2009-12-18 17:14:06

Bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa: është simbol i Dritës së vërtetë, që vjen në botë për t’i bërë të reja të gjitha sendet.


(18.12.2009 RV)Vetëm një javë na ndan nga Krishtlindja 2009: në shumicën e shtëpive tashmë janë bërë Shpellat e Betlehemit e janë stolisur Bredhat e Krishtlindjes. Sot pasdite, në Sheshin e Shën Pjetrit u organizua ceremonia e ndriçimit të Bredhit të Festave të mëdha të fundvitit, dhuruar sivjet nga Belgjika. Papa priti sot paradite një delegacion belg, që ta falënderonte për dhuratën.
Është një bredh 100 vjeçar, 30 metra i gjatë, me diametër 7 metra e peshë, 14 tonelata. Erdhi në Vatikan nga pyjet Ardene të Valonies, një nga zonat më të gjelbëruara të Belgjikës e të mbarë Evropës. Nuk u pre thjesht për të solisur njërin nga Sheshet më të bukura të botës, por sepse ishte ndërmjet drunjve të pyllit belg, që duheshin rralluar, për t’u krijuar hapësirë filizave të rinj përreth.
Kur të kenë mbaruar Festat e mëdha, druri i tij do të përdoret për të krijuar shtatore, të cilat do të shiten, për të grumbulluar fonde në ndihmë të të varfërve. Papa kujtoi se në pyll drunjtë rriten pranë e pranë e secili prej tyre ndihmon për ta bërë pyllin një vend plot hije, të errët nganjëherë:
“Laissant sa robe sombre…”
Duke lënë petkun e tij të errët, për t’u veshur me rroba vezulluese, bredhi shndërrohet, mbart një dritë, e cila nuk është e tija, por bën dëshmi për Dritën e vërtetë, që vjen në këtë botë. Edhe ne – vijoi Papa – jemi të thirrur të japin fryte të mira, për të dëshmuar se Zoti e vizitoi dhe e shpërbleu me të vërtetë botën.
I vendosur pranë Shpellës së Betlehemit, në Sheshin e Shën Pjetrit, ky dru dëshmon, në mënyrën e vet, praninë e misterit të madh, të zbuluar në fshatin e vogël, të humbur të Betlehemit, duke i ftuar të gjithë ta pranojnë Fëmijën-Zot, Atë që erdhi t’i bëjë të reja të gjitha sendet e t’i thërrasë të gjitha krijesat, nga më të përvujtat, tek më të mëdhatë, të hyjnë në misterin e Shëlbimit:
“Je prie pour que les populations…”
Papa u lut që popullsitë e Belgjikës t’i qëndrojnë besnike dritës së fesë, e cila nisi t’i ndriçojë këto troje qindra vjet më parë e u përhap nga misionarët belgë deri në skajet më të largëta të tokës. E uroi që Belgjika e Kisha e saj, posaçërisht dioqeza e Liezhit, të jenë në shekuj truall ku lulëzon fara e mbretërisë, që Krishti erdhi ta hedhë në tokë.







All the contents on this site are copyrighted ©.