhyrjen e saj, vuri në dukje se nëse shohim të gjitha analizat e bëra për fenomenin e ngrohjes globale, jemi të gjithë dakord mbi faktin se pavarësisht nga të dhënat statistikore, nga çështjet teknologjike, nga shumat për t’u investuar apo nga sasitë e gazit serë për t’u reduktuar, ekziston një çështje themelore: duhet të rimendojmë sistemin tonë ekonomik, sistemin e prodhimit e të konsumit. E kjo natyrisht kërkon kontribut në planin moral, edukativ, formues, kontribut që duhet të shoqërojë çështjet më teknike. Mjafton t’i referohemi Mesazhit të Atit të Shenjtë për Ditën Botërore të Paqes, që nxjerr në pah të gjitha aspektet e përgjegjësisë së përbashkët që kanë të gjitha shtresat e shoqërisë, përveç përgjegjësisë së qeverive për gjetjen e zgjidhjeve të problemit. Fjalimi im përfundoi me të njëjtën pyetje që bën Papa në Enciklikën “Caritas in Veritate”, ku thotë: “Po u kërkojmë gjithnjë e më tepër të rinjve, brezave të rinj, një respekt më të madh për gjithësinë”. Por si mund të arrijmë këtë respekt, kur sistemi edukativ dhe ligjet nuk i ndihmojnë të rinjtë të respektojnë vetveten, të respektojnë jetën? Mendoj se kjo është një pyetje për ndërgjegjen e atyre që punojnë për këtë çështje.
Sipas jush, cili është rezultati i mbledhjes së Kopenhagës?
U mbars mali e polli një mi, ose 2-3 minj, por jo më shumë! Në thelb, mbledhja e Kopenhagës përfundon pa marrëveshje të saktë, me një marrëveshje politike, të përgjithshme, ku natyrisht kemi vetëm pak rezultate. Të themi, se do të na lejojë të shkojmë në Konferencën e ardhshme të Meksikës me baza të përcaktuara. Prania e krerëve të shteteve të mëdha, si SHBA-të dhe Kina, të cilët janë pjesë e problemit, por edhe të domosdoshëm për zgjidhjen e tij, pati vlerë më tepër për impulsin që i dhanë dje arritjes së marrëveshjes politike bazë. Pozitiv duket impenjimi i SHBA-ve, që sëbashku me vende të tjera, premtoi të grumbullojë 100 miliard dollarë për të ndihmuar vendet e varfëra të përballojnë dëmet e pësuara nga ndryshimet e klimës. Por është e qartë se deklaratat mund të japin shpresë, por nuk e ndryshojnë gjendjen aty për aty.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.